Auditimi, si busull për politikëbërësit
Nga Qemal Shehu dhe Redi Ametllari*
“Keep calm and trust the auditor” ,që në shqip në mënyrë më të stërholluar përkthehet në “Mos u tut, por ki besim tek audituesi”, ishte lajtmotivi që shoqëroi takimin e komitetit të kontaktit të vendeve të Bashkimit Europian, të organizuar nga Gjykata Evropiane e Audituesve, zhvilluar në datat 12-13 tetor në Luksemburg, ku KLSH u përfaqësua nga një delegacion i kryesuar nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj. Kjo shprehje mund të lexohet në disa këndvështrime por të gjitha këndvështrimet të çojnë në një konkluzion: besoji audituesit!
Po pse duhet t’i besohet audituesit? Auditimi nuk rend nga mania për të konstatuar shkelje e gabime, por gjithnjë e më shumë po konsiderohet si një formë “check and balance” të zbatimit të politikave me qëllim përmirësimin e tyre dhe rritjen e performancës në sektorin publik. Këtë rol ja atribuon edhe Axhenda 2030 e OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila thekson se Institucionet Supreme të Auditimit japin kontribut të vlefshme në matjen e progresit, monitorimin e zbatimit dhe identifikimin e mundësive për përmirësim gjatë implementimit të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Në Shqipëri vërehet një mungesë e theksuar e kulturës së performancës në menaxhimin në sektorin publik, në një kohë kur në vendet e Bashkimit Bashkimin po i mëshohet jo vetëm performancës institucionale, por performancës buxhetore(KLSH, Revista Auditimi Publik Nr. 15/2017). Strukturimi i buxhetit është art më vete dhe mungesa e një qasjeje performance është identifikuar si vatra kryesore nga ku ka buruar kriza evropiane. Buxhet i bazuar në performancë nënkupton buxhet të bazuar në rezultate dhe përbën një ndryshim thelbësor nga një buxhet që bazohet në shpenzime pa kriter. Janë dy vektorë me kahe të ndryshme, ku njëri sjell atë fenomenin e njohur negativ se paraja shkon pas projekteve ndërsa i dyti promovon fenomenin pozitiv që projektet të konkurrojnë për paranë. Kriza greke erdhi si pasojë direkte e mungesës së kulturës së performancës, ku burimet u shpërndarë për avantazhe sociale, ekonomike në një mënyrë joefiçiente duke mos prodhuar asnjë vlerë të shtuar për financat dhe menaxhimin publik në Greqi.
Sipas një studimi të Universitetit Hertie për Qeverisje të Berlinit “Public integrity and trust in Europe”(2015) është konstatuar se feedback-u i organeve audituese formon bazën për një strategji të susksseshme kundër korrupsionit. Sipas këtij studimi, audituesit forcojnë transparencën ndaj sistemit duke audituar financat publike dhe raportojnë rreth vlerës për para të përfituara nga investimet publike.
Tendencat globale në fushën e menaxhimit të shpenzimeve publike po ndryshojnë nga dimensioni i disiplinës fiskale tek dimensioni i performancës, duke u fokusuar në rezultatet e institucioneve publike dhe vlerësimit të tyre. Si rrjedhojë, institucionet Supreme të Auditimit(SAI-t) të Europës, pjesë e familijes së të cilës është edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, kanë filluar të konsolidojnë një qasje të re me subjektet e audituara, në përdorimin e gjetjeve audituese. Kështu, raporti i auditimit apo një sërë raportesh të marra së bashku nuk përbëjnë thjesht konstatim shkeljesh për subjektet e audituara, por një burim të rëndësishëm të dhënash, përpunimi i të cilave do të sjellë për ta bazamentin e hartimit të politikave të shëndosha,me fokus performancën institucionale. Kumti kryesor që synon të përcjellë Kontrolli i Lartë i Shtetit përmes auditimeve të performancës është pikërisht promovimi i kulturës së performancës në sektorin publik, duke prezantuar një filozofi të re menaxhimi. Institucioni nuk duhet të mjaftohet vetëm me rakordimin e shifrave, por duhet të jetë më fleksibël e të mos kufizohet në konturet e monotonisë burokratike. Madje edhe përmes auditimeve të ligjshmërisë dhe financiarë, rekomandimet e KLSH-së mbartin një orientim kah rritjes së performancës institucionale.
Natyra e gjetjeve të auditimit nuk është e ngurtë, ajo mund të evoluojë, mund të sofistikohet në përdorim, duke u shndërruar në një bazë për ndryshim ligjesh e aktesh nënligjore apo për krijimin e një platforme kundër korruopsionit, apo një manuali mbi mënyrën e zbatimit të ligjit dhe në vetë politika menaxheriale e të mirëqeverisjes.
Në datat 5-6 tetor, në Riga të Letonisë, u zhvillua seminari dhe takimi i parë i Task Forcës së EUROSAI-t mbi auditimin e Bashkive ku u prezantuan me praktikat më të mira sesi auditimi ofron një busull për politikëbërësit. SAI Estonez ka hartuar një Manual mbi Konfliktin e Interesit dhe në këtë kuadër ka zhvilluar një sërë seminaresh dhe trajnimesh me bashkitë. Manuali përmban shpjegime të detajuara mbi zyrtarët dhe personat që përfshihen në rrethin e konfliktit të interesit si dhe, bazuar në gjetjet audituese, ofron 13 raste të situatave të konfliktit të interesit duke i shoqëruar me shpjegime për mënyrën e veprimit për secilin rast. Po ashtu, SAI Estonez ka asistuar Ministrinë e Drejtësisë në ngritjen e një ueb-page mbi zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit.
SAI i Lituanisë ka ngritur një Platformë të Hapur për Zbatimin e rekomandimeve, në të cilën janë përfshirë bashkitë e audituara dhe niveli i zbatimit të rekomandimeve prej tyre. Me fjalë të tjera, kjo Platformë e Hapur, e aksesueshme me një klikim nga qytetarët dhe palët e interesit, synon të “linçojë pozitivisht” institucionet me nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve, duke nxitur përgjegjshmërinë e institucioneve, amplifikuar transparencën përballë qytetarëve e çka e rëndësishmja kjo platformë i nxjerr nga hallakatja politikëbërësit, duke i orientuar se ku duhet të ndërhyjnë.
SAI i Letonisë u prezantua me temën “Një vetëqeverisje, dy sisteme” Si ta bëjmë sistemin më efektiv”? Në 2016, SAI Letonez filloi të përgatiste një antologji auditimi, që përmbledh mësimet e nxjerra nga auditimet, me qëllimin nxitjen e një diskutimi me ekzekutivin për të ofruar zgjidhje për përmirësimin e administratës.
Dukshëm, gjetjet audituese përbëjnë piketa nga ku duhet të fillojë ndryshimi për të dalë jashtë spirales së keqmenaxhimit. Në rastin e Shqipërisë, KLSH i ofron politikëbërësve një skaner tredimensional mbi sektorin publik, në rrafshin financiar, të ligjshmërisë dhe performancës, gjetjet e së cilave kanë zbuluar vatrat kryesore të korrupsionit dhe hartën e risqeve të keqmenaxhimit në sektorin publik. Mjafton një klikim në rubrikën e buletineve 3-mujore që boton KLSH dhe mund të shikohet përtej mureve të ministrive, bashkive dhe agjencive shtetërore për të identifikuar çfarë nuk shkon e për të ndërmarrë politikat e duhura. Gjysma e punës është bërë nga KLSH, për aq sa e lejon sinori kushtetues, gjysma tjetër i takon politikëbërësve.
*Auditues të KLSH