Berisha: Kush e kundërshton Ballukun, përfundon si Veliaj!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila aktualisht është nën akuzë nga SPAK në një çështje që po hetohet nga Gjykata e Posaçme.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se, sipas tij, Balluku po ushtron “presion dhe terror politik” ndaj eksponentëve të tjerë të Partisë Socialiste, duke përdorur “dosje komprometuese” për të imponuar heshtje.
Berisha deklaroi: “Vazhdon terrori i Lubi Ballukut ndaj eksponentëve të partisë së krimit. E armatosur deri në dhëmbë me dosjet e krijuara nga regjistrimet e paligjshme që Oltjon Bistri ka kryer me porosi të saj dhe të Edi Ramës, të ambasadave, institucioneve dhe ministrave të qeverisë socialiste, Balluku u ka imponuar atyre Omerta-n, kodin mafioz të heshtjes.”
Ai tha se, sipas tij, Balluku nuk përdor kërcënime fizike, por “kërcënimin me ekspozimin publik të dosjeve”, të cilat mund të “prishin karrierën e çdo zyrtari që kundërshton”.
“Ajo nuk i kërcënon me plumbin pas ballit, por me dosjen para shqiptarëve. Me to ajo është e aftë të presë çdo karrierë, ndaj ata mbajnë një heshtje totale,” u shpreh Berisha.
Berisha: Kush e kundërshton, përfundon si Veliaj
Në vijim, Berisha paralajmëroi se kushdo brenda PS që “guxon të veprojë kundër saj”, mund të përballet me të njëjtin fat që sipas tij pati kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili është aktualisht i pandehur në një çështje të SPAK-ut.
“Ajo kërcënon me ndërprerje karriere secilin prej atyre që do guxojë të punojë kundër saj dhe u rezervon fatin e Erion Veliajt,” përfundoi Berisha.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Belinda Balluku nuk ka reaguar ndaj akuzave të Berishës.
KOHA JONË SONDAZH

