BE dhe perspektiva e Ballkanit
BE dhe perspektiva e Ballkanit
Nga Sadedin Çeliku
U bë mbi 17 vjet që nga kanceleritë e Brukselit u përvijua termi Ballkan Perendimor që si duket e ndan Ballkanin në Lindor e Perendimor, në të mirë e në të liq, në të kamur e në të varfër, në vende demokratike dhe ato që synojnë të bëhen demokratike. Shkurt, me sa duket Bashkimi Europian dhe sidomos Gjermania e Franca nuk dëshirojnë zgjerimin e organizatës tani shpejt dhe për ti mbajtur me shpresë këto vende përdor retorikat se Bashkimi Eurpian në projektin e saj ka gjithëpërfshirjen e këtyre vendeve në familjen europiane.
Vonesat disadekadëshe në zgjerimin e organizatës, kushtet e kriteret shpesh të tepërta e selektive e kanë agravuar situatën e kontinentit tonë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bashkoi shtetet pa kritere qysh në vitin 1776 e më tej miratoi kushtetutën më 1787 dhe siç e shikojmë funksionon për mrekulli.
Duke patur parasysh se Ballkani është një gadishull ku bashkëjetojnë 20 popuj, ku secili ka gjuhën dhe kulturën e tij, por dhe një histori të vjetër e të re ku nuk mungojnë nacionalizmat të cilat na e lanë peshqesh gjeostrategjia, gjeopolitika dhe interesat e fuqive të mëdha, duke konsideruar se Ballkani ka prodhuar gjithnjë konflikte dhe vatra sherri, duhet hequr dorë nga kërkesat e luksit dhe vendet e Ballkanit të futen në bllok në Bashkimin Europian.
Ngjarjet e ditëve të fundit të dyndjeve të emigrantëve drejt Gjermanisë nuk duhet parë e shkëputur nga qëndrimi i unionit, që lidhet me zgjerimin madje është pasojë direkte e qëndrimit gabuar dhe selektiv të unionit ndaj Ballkanit. Kjo situatë sigurisht është shqetësuese, por më tepër duhet të shqetësojë Gjermaninë dhe Francën sesa vendet e tjera të BE-së.
Futja në gjirin e Bashkimit Europian të vendeve të Ballkanit, sidomos të Shqipërisë me popullsi në katër shtete dhe Serbisë, do të ishte një faktor i rëndësishëm i stabilitetit jo vetëm politik, por dhe më gjërë. Anëtarësimi pa procedurë (siç u futën me shpejtësi Letonia, Lituania dhe Estonia) nuk do të kishte krijuar këtë situatë me emigrantët.
Qëndrimi me dy standarde i krerëve të Bashkimit Europian, ndarja preferenciale midis shteteve, dallimi për të gjitha çështjet e tjera nuk e nderon as vetë këtë organizatë, e cila nga viti në vit performance e saj ka rezultuar me ulje. Qëndrimi Britanik ndaj Bashkimit Europian, ndaj monedhës dhe Shengenit, kushtetutës së unionit etj duhet ta shqetësojë organizatën.
Dalja në skenë e ISIS-it, fitorja e Syrizisë do të prodhojë organizata të tjera që do ta mbajnë gjallë konfliktet dhe luftërat, ndaj vetëm bashkimi do te parandaloje çdo të keqe që eventualisht mund ti vijë Eurpës. Sidoqoftë, asnjëherë nuk është vonë, por është koha e reflektimit dhe në se nuk do të ketë politika shprese të reja në funksion të situatës politike, ekonomike, sociale, e më gjerë, atëherë mund të ketë dhe ngjarje të paparashikueshme. Duke patur parasysh krizat ekonomike në Portugali, Greqi, Spanjë, Itali si dhe konfliktet e stërzgjatura në Lindjen e Mesme dhe në vendet e Afrikës Veriore, konflikte e kriza të cilat Bashkimi Europian nuk po i menaxhon dot, është me vend të themi se Unioni Europian duhet të ndryshojë politikat, të ndryshojë qëndrimet dhe të mos i shohë problematikat bardhë e zi, në të kundërt do të vihet në rrezik vetë ekzistenca e kësaj organizate dhe deri atëherë do jetë mjaft vonë.