
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka rikonfirmuar vendosmërinë e opozitës për të vijuar protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar qëndresën qytetare si një nga shtyllat kryesore të aksionit politik të demokratëve. Gjatë një takimi me grupet e punës së qarkut Tiranë, Berisha u ndal te organizimi i protestave, angazhimi i të rinjve dhe nevoja për ta kthyer energjinë e tyre në një lëvizje të qëndrueshme politike.
“Shpërthimi rinor të mos shkojë dëm. Ne nuk heqim dorë nga protesta, pasi protesta është pjesë e jona”, tha Berisha, duke u bërë thirrje strukturave të partisë të mbajnë gjallë mobilizimin dhe të intensifikojnë angazhimin në terren.
Përtej protestave, Berisha kërkoi që Partia Demokratike të përqendrohet edhe te zgjedhjet e ardhshme lokale. Ai vuri në dukje rëndësinë e organizimit të strukturave në çdo nivel, forcimit të bazës elektorale dhe rritjes së pranisë së partisë në të gjithë territorin.
Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimeve ishte bashkëpunimi me forcat e tjera politike dhe shoqërore që kundërshtojnë qeverisjen aktuale. Sipas Berishës, opozita duhet të kapërcejë ndarjet dhe të ndërtojë një front të përbashkët.
“Shpresojmë të ngremë një front të përbashkët në interes të vendit”, u shpreh ai. Takimi në selinë blu vjen në një moment kur Partia Demokratike synon të ndërthurë protestat me përgatitjet elektorale, duke kërkuar njëkohësisht zgjerimin e mbështetjes qytetare dhe konsolidimin e strukturave për betejën e ardhshme politike.
