Ballkani  atdheui dytë i Erdoganit?!

Nga Marjana Doda

Interesi i Turqisë  për Ballkanin është vënë re jo më vetëm nëpërmjet  politikave ekonomike të saj por dhe të  deklaratave euforike të vetë Presidentit turk gjatë vizitave të tij në kohë të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, si në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Vizita më e fundit në Serbi  i kaloi pritshmëritë  nga të dyja palët, kjo e shfaqur dhe nga  mikpritja e ministrit Jashtëm Ivica Daçiç duke i kënduar  këngën e famshme të “Osman Agës”. Kjo e ngazëlleu aq shumë Presidentin Erdogan, sa përveçse thasëve me para që dërgojë në Beograd me nënshkrimin e 12 marrëveshjeve , arriti të”hapë” zemrën duke deklaruar se :” Sanxhaku është vendlindja ime”. Ndërsa rikujtojmë se deklarata të tilla për origjinën e lidhje gjaku të turqëve në Ballkan janë bërë prej tij  pothuajse në të gjitha  vizitat e tij në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe pse duket se qëndrimet e tij  po ndryshojnë çdo ditë e më shumë.

Mediat serbe kanë vazhduar të potencojnë deklaratat e tij  gjatë vizitës treditor në Serbi, ku bashkë me Presidentin Vuçiq  kanë vizituar kryeqendrën e Sanxhakut, Novi Pazar, ku Erdogani bëri të njëjtat deklarata që ka bërë dikur dhe në Prizren, gjë që u komentua nga një pjesë e opinionit publik shqiptar. I kapur përdore nga Vuçiq ka takuar krerët e bashkive të Novi Pazar, të Rashkës, Kraljevës, Sjenicës, Tutinit,  Prijepolkes, Varoshit, e Probojit, ndërsa bëri dhe deklaratën e bujshme se:”Sanxhaku është vendlindja ime”.

Nën këtë entuziazëm që përfshiu presidentët, edhe Aleksandër Vuçiq  bëri një deklaratë të pazakontë që pati efekt në turmën e që i priti ata në këtë vizitë të bujshme, i cili tha: “E di që nuk kam as gjysmën e popullaritetit të Presidentit të Turqisë, por kam mjaft kurajo për të deklaruar se jam i angazhuar të punoj për të mirën e komunitetit tuaj…Ne duam të lidhim më shumë rajonin me Beogradin, Sarajevën, dhe Podgoricën”.

Por në këtë takim, as Erdogan e as Vuçiq nuk e përmendën në asnjë fjalë Kosovën. Vuçiq ka përmendur vetem betejën e  Kosovës, më 1389, ku Turqia sipas tij fitoi kundra princave të krishterë. ” Ne nuk jemi në vitin 1389, kohë kur raportet  mes serbëve e turqëve ishin të nxehta dhe kishte konflikt të dhunshëm. Tashmë jemi në vitin 2017  dhe duhet të dialogojmë jo si kombe armiq, por miq, madje shumë miq. Investimet turke në Beograd dhe në mbarë Serbinë janë shumë të mira dhe ndaj kemi hapur dhe portën për Ankaranë politike dhe atë ekonomike”- tha Vuçiq.

Ndonëse në tetor 2013 Erdogan  në vizitën e tij si kryeministër në Kosovë, ku bashkë me kryeministrat Thaçi e Rama do të përbetohej e  deklaronte për fe e atdhe, vështirë të besosh në emocionet dhe dashurinë e tij. Në përurimin e hapjes terminalit aeroportit “Adem Jashari” të Prishtinës Thaçi falenderojë se Erdogan ishte i pari që njohu Kosovën e re demokratike dhe evropiane, ndërsa Erdogan  do deklaronte se Kosova ishte atdheu i tij i dytë:” Sot të gjithë që janë sot këtu, e ndjejmë veten si në shtëpinë tonë. Gjuha, kultura, dialektet, përkatësitë tona fetare, mund të jenë të ndryshme por ne i përkasim të njëjtës tokë …Mos harroni se Kosova është Turqi, dhe Turqia është Kosovë.Të gjithë së bashku do hedhim hapa në rajon drejt së ardhmes”- deklaroi Erdogan.

