Asimilimi i shqiptarëve në Turqi
Lajme E Shtunë, 10 Prill 2021 13:09
Reportazh: Diaspora shqiptare në Turqi
Vizitë në shoqatat e emigrantëve shqiptarë në Bursa
Nga Stephan Lipsius
Prej viteve ’90 e këtej, Turqia është kthyer prapë në një vend me interes për emigrimin e forcave punëtore nga Shqipëria e rishtazi edhe nga hapësirat e ish-Jugosllavisë. Shqiptarët u vendosën në një numër të konsiderueshëm të qyteteve në Turqinë e sotme, para së gjithash në provincën Düzce, Edirne, Eskişehir, Kırklareli, Sakarya dhe Samsun.
Deri më tani në Turqi nuk ka, qoftë edhe një organizatë të vetme të emigrantëve shqiptarë, e cila do t’i përfaqësonte interesat e tyre në tërë vendin, apo një federatë e cila do të mblidhte një numër të konsiderueshëm të shoqatave nga diaspora shqiptare, të cilat veprojnë kryesisht në nivel lokal dhe mbajnë emrat e fshatrave apo qyteteve shqiptare nga kanë ardhur të parët e tyre (para së gjithash ato nga Maqedonia) si, p.sh. “Pirlepeliler Kültür ve Dayanışma Derneği” (Shoqata për Kulturë dhe Solidaritet Prilepi) dhe numri i këtyre organizatave, sipas vendësve, sot duhet të ketë arritur në rreth 100 sosh në mbarë vendin. Te një pjesë e këtyre shoqatave nuk bëhet fjalë për shoqata të pastra të emigrantëve shqiptarë, por ato janë shoqata shumetnike të emërtuara në gjuhën turke, të cilat përfaqësojnë pjesëtarët e popujve të ndryshëm si: romët, tërbeshët apo goranët.
Një pjesë e shoqatave të emigrantëve të lartpërmendura firmojnë nën emrin “Rumeli”, apo në emërtimet e tyre është i ndërlidhur emri “Rumeli” (p.sh. “Mustafakemalpaşa Rumeli Halk Oyunları ve Kültür Derneği”). Qe nga mesjeta Rumelia njihet si pjesa evropiane e Perandorisë Osmane, ndërsa emërtimi i vjetër turk “Anadolu” (Anadolu: ka kuptimin e mëmëdheut) mund të kuptohet si e kundërta e saj. Me përdorimin e emrit “Rumeli” në emërtimet e shoqatave, emigrantët shqiptarë në Turqi i referohen prejardhjes gjeografike të themeluesve dhe anëtarëve të tyre nga Evropa juglindore, me ç’rast emërtimi i përzgjedhur me kuptimin historiko-gjeografik nga koha e Perandorisë Osmane, të paktën pjesërisht e paraqet imazhin kulturor të shoqatave përkatëse.
Vetëm kohët e fundit disa nga shoqatat e emigrantëve shqiptarë në emërtimet e tyre në gjuhën turke kanë filluar qartazi ta përdorin emrin “Shqipëria” apo “shqiptarë”, si p.sh.: “Türk Arnavut Kardeşliği Derneği” (“Shoqata e Vëllazërisë Turko-Shqiptare) në Stamboll, “Çamerya Arnavutları Derneği” (“Shoqata Shqiptare Çamëria”) dhe “Arnavut Göçmenleri Kültür ve Dayanışma Derneği” (“Bashkimi Shqiptar për Emigrim, Kulturë dhe Solidaritet”), të dyja në Izmir, sikurse “Sakarya Arnavutları Kültür ve Dayanışma Dernek” (“Shoqata Shqiptare për Kulturë dhe Solidaritet Sakarya” në Kocaali.
Krahas Stambollit, para së gjithash qyteti Bursa me 1.9 milion banorë (qyteti i katërt për nga madhësia në Turqi) është bërë një qendër me vlerë për diasporën shqiptare. Bursa, kryeqyteti i parë i Perandorisë Osmane që prej vitit 1326 dhe kryeqyteti i sotëm i provincës turke me të njëjtin emër, shtrihet rreth 90 kilometra në jug të Stambollit dhe rreth 30 kilometra nga bregdeti i Marmaras poshtë malit “Uludağ” në Turqinë perëndimore. Mali i përmendur arrin lartësinë 2542 m dhe aty gjendet një nga qendrat kryesore të sportit dimëror në Turqi, si dhe një park nacional shumë i njohur.
Qyteti rrethohet nga një zonë e gjelbëruar me disa burime squfuri. Bursa shpesh njihet edhe si “qyteti më i gjelbëruar” i Turqisë. Në verë, për shkak të “karakterit gjelbërues”, qyteti parapëlqehet shumë nga turistë të shumtë arabë, të cilët një vegjetacion kaq gjelbërues nuk mund ta hasin në shtetet e tyre. Veç kësaj, në Bursa ndodhet edhe varri i Sulltan Mehmetit të Parë, i cili po ashtu kërkohet shumë nga turistët dhe paraqet një pikësynim të veçantë për vizitorët nga shtetet arabe. Në Bursa, në kohën e Perandorisë Osmane, përfundimisht përfundonte rruga e gjatë tregtare legjendare e mëndafshit nga Orienti. I shumënjohuri, pazari i mëndafshit “Koza Han”, që ndodhet në qendër të qytetit, edhe sot e kësaj dite është në përdorim dhe është shumë i dëshiruar nga vizitorët arabë për të blerë.
