BB: Po bie konsumi, emigrantët nuk dërgojnë më para’

Konsumi në Shqipëri gjatë vitit 2015 dhe në vazhdim pritet të ketë ulje, sipas Bankës Botërore në Shqipëri. Për këtë ndikojnë dy faktorë në parashikim, remitancat dhe besimi konsumator që nuk po kthehet në nivelet mesatare afatgjatë.

“Konsumi pritet të jetë në ulje gjatë vitit 2015 dhe në vazhdim. Një faktor që pritet të zhduket me kalimin e kohës, me përmirësimin e situatës ekonomike në vendet nga të cilat vijnë remitancat në Shqipëri. E dyta është besimi konsumator që duket se nuk po kthehet në nivelet mesatare afatgjatë. Kjo mund të lidhet me shumë arsye dhe situatën ende problematike të tregut të punës. Pavarësisht përmirësimeve të fundit, papunësia është e lartë, pjesëmarrja në forcën e punës është tepër e ulët dhe nga ana tjetër mund të ndikojnë përpjeket për formalizimin e ekonomisë. Ndoshta për një kohë të shkurtër mund të jetë ndonjë goditje në konsum”, tha përfaqësuesja e BB-së, Hilda Shijaku.

Ndërsa përfaqësuesja e Bankës Botërore në Tiranë, Tahseen Sayed tha se çdo qeveri duhet të parashikojë një asistencë sociale për shtresat në nevojë, referuar këtu reformës në energji, informalitetit etj.

“Qeveria, sa i përket pjesës së varfër të shoqërisë duhet t’i japë një mbështetje. Roli i asistencës sociale është mjaft i rëndësishëm, lidhet dhe me impaktin që krijon kjo reformë. Çdo qeveri duhet ta bëjë këtë, që të mundësojë asistencë sociale”, është shprehur Sayed.

Banka Botërore prezantoi raportin ekonomik për Europën Juglindore. Sipas këtij raporti, në Shqipëri ka një inflacion të ngadaltë, që është shkaktuar nga dobësia e kërkesës së brendshme dhe rritja e çmimeve.

Shqipëria ka nivelin më të lartë të kredive të këqija në rajon, në nivelin 21% thuhet në raport. “Problemi i kredive të këqija kërkon marrjen e masave të menjëhershme për lirimin e kësaj barre nga bilancet e bankave që kanë të bëjnë me ekzekutimin e kolateraleve apo me procedurat e përmirësuara për mbledhjen e kredive”, tha Shijaku. 

Banka Botërore mbështet gjithashtu edhe operacionin e fundit të qeverisë kundër informalitetit, duke e konsideruar të rëndësishëm për reduktimin e evazionit fiskal.

SHKARKO APP