
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Evropian mund të zhbllokojë 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme, në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Gjatë samitit mes liderëve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, Von der Leyen vlerësoi përparimin e vendeve të rajonit në zbatimin e reformave, duke theksuar se integrimi evropian duhet të shoqërohet me përfitime konkrete për qytetarët.
“Një vit më parë, vendet partnere kishin përmbushur 38% të hapave të reformave të parashikuara. Sot, kjo shifër ka arritur në 63%. Bëhet fjalë për reforma që sjellin ndryshime konkrete. Ato mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në javët e ardhshme”, deklaroi Von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian vlerësoi në veçanti ecurinë e Shqipërisë në procesin e negociatave, duke nënvizuar se vendi po përparon me ritme mbresëlënëse drejt anëtarësimit në BE. Ajo theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një domosdoshmëri strategjike, ndërsa integrimi gradual i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tregun e Vetëm Evropian synon të sjellë përfitime ekonomike edhe përpara anëtarësimit të plotë.
Von der Leyen u ndal gjithashtu te negociatat për eliminimin e tarifave shtesë të roaming-ut me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, si dhe te lehtësimi i transfertave bankare përmes Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA). Në përfundim, ajo nënvizoi se Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një mundësi historike për ta shndërruar përparimin aktual në rezultate të qëndrueshme drejt anëtarësimit.
