Arben Malaj për heqjen e pragut të TVSH-së: Kur futen të gjithë në skemë rritet informaliteti
Profesor Arben Malaj, i cili ka qenë ministër i financave në periudhat 1997-1998, dhe 2003-2005 ka komentuar për “Monitor” lidhur me projektin e fundit të qeverisë për heqjen e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël.
Malaj, pohoi se nuk ka një përgjigje të prerë nëse është një lëvizje e mirë apo jo. “Në botë gjen praktika të ndryshme”, thotë ai.
Ndërsa nuk është bërë ende e qartë se çfarë praktike do të ndiqet, nëse është e vendosur që do të jetë TVSH që nga zero, Malaj tërheq vëmendjen që kjo çështje u shtrua për diskutim pa pasur një transparencë të qartë dhe një draft se si do të procedohet.
Ndonëse kjo praktikë po bëhet, sipas argumenteve të qeverisë për të luftuar informalitetin, Malaj e pranon se kjo është një sfidë e vështirë dhe praktika ka treguar që kur i fut të gjitha bizneset njëherësh në një skemë, kjo të çon në rritjen e informalitetit.
Ai është i mendimit që të ketë një prag dhe për pjesën tjetër, që do të hyjë në skemë, të ketë një shtrirje në kohë për të zbatuar hyrjen e këtyre subjekteve në TVSH. Mbi të gjitha, procedura për mbajtjen e kontabilitetit duhet të thjeshtohet, ndërsa kontrollet e administratës duhet të jenë lehtësuese dhe jo penalizuese. Këtë e mësuam dhe nga ajo që ndodhi me aksionin kundër informalitetit në shtator të vitit 2015, ku profesor Malaj dhe në atë kohë u shpreh hapur kundër agresivitetit dhe përqendrimit te biznesi i vogël.
Ndërsa rritja e çmimeve sipas tij nuk është shumë shqetësuese dhe nëse ndodh do të jetë e përkohshme, (siç ndodhi psh në rastin e Italisë kur u zëvendësua lireta me euron) problemi qëndron diku tjetër. “Më tremb rritja e kostos së biznesit dhe ushqimi i informalitetit, që do të vijë nga komplikimi i procedurave”.
Sot 80% e biznesit jep vetëm 15% të të ardhurave, ndërsa pjesa tjetër jep 85% të të ardhurave, ndaj pyetja shtrohet nëse ia vlen angazhimi i administratës dhe kostot që do të lidhen me kontrollin e shtuar për bizneset e vogla.
Malaj kujton se në vitin 1997, kur ai ishte ministër i financave, FMN kërkoi rritjen e pragut të TVSH-së nga 2 në 5 milionë lekë. “Në atë kohë unë isha kundër, por FMN argumentoi, nisur nga përvoja botërore, se Shqipëria nuk mund të mbante nivele të ulët të pragut, pasi numri i madh i bizneseve që do të futej në skemë do të ushqente fenomenin e informalitetit”.
Edhe aktualisht FMN është e mendimit se nuk është eficiente ulja e pragut të TVSH-së, pasi kjo rrit kostot administrative dhe sjell shumë pak të ardhura shtesë në buxhet.
Malaj ka një mesazh të fundit që informaliteti nuk zgjidhet duke goditur biznesin, por duke e lehtësuar atë. Edhe fituesi i fundit i çmimit Nobel këtë mesazh dha, përfundon ai. /Monitor/