
Buxheti prej rreth 126 milionë lekësh duket i pamjaftueshëm për Autoritetin e Konkurrencës. Kreu i këtij institucioni, Denar Biba, ka kërkuar shtim të fondeve, plotësim të stafit me pesë punonjës të tjerë, si dhe zgjidhjen e problematikës së ambienteve të punës. Gjatë diskutimeve në Komisionin e Nismave, Biba bëri të ditur se institucioni aktualisht ka 53 punonjës, ndërsa struktura e miratuar parashikon 49 vende pune. Megjithatë, sipas tij, nevojat e institucionit kërkojnë zgjerimin e mëtejshëm të stafit.
“Nga struktura jonë me 49 persona, kemi rekrutuar një pjesë dhe jemi me 53 punonjës. Mbetet kërkesa jonë për 5 punonjës shtesë”, deklaroi Biba, duke bërë të ditur se në kërkesat buxhetore janë parashikuar edhe 16.1 milionë lekë shtesë për paga dhe 1.7 milionë lekë për punonjës. Një tjetër çështje që u vu në fokus të diskutimit ishte diferenca në trajtimin financiar mes drejtuesve dhe anëtarëve të Komisionit të Konkurrencës. Biba e konsideroi problematike faktin që sekretari i përgjithshëm dhe drejtorët e institucionit përfitojnë paga më të larta se kryetari dhe anëtarët e komisionit, të cilët mbajnë përgjegjësinë ligjore për vendimmarrjen.
“Sekretari i përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës e ka pagën më të lartë se unë që jam kryetar i Autoritetit të Konkurrencës. Dhe të gjithë drejtorët e Autoritetit të Konkurrencës e kanë pagën më të lartë se anëtarët e komisionit, megjithëse të vetmit firmëtarë që mbajmë përgjegjësi ligjore, jemi ne anëtarët e komisionit”, u shpreh ai. Shqetësimi mori edhe reagimin e kryetarit të komisionit, Fatmir Xhafaj, i cili e cilësoi të papranueshme këtë skemë pagash dhe kërkoi rishikimin e saj.
“Nuk më bën sens fare kjo çështja e pagave, është e papranueshme, ose ulni pagat. Ka një hierarki pagash, duhet të rregullohen”, deklaroi Xhafaj. Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Vilma Çausholli, sqaroi se problematika është përcjellë pranë institucionit përgjegjës, por zgjidhja e saj nuk është në kompetencën e Autoritetit të Konkurrencës. “E kemi përcjellë këtë shqetësim për pagat tek institucioni përkatës, nuk është në tagrin tonë”, tha Çausholli.