Jo pak prej tregtarëve të pazarit të mëndafshit, si Nihat Karaça, prindërit e të cilit kishin emigruar nga Shkupi në Turqi, kanë rrënjë shqiptare. Njohuri aktive mbi gjuhën shqipe, jo vetëm Nihat Karaca, por edhe bashkëfamiljarët e të njohurit e tjerë të asaj gjenerate nuk zotërojnë më.
Sipas asaj që e thonë shumë shoqata mërgimtarësh shqiptarë në Bursa, në këtë qytet me rreth dy milionë banorë, rreth 400 mijë prej tyre kanë prejardhje shqiptare, shumica e të cilëve, fare apo fare pake, janë në dijeni të rrënjëve të tyre shqiptare. Këtij grupi emigrantësh shqiptarë i përket edhe kryetari i Bursës, Rexhep Altepe, të parët e të cilit emigruan nga Shkupi në Turqi. Politikani, që i përket partisë konservative-islamike në pushtet “AKP” (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim), të paktën e flet disi gjuhën shqipe.
Shumë prej emigrantëve shqiptarë, të parët e të cilëve kanë emigruar para Luftës së Dytë Botërore për në Turqi, të paktën mbiemrin e kanë ndërruar, duke vënë mbiemër turk. Kjo është bërë për arsyen se në Turqi me Ligjin për Emërimet Familjare të vitit 21.06.1934, i cili u fuqizua në vitin 1935, kërkohej marrja e një mbiemri turk, ç’farë zgjati deri më 02.07.1936. Për të dëshmuar lojalitet ndaj shtetit turk, shumë prej shqiptarëve të asaj kohe me vetëdije të plotë morën mbiemrin turk, për ç’fare sot nacionaliteti i shumë emigrantëve shqiptarë dhe pasardhësve të tyre nuk mund të identifikohen nga mbiemri.
Një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë në Bursa jetojnë në pjesën e qytetit “Zafer Ma-hallesi”, e cila, po ashtu, nuk identifikohet politikisht në pushtetin komunal. Numri i klubeve të emigrantëve shqiptarë në lagjen “Zafer Mahallesi” mblidhet në tetë shoqata. Më e vjetra është shoqata “MAKDER” (“Makedonya Arnavutluk Kosova Göçmenleri G.S.K Derneği” / Shoqata e Emigrantëve Maqedonas, Shqiptarë dhe Kosovarë), e cila është themeluar qysh në vitin 1962 në Bursa dhe në tabelën e varur shkruhet Ansambli i Valles dhe Folklorit “ZAFER” dhe në shumë festivale ndërkombëtare, ajo ka fituar mirënjohje dhe çmime.
Shoqata, për më tepër, bashkë me Këshillin e Qytetit të Bursës, janë organizatorët e festivalit të parvjetshëm ndërkombëtar “Bursa Festivalleri”, në të cilin dhe rregullisht marrin pjese një numër i konsiderueshëm artistësh dhe grupe shqiptarësh nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi.
Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “MAKDER” në ndërkohë, sipas drejtorit të kulturës Kadir Güler, pothuajse tërësisht është aktive në kulturë dhe folklor, përderisa vetë autori mësimin e vallëzimit, organizuar në katin e ulët të ndërtesës, e kishte ndjekur në gjuhën turke, sepse shumë fëmijë e të rinj pjesëmarrës, në mesin e tyre edhe turq, pothuajse fare apo fare pak e njohin a flasin gjuhën shqipe.
Sikurse shoqatave të tjera të emigrantëve shqiptarë në Bursa, po ashtu edhe ndërtesa e “MAKDER” është e stolisur kryesisht me flamuj turq dhe fotografi të themeluesit të Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, si vizitor. Kjo ta lë përshtypjen se shqiptarët e këtij qyteti para së gjithash definohen si turq e, pastaj, si shqiptarë, çfarë për diasporën shqiptare në përgjithësi nuk është aspak e zakonshme. Si shoqata më e madhe e emigrantëve shqiptarë në Bursa njihet “Kosova-Üsküp Türkleri Kültür ve Dayanışma Derneği Bursa K.T. 1999” (Shoqata Kosovë-Shkup e Kulturës dhe Solidaritetit Turk Bursa 1999) e themeluar në vitin 1999, e cila, sikurse edhe emri i saj, lë për të dyshuar! Udhëheqës i shoqatës është Rexhep Gyndyz.
Sipas përfaqësuesve, shoqata ka të anëtarësuar mbi 1 000 familje, kurse në lokalin relativisht të vogël të shoqatës në rrugën “Zafer Bulban” nr. 37, qëndronin kryesisht burra të moshuar. Si shoqata më e re e emigrantëve shqiptarë në qytet njihet klubi i themeluar më 14.04.2014 dhe drejtohet nga dr. Taner Ödemiş, një mjek i spitalit të qytetit të Bursës, e ky klub thuhet të jetë formuar si rezultat i ndarjes së një klubi tjetër të emigrantëve.
(vijon)