Bibla e thotë qartë: “Merrini të gjithë refugjatët”!
Nga Giles Fraser, The Guardian
Me mijëra, thotë David Cameron tani, duke u dorëzuar përballë trysnisë. Po përse jo të gjithë? Sigurisht ka një përgjigje biblike për pyetjen se “sa mund të marrim?”. Që të gjithë. Lë t’i hapim fushat, të ndërtojmë qytete të reja, t’i kthejmë zonat e periferive tona në strehëza dhe sallat e kishave në fjetore të përkohshme dhe t’i vëmë në përdorim gjithë ato kapanone që rrinë bosh, ose përdoren vetëm për riparimin e makinave. Po, kjo mund ta sfidojë karakterin e këtij vendi. Ose ndoshta kjo nuk do të kërkojë një veprim kaq drastik, ku i dihet? Por le të bëjmë çfarëdo që të jetë e nevojshme për të hapur derën e mirëseardhjes”.
“O toka të lashta, me të kaluar të lavdishme! Mua më jepni vetëm masat e lashta, të varfra dhe të etura për liri! Ma jepni mua refuzimin e përunjur të çdo çerdheje, të dëbuarit, të mposhturit! Për ta, ndez dritën mbi derën e artë”. Po, kur Emma Lazarus i shkroi këto fjalë, që më vonë u skalitën te Statuja e Lirisë, me “pompën e madhe”, e kishte fjalën për ne, britanikët.
Për vite me radhë politikanët tanë janë mbështetur te morali i krishterë për të marrë përfitime elektorale. Ne duhet “të ndihemi krenarë që ky është një vend i krishterë”, tha Cameron përpara disa muajsh (në prag të zgjedhjeve, sigurisht), në atë që dikush mund ta shohë si një pikëpamje të pamëshirshme për ta ruajtur fshatin tonë të pastër nga myslimanët. Por nuk ka asnjë argument të krishterë në favor të Europës së fortifikuar, e rrethuar nga një perde e re e hekurt, me tela me gjemba për t’i mbajtur të varfrit dhe njerëzit me ngjyrë larg. Në të vërtetë, fusha morale së cilës i referohet kaq shpesh kryeministri ynë, është e qartë si kristali për përparësinë absolute të detyrimit që kemi ndaj refugjatëve. Imagjinata morale e skripturave hebraike u përcaktua nga një popull refugjat i përvuajtur, që i largohej shtypjes politike në Afrikën e Veriut, që po kërkonin një jetë të re për të shpëtuar nga dhuna dhe varfëria. Historia po ripërsëritet dhe librat e shkrimeve hebraike iu kujtojnë lexuesve të tyre që të mos harrojnë se edhe ata vetë kanë qenë dikur në këtë situatë dhe etika e tyre mund të strukturohet përreth një ndihme praktike të udhëhequr nga ndjenjat e vëllazërisë.
Pashka hebraike, fillimisht e festuar si një përgatitje e minutave të fundit përpara largimit nga Egjipti dhe Kreshma e krishterë që u krijua mbi bazat e saj, nuk është asgjë më shumë sesa një thirrje për ta ripërjetuar këtë solidaritet bazik njerëzor përbri frikës ekzistenciale dhe pasigurisë. Dhe kur autori i Ungjillit të Mateut e përshkruan Jezusin si një fëmijë refugjat, që largohej nga vendi i tij prej një udhëheqësi despotik që kishte ndërmend t’i merrte jetën – Herodi jo Assadi – përshkruhet qartazi miti thelbësor i Eksodit.
Nëse politikanët tanë të “krishterë” do të kishin ndonjë justifikim, ai është se edhe vetë kisha ka mbajtur shpesh një qëndrim trishtues në përgjigje të situatës aktuale. Dhe çmimi për deklaratën më fyese për këtë çështje e merr Peter Erdo, arqipeshkvi i kishës katolike të Budapestit, i cili është shprehur se kishave hungareze iu ndalohet të strehojnë refugjatë. “Nëse do ta bënim një gjë të tillë, do të ktheheshim në trafikantë qeniesh njerëzore”, – ka thënë ai. Shpresoj që Ati i Shenjtë t’i thotë ndonjë fjalë.
Por nuk qe shumë më e ndryshme ajo që tha kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, i cili i konsideroi refugjatët që largohen nga Lindja e Mesme, si një kërcënim për identitetin e krishterë të Europës. E vërteta është krejt e kundërta: është ai që e kërcënon identitetin e krishterë të Europës. “Cila është rëndësia e kripës nëse e humbet kriposjen e saj?”- pyet Jezusi. Kripa e pakriposur “nuk shërben më për asgjë, përveçse të hidhet lart dhe të bjerë nën këmbë”. Dhe kjo është ajo që mund t’i ndodhë asaj që Orbani e quan krishterim.
Kudos, dhe më pas Justin Welby, duke cituar Leviticus. Ne duhet “të shembim muret, për t’i mirëpritur të huajt dhe t’i duama ata si veten”, – tha ai. Jo, ky nuk është qëndrim majtist, është besim biblik. Dhe, nëse ndokush nuk mund t’i lexojë dot specifikimet e politikës së emigracionit te një libër i lashtë, atëherë nuk mund të diskutohet më se cilat duhet të jenë parimet mbizotëruese. Dhe duke dëgjuar Donald Trump, e cili e ka përmendur disa herë dashurinë e tij për Biblën gjatë javëve të kaluara, nëse politikanët tanë nuk i pëlqejnë parimet bazë, atëherë ata së pari nuk duhet të përdorin mantelin kristian.