Balla ironizon Berishën: Ndryshove qëndrim nga presioni i protestuesve, Narta është shqiptare
Kryetari i grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla ka ironizuar ndryshimin e qëndrimit të Sali Berishës, lidhur me investimin në Zvërnec dhe protestat qytetare. Gjatë fjalës në Parlament, Balla tha se Berisha (i cili deri dje thoshte se protestën e organizon kryeministri Edi Rama, që të largojë investitorët) është trembur nga protestuesit që shkuan dje para selisë së PD-së. Balla dënoi grumbullimin e protestuesve para selive të PS dhe PD, pasi sipas tij, kjo mund të çojë në përplasje mes qytetarëve.
“Fati i keq i juaji është që zotëria i ka përzënë të gjithë dhe s’mund të ftojë asnjë prej themeluesve. I ka ngelur vetëm Tritani i shkretë që e mban si relike. Çfarë piruete ishte kjo fjalë tani. E paimagjinueshme sesi mund ta dredhë burri në një moshë kaq të përparuar, brenda 72 orëve.
Të mbaj njeriu këtë ndryshim qëndrimi. Erdhi këtu dhe tha që mbështes protestën, ndërkohë që vet doli dhe tha se protestën e organizon Rama sepse do të përzërë investitorët. Tani ose jeni trembur, se ju erdhën protestuesit te dera e partisë, që unë e dënoj. Kush është pas atyre që sjellin protestues në selitë e partive, nuk ja do të mirën partive. Kushdo që çoi protestues mbrëmë te selia e PD dhe parmbrëmë te selia e PS, është gabim. Sepse atje mund të ndodhen militantë të partisë tjetër dhe çon në vëlla-përplasje.
Në rastin në fjalë, investitorët nga Katari kanë paguar 225 milionë dollarë dhe kanë blerë tokën. Shteti është garant me ligjin e investimeve strategjike. Unë nuk di që Katari dhe Izraeli janë vende të njëjta. Një mikut tim në Rumani i kishin nxjerrë një foto nga Lungomare plotë me njerëz, sikur protesta bëhej atje. Në kulm të sezonit, bëhen këto gjëra që të krijohet përshtypja sikur në vendin tonë nuk bëhet turizëm. Nuk pranoj dot që të më thonë që Narta është tokë e një komuniteti pakice kombëtare. Narta është tokë shqiptare autoktone. Aty ka pasur një popullatë që fliste një dialekt të gjuhës greke, që quhej Nartçe”, tha mes të tjerash Balla.
KOHA JONË SONDAZH

