Avokati i Popullit, Shabani: Të arrestuarit flenë në dysheme, shkelje ndaj të miturve. 26 persona me shenja dhune

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ka bërë publike gjetjet paraprake të Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT), pas monitorimit të kryer gjatë katër ditëve të protestave. Institucioni ka evidentuar mbipopullim në komisariatet e inspektuara, kushte të papërshtatshme për personat e ndaluar, ankesa për ushtrim dhune nga punonjës të policisë dhe problematika në trajtimin e të miturve.

Gjatë një deklarate për mediat, Shabani bëri të ditur se ekipet e Avokatit të Popullit kanë monitoruar ambientet e komisariateve nr. 1 deri në nr. 6 në Tiranë, Bllokun e Sigurisë, Spitalin e Traumës, si dhe komisariatet në Korçë, Vlorë dhe Shkodër. Sipas tij, vetëm gjatë 72 orëve të fundit janë kontaktuar 214 persona të privuar nga liria, me të cilët janë zhvilluar biseda konfidenciale. Ekipet kanë marrë gjithashtu informacion nga persona të shoqëruar, të arrestuar e të lënduar, si dhe nga mjekë dhe psikologë.

“Në 72 orët e fundit kemi kontaktuar 214 persona të privuar nga liria. Kemi biseduar konfidencialisht me të shoqëruar, të arrestuar, të lënduar, me mjekë dhe psikologë”, deklaroi Shabani. Ai bëri të ditur se, më 14 dhe 15 tetor, në Spitalin e Traumës kanë marrë shërbim 128 persona, mes tyre 86 punonjës policie, 38 protestues dhe 5 të mitur, duke shtuar se një pjesë e tyre janë intervistuar dhe u janë administruar ankesat.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ankesat për dhunë dhe efektivët me rroba civile

Swiss Digital Mobile Reklama

Një nga çështjet që do të shqyrtohen me përparësi nga Avokati i Popullit lidhet me ankesat për persona me veshje civile, të dyshuar si punonjës policie, të cilët pretendohet se kanë marrë pjesë në ndërhyrjet gjatë protestave pa shenja identifikuese. “Gjatë këtyre ditëve kemi marrë ankesa për punonjës policie me veshje civile pa shenja identifikuese. Kjo çështje do të shqyrtohet me prioritet”, u shpreh Shabani.

Sipas tij, ankesat e tjera kanë të bëjnë me pretendime për ushtrim dhune gjatë shoqërimit, mungesë të kujdesit mjekësor dhe tejkalim të afateve për masën e sigurisë. Kreu i institucionit theksoi se e drejta për tubim paqësor është e garantuar nga Kushtetuta, por dënoi çdo formë dhune, pavarësisht nëse viktima është protestues apo punonjës policie. Ai dënoi gjithashtu dëmtimin e pronës publike dhe private, përfshirë bizneset.

“E drejta për tubim paqësor është e garantuar nga Kushtetuta. Protestuesit duhet ta ushtrojnë atë paqësisht. Ne dënojmë çdo akt dhune. Dënojmë dhunën ndaj policëve. Dënojmë dhunën ndaj protestuesve. Dënojmë dëmtimin e pronës publike dhe të pronës private, përfshirë bizneset”, deklaroi ai.

Shabani nënvizoi se policia mund të përdorë forcën vetëm kur kjo është e domosdoshme dhe në mënyrë proporcionale, ndërsa çdo punonjës i angazhuar në operacione duhet të jetë i identifikueshëm. “Çdo punonjës që ushtron forcë duhet të jetë i identifikueshëm. Identifikimi mbron qytetarin nga abuzimi dhe mbron policin nga akuzat e pabazuara”, tha Shabani.

Kushtet në komisariate: Të arrestuarit flenë në dysheme

Problematikat më të rëndësishme të evidentuara gjatë monitorimit lidhen me mbipopullimin dhe kushtet e papërshtatshme në ambientet ku mbahen personat e shoqëruar dhe të arrestuar. Sipas Shabanit, në të gjitha komisariatet e inspektuara kapacitetet pritëse ishin tejkaluar, ndërsa situata në Bllokun e Sigurisë u cilësua e papranueshme. “Kemi gjetur të arrestuar që flenë dy vetë në një shtrat, ose mbi sfungjerë në dysheme. Mungojnë batanijet dhe ngrohja. Uji i pijshëm sigurohej nga familjarët. Mungojnë sapuni dhe letra higjienike. Shërbimi mjekësor është i pjesshëm përballë kërkesave të shumta”, deklaroi kreu i Avokatit të Popullit.

Ai bëri të ditur gjithashtu se gjatë inspektimeve janë konstatuar persona me shenja të dukshme dhune. Për 26 persona të mbajtur në Bllokun e Sigurisë, pretendimet dhe shenjat e konstatuara janë pasqyruar në procesverbalet përkatëse. Një tjetër problem i identifikuar ka të bëjë me mangësitë në regjistrimin e informacionit në librat e evidentimit të personave të shoqëruar. Në këtë kuadër, Avokati i Popullit i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme ndërhyrje të menjëhershme për përmirësimin e kushteve në Bllokun e Sigurisë, duke garantuar furnizimin me ujë dhe ushqim, shtretër, ngrohje, kushte higjienike dhe praninë e mjekut në çdo kohë.

Në fokus të monitorimit edhe të miturit

Shabani u ndal edhe te trajtimi i të miturve të shoqëruar apo të ndaluar gjatë protestave, duke theksuar se mbrojtja e tyre përbën një përparësi për institucionin. Sipas tij, komisionerët kanë administruar deklarimet e të miturve të dhëna në praninë e një psikologeje klinike në Spitalin e Traumës. Paralelisht, po verifikohen pretendimet për rreth 12 të mitur që dyshohet se janë mbajtur të izoluar në ambientet e një ministrie. “Po verifikojmë dëshmi për rreth 12 të mitur që janë mbajtur të izoluar në ambientet e një ministrie. Ky rast po verifikohet, dhe do t’ju raportojmë gjetjet e hetimit tonë”, deklaroi Shabani.

Gjatë monitorimit janë evidentuar gjithashtu raste të të miturve të ndaluar, të cilët dyshohet se janë marrë në pyetje pa praninë e prindit ose kujdestarit dhe të psikologut. “Kemi evidentuar të mitur të ndaluar që janë marrë në pyetje pa praninë e prindit ose kujdestarit dhe të psikologut. Kjo nuk përputhet me kërkesat e ligjit dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve”, u shpreh ai.

Për këtë arsye, Avokati i Popullit i ka kërkuar Policisë së Shtetit që të garantojë ndarjen e të miturve nga të rriturit në çdo rast dhe gjatë gjithë kohës. Në përfundim, Shabani u bëri thirrje të gjithë personave që pretendojnë se kanë pësuar dhunë apo dëme gjatë protestave, përfshirë qytetarët, protestuesit, pronarët e bizneseve dhe punonjësit e policisë, që t’i drejtohen institucionit. “Në mbyllje, dua ta përsëris edhe një herë thirrjen: çdo person që ka pësuar dhunë ose dëm, qytetar, protestues, pronar biznesi apo punonjës policie, mund t’i drejtohet Avokatit të Popullit. MKPT do të vazhdojë monitorimin në terren”, përfundoi Shabani.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A jeni dakort me djegiet e bizneseve që po bëjnë protestuesit?