Bie besimi i biznesit dhe konsumatorit në ekonomi
Treguesi i ndjesisë ekonomike, një indikator që mat perceptimin e bizneseve dhe konsumatorëve për gjendjen e ekonomisë dhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen, u përkeqësua në tremujorin e tretë të vitit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me një tremujor më parë, treguesi i ndjesisë ra me 2.7 pikë si rezultat i tkurrjes së besimit në sektorët e shërbimeve dhe industrisë, por mbi të gjitha rënies së fortë në besimin konsumator.
Nga ana tjetër, besimi në sektorët e ndërtimit dhe tregtisë ka shënuar rritje, por ajo ka qenë e pamjaftueshme për të kompensuar rënien e besimit në sektorët e tjerë.
Në industri treguesi i besimit u tkurr me 2.5 pikë përqindje, pasi bizneset e kësaj fushe gjykojnë se në tremujorin e tretë si prodhimi, ashtu dhe gjendja financiare e tyre u përkeqësua. Paralelisht gjatë këtij tremujori bizneset e angazhuara në aktivitetin industrial e kanë ulur normën e shfrytëzimit të kapaciteve prodhuese me gati 2.9 përqind.
Në sektorin e shërbimeve balanca e besimit ra me 2.7 pikë përqindje, ndërsa në ndërtim dhe tregti ajo u rrit respektivisht me 3.1 dhe 5.7 përqind.
Por më shumë se biznesi, kanë qenë konsumatorët ata të cilët përcaktuan kahun negativ të ndjesisë ekonomike. Sipas Bankës së Shqipërisë në tremujorin e tretë të vitit, besimi i konsumatorëve ra me 3.9 pikë përqindje, i diktuar nga përkeqësimi i pritjeve të tyre për të ardhmen.
Ndonëse qëndron lehtë mbi mesataren e tij afatgjatë, rikthimi në trajektoren rënëse i treguesit të ndjesisë ekonomike dëshmon gjendjen e vakët të ekonomisë dhe vështirësitë e rigjallërimit të saj.
FMN dhe qeveria presin që këtë vit ekonomia të rritet me 2.7 përqind. Sipas INSTAT në gjashtë muajt e parë prodhimi kombëtar u rrit me 2.63 përqind, i udhëhequr nga investimet, ndërsa konsumi i familjarëve është tkurrur.