Berisha niset drejt SHBA-së: Ky është një moment vendimtar për Shqipërinë!
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është nisur drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një vizitë që vjen pas heqjes së masës “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në një deklaratë për mediat në aeroport, Berisha e cilësoi këtë udhëtim si një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, duke shprehur bindjen se SHBA-ja do të vijojë të mbështesë shqiptarët.
“Prania juaj këtu dëshmon se ju e parandjeni që ky për Shqipërinë është udhëtimi i viteve”, deklaroi Berisha.
Ai tha se udhëton drejt Amerikës me të njëjtën bindje që kishte në mars të vitit 1991, kur Shqipëria po përjetonte ndryshimet e para të mëdha pas rënies së regjimit komunist.
“Kam shumë kënaqësi që sot nisem për në Shtetet e Bashkuara, po me atë bindje si në mars të vitit 1991. Se vendi i madh i lirisë do të mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët në përpjekjen e tyre për t’u çliruar nga diktatura autoritare”, u shpreh kreu i PD-së.
I pyetur nëse vizita përfaqëson një fitore personale apo përcjell një mesazh për Partinë Demokratike, Berisha e mohoi një lidhje të tillë, duke theksuar se “nuk ka asgjë personale”. Ai shtoi se gjatë qëndrimit në SHBA do të takohet me miqtë e tij.
Vizita pritet të ketë edhe një moment të rëndësishëm publik. Berisha do të marrë pjesë në aktivitetin “Freedom Works”, një takim me shqiptarët e Amerikës, që do të zhvillohet të dielën, më 6 shtator, në orën 11:00, në Bergen Performing Arts Center, në Englewood, New Jersey.
KOHA JONË SONDAZH