Dhe në vizitën e tij në Tetovë në Nëntor 2011, para një mase të madhe njerëzish me rastin e pritjes tij do ju deklaronte se: “Ne nuk mund t’ju harrojmë ju se ju jeni nipërit dhe vëllezërit tanë. Gëzimi juaj është gëzimi jonë dhe shqetësimi juaj është shqetësimi ynë. Kam një lutje deri tek  ju që të jeni të bashkuar dhe nuk është mirë të keni ndasi. Në xhami nuk ka ndasi, ajo është e të gjithëve…të gjithë njerëzit janë krijuar nga një Zot”.

Pas Tetovës Erdogani ka qëndruar në Komunën e Vrapçishtit të dominuar nga Turqit si dhe në Gostivar, ju mbajti një fjalim.” Në vitin 2002 fituam pushtetin dhe në vitin 2023 kur të shënohet 100 vjet nga formimi Republikës Turqisë , ne do të jemi në dhjetëshen e parë të vendeve më  të zhvilluara në botë. Ne juve asnjëherë nuk ju harrojmë për shkak se mes jush  ka nipër të osmanllinjve.  Ne kemi vëllezër tanë dhe në Bosnjë, dhe në Prishtinë,  dhe në Prizren, dhe në Shkup, Manastir, Ohër, Dibër e Tetovë”- do deklaronte atëherë k.min turk.

Erdogan nuk do të harronte të përmendet respektin për shqiptarët dhe në takimin me homologun shqiptar, presidentin Bujar Nishani në dhjetor 2016 duke e cilësuar Shqipërinë si vendin kyç për stabilitetin në Ballkan.” Në vendin ku kam lindur unë, komshinjtë e parë i kam patur shqiptar. Ishte një familje e mrekullueshme dhe i falenderoj për kujdesin që kishin ndaj meje si fëmijë”- do të shprehej ai.

Për rrënjët historike mes Turqisë dhe shqiptarëve më herët është shprehur dhe kryeministri turk Davutoglu se në lidhje me marrëdhëniet mes dy vendeve njerzit mendojnë se ka dy palë, por sipas tij:” Nuk është ashtu. Shqiptarët dhe Turqit janë një . Nuk mund të ketë dy palë mes vëllezërve. Shqiptarët nuk janë vetëm dhe se gjithmonë duhet t’a dinë se ka 80 milionë shqiptarë që jetojnë në Turqi.Shqiptarët jetojnë në gjashtë shtete, kjo nuk është plotësisht e saktë.Llogariteni sikur në Turqi jetojnë 80 milion shqiptarë”- do deklaronte Davutoglu.

Por vetëm kaq, sa për demagogji. Vizita në Serbi ishte “kalaja” më e fundit që Erdogan në Ballkan dhe turqit po ndihen krenarë për “pushtimin” sërish të Ballkanit, por tashmë jo më si dikur, me ushtarë e shpata, por me para e aheng, me nënshkrimin e 12 marrëveshjeve dhe të një dyzine investitorësh, pse jo, dhe me religjion. Lotët që Erdoganit i rrodhën nga dhimbja dhe dashuria për shqiptarët në Shqipëri u harruan, ashtu si përjetimet në Kosovë e Maqedoni. Kënga e Osman Agës që oshëtiu në Serbi ja preku zemrën më shumë, dhe gjithçka jo më  nga origjina e femijëria e tij, por për të qenë, pse jo, dhe Sulltan i Ballkanit. Një sërë interesash dhe për të qenë i tillë bëjnë që ai të shkojë atje ku i del më mirë për të ruajtur sulltanatin e tij. Mos vallë Erdogan po braktis shqiptarët?

