Azilkërkuesit nga Ballkani të padëshirueshëm
Bavaria do t’i veçojë azilkërkuesit me shanse të pakta për pranim dhe do t’i kthejë shpejt të refuzuarit. Kritikët e shohin këtë si cënim të ligjit të azilit
Për kryeministrin e Bavarisë Horst Seehofer, nga Unioni Kristian-Social (CSU), çështja është e qartë: Rreth 40 përqind e kërkesave për azil në Gjermani shtrohen nga njerëz nga vendet e Ballkanit. Por kuota e aprovimit të kërkesave të tyre është gati zero. Megjithatë autoritetet duhet t'i marrin në shqyrtim kërkesat dhe komunat duhet t‘i strehojnë fillimisht azilkërkuesit. Shpesh ato ndjehen të mbingarkuara. Seehofer flet për "shpërdorim masiv të azilit".
Si rezultat Bavaria dëshiron të bëjë ndarjen e azilkërkuesve. Ato me pak mundësi për pranim duhet të dërgohen në dy kampe të ndërtuara enkas për to pranë kufirit. Këtu bëjnë pjesë kryesisht njerëz nga vendet e Ballkanit. Serbia, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina konsiderohen madje edhe zyrtarisht "vendeve të sigurta të origjinës", ku sipas përkufiizmit të qeverisë gjermane nuk ekziston rreziku i përndjekjes politike, prandaj qytetarët e këtyre vendeve nuk kanë të drejtë për azil. Bavaria do t'i kishte klasifikuar me gjithë qejf edhe Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën si "të sigurta" dhe do të shqyrtojë edhe nëse mund të shtohet edhe ndonjë vend tjetër,”sidomos shtete afrikane". Në kampet e planifikuara të pritjes kërkesat për azil duhet të shqyrtohen brenda dy javësh. Ai, kërkesa e të cilit është refuzuar, dhe kjo ndodh në shumicën e rasteve, duhet të kthehet shpejt.
Seehofer thotë se e sheh veten të detyruar në njërën anë përballë komunave të mbingarkuara, por edhe përballë popullsisë, që shqetësohet gjithnjë e më shumë nga rritja e numrit të azilkërkuesve. Ai pohon se me ndarjen e azilkërkuesve synon të hapë vend për refugjatët, që kanë me të vërtetë nevojë për mbrojtje, si ato që vijnë nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme.
Edhe Zyra e Migracionit e ashpërson qëndrimin
Në mënyrë të ngjashme argumenton tani edhe Enti Federal për Migracion dhe Refugjatë (BAMF), që ka qëndruar i tërhequr për një kohë të gjatë. Presidenti i tij Manfred Schmidt tha tani në gazetën "Donaukurier": "Numri i madh i refugjatëve pa perspektivë nga këto vende na bllokon forcat, që na duhen për t'u kujdesur për njerëz nga zonat e krizave."
Duke filluar nga muaji i ardhshëm ky ent, sipas Schmidt, "do të mund të pajisë me ndalim rihyrjeje në zonën e Shengenit dhe me ndalim të qëndrimit në Gjermani azilkërkuesit me kërkesa të pabaza për azil”. Schmidt bëri një llogaritje të thjeshtë për të treguar atraktivitetin e Gjermanisë si destinacion: Në Serbi paga mujore është 150 euro në muaj. Gati po kaq, 143 euro në muaj, marrin azilkërkuesit në Gjermani si para xhepi. "Nëse sjellin pastaj edhe familjen, kanë pagesat e transferimit, që nuk do të mund t'i arrinin kurrë në vendin e origjinës." Por varfëria nuk është në Gjermani arsye për azil, tha Schmidt.
"Seehofer nxit një klimë konfrontuese ndaj refugjatëve“
Komunat duket se janë të kënaqura me propozimin e Seehoferit. Gerd Landsberg, drejtor i shoqatës së qyteteve dhe komunave gjermane tha në një intervistë për radion WDR, se në këtë rrugë mund të lehtësoheshin komunat. Këtë vit në Gjermani kanë ardhur më shumë njerëz nga Ballkani se sa nga Siria, vend në luftë civile.
Por politika dhe kisha dhe sidomos organizatat humanitare e kritikojnë qeverinë e landit të Bavarisë. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Socialdemokrate (SPD), Yasmin Fahimi, e quajti qëndrimin Seehoferit "një lojë shumë të mjerueshme". Kryeministri do të tregojë se refugjatët në Bavari nuk janë të mirëpritur, tha Fahimi në kanalin n-tv. Kryetari i FDP Lindner e bëri Seehoferin bashkëpërgjegjës për frymën ksenofobe: "Me politikën e tij Seehofer nxit një klimë kundër refugjatëve në shoqëri", i tha Lindner agjencisë gjermane të shtypit. Peshkopi katolik i Hildesheimit Norbert Trelle paralajmëroi në agjencinë katolike të lajmeve nga një "dramatizim retorik". Trelleborg rikujtoi gjithashtu se azili është "një e drejtë individuale e njeriut".
"Kategorizimi i njerëzve sipas origjinës“
Kështu është edhe arsyetimi kryesor i Marei Pelzer, referente e politikave ligjore të organizatës Pro Asyl, kundër përcaktimit të "vendeve të sigurta të origjinës". Në një intervistë për DW ajo tha: "Nëse njerëzit përndiqen si persona apo jo, duhet të rezultojë nga procedura e azilit dhe jo nga një vlerësim i përgjithshëm para se njerëzit të mund të paraqesin arsyet e tyre për azil."
Hendrik Cremer, punonjës shkencor në Institutin Gjerman për të Drejtat e Njeriut, e kundërshtoi këtë propozim në bisedë për DW, sepse është në papajtueshmëri me të drejtën e azilit, "nëse njerëzit kategorizohen dhe ndahen në bazë të origjinës."
Pelzer dhe Cremer nuk janë në fakt kundër përshpejtimit të procedurave të azilit, por ndarjen e planifikuar nga Bavaria të azilkërkuesve e konsiderojnë shumë problematike dhe refuzojnë përcaktimin e “vendeve të sigurta të origjinës”.
Por edhe në qoftë se Seehofer ka bërë një formulim shumë të mprehtë dhe do të marrë masa jashtëzakonisht drastike – me idetë e tij bavarezi nuk është tërësisht i izoluar. Fundja koncepti i tij përshtatet me deklaratat e fundit si të ministrit të Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere ,ashtu edhe të kancelares Merkel, të cilët e shohin si problem numrin e madh të azilkërkuesve nga Ballkani./DW