
Një moment tensioni është regjistruar gjatë protestës së sotme përpara Kryeministrisë.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga një përplasje mes protestuesve dhe një qytetari që ndodhej i shtrirë pranë godinës së Kryeministrisë.
Sipas Ballës, qytetari është sulmuar pasi ka bërë thirrje për dialog. “Protestuesit e dhunshëm sulmojnë një qytetar që guxoi të shqiptonte fjalën: dialog”, shkroi ai.
Qytetari kishte qëndruar prej mëngjesit përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dialog mes palëve. Kur protestuesit mbërritën në zonë, situata u tensionua dhe ai u përfshi në një përplasje me disa prej tyre.
Më pas, qytetari u largua dhe u vendos në shkallët e Kryeministrisë, ku qëndroi i shtrirë për disa minuta. Në vijim, në vendngjarje mbërriti ambulanca, e cila e mori për t’i dhënë ndihmën e nevojshme mjekësore.