Dikur, në vitin 1822 Porta e Lartë kur pa që ndër shqiptarët po ndodhte zgjimi kombëtar dhe pashallëqet po tentonin t’u bashkonin, ndoqi politikën përça e sundo, duke pritur me lule Vezirin Bushatlli të Shkodrës sepse ju përul urdhërave të Sulltanit, si dhe duke ja prerë kokën Pashait të Janinës, Ali Pashë Tepelenës pse nuk e përfilli atë.  Dhe sot, çdo gjë mund të pritet në pabesinë e Erdoganit.Ai që njohu ndër të parët Kosovën, nuk guxoi të thotë një fjalë për të.Dhe përlotjet në Shqipëri dhe premtime pafund për investime, tashmë duken sikur janë harruar.Tashmë “koka” e Fetullah Gylen është sindroma që i shfaqet për të luftuar egërsisht këdo.Kush përkrah e nuk lufton cdo ndikim të Gylen është armik i Erdogan.Dhe në grushtin e shtetit në Turqi u godit elita politike e ushtarake e shqiptarëve, ndaj vizita më së fundmi e tij në Serbi nuk ishte thjesht ekonomi.

“Marrëdhëniet e Turqisë me Kosovën dhe Shqipërinë nuk janë ato që ishin disa vjet më parë. Kjo situatë ndryshojë në mënyrë dramatike nga përpjekja e grushtit të shtetit”- do deklaronte ministri serb i Tregtisë Rasim Lajiq për Radio Vojvodinë.

Veç kësaj, zemërimi me BE për shkak të ngrirjes negociatave për anëtarësim, dhe sëfundmi, referendumi për pavarësi  të kurdëve të Irakut ka bërë ndoshta që Erdogan të mendojë se, ashtu siç nuk dëshiron të njohë shtetin Kurd,  po hesht tashmë për Kosovën në veçanti, por dhe për shqiptarët në përgjithësi.

Gjithsesi, ndoshta nesër do kthehet sërish në Tiranë e Prishtinë dhe do ngazëllehet nga vëllezërit shqiptar, me deklarata se jemi vëllezër e stërnipër, por ky afrim i Turqisë me Serbinë nga analistë po komentohet si kërcënim për interesat shqiptare në Rajon. Vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen si koridori i pasëm i BE në Ballkan, dhe Erdogan po kërkon të investojë sa më shumë në këtë rajon, në pamundësi për t’u bërë pjesë e saj, por vizita e tij më e fundit do të mund të largojë disi Serbinë nga procesi i integrimit, që përpos ineteresave të saj ekonomike po ndjek një politikë të hapur pragmatiste me këdo fuqi qoftë, porse përvecse Serbisë nuk po duket qartë nëse do investojë e bashkëpunojë me shqiptarët kudo që ndodhen.

Nisur nga influencat e kontradiktat më të fundit gjeopolitike në Evropë dhe rajonin e Lindjes Mesme, vizita e Erdoganit në Serbi dhe marrëdhëniet gjithnjë e më të mira të tij me Rusinë, tek e cila bleu dhe sistemin raketor, duket sikur po krijojnë një pol të ri si sfidë ndaj Perëndimit. Por ndoshta ky fakt eshte me efikas duke nisur nga fakti se megjithese shqiptarët janë populli më perëndimor se asnjë popull tjetër në Evropë, ata mbeten ende larg dyerve të BE-së. Shqiptarët rendën shumë pas nismës së Tregut Përbashkët Rajonal me inicim të Serbisë e mbështetje të BE, por në samite organizuar enkas për këtë këtë nismë, ende asnjë financim nuk duket në horizont, nga ana tjeter ndërsa  priteshin premtimet e Erdoganit për rrugë e aeroporte në Shqipëri, ai rend me investitorë e bën aleanca në Serbi.

Atëherë, cili do jetë roli i Erdoganit në Ballkanin Perëndimor? Ende nuk kuptohet qartë nëse për hirë të sulltanatit të tij dhe të “kokës ” Fetullah Gylenit do vazhdojë të “pushtojë”, apo përcajë rajonin ? Ështëduke e forcuar apo dobësuar faktorin e rëndësishëm shqiptar që po endet në udhëkryqin e Lindjes dhe Perendimit (SHBA-BE),që në të vertete këta të fundit po  lodhin shqiptarët . Ajo që duket qartë ,është se tashmë nuk është  me “influenca”  ruse, kërcënim për Ballkanin ,por  interesat dhe  influencatturko-serbe janë kërcënimi me real dhe me i afërt në horizont.

 

SHKARKO APP