Biznesi “Kuq e Zi”
Sa pritet të rriten të ardhurat e FSHF pas kualifikimit të Kombëtares në Kampionatin Europian. Dyndja e sponsorve dhe detaje se nga vijnë të ardhurat dhe si shpenzohen paratë në futbollin shqiptar. Si funksionon futbolli si biznes, brenda dhe jashtë vendit…
Nga Deada Hyka, Monitor
Rreth 7.5 milionë euro janë të ardhurat e pritshme të Federatës Shqiptare të Futbollit për sezonin 2014-2016. Rreth 5 milionë euro janë të drejtat televizive, 1 milionë euro shitje e biletave (dyfishim nga sezoni i mëparshëm) dhe 1.5 milionë euro nga sponsorët, sipas burimeve zyrtare nga FSHF.
Pasi Kombëtarja Kuq e Zi (e cila merr dhe pjesën më të madhe të të ardhurave) realizoi ëndrrën për t’u bërë pjesë e Kampionatit Europian, FSHF vlerëson që të ardhurat pritet të rriten të paktën 50% në sezonin 2016-2018.
“Rritja vjen nga të gjitha drejtimet: për faktin që pasi jemi kualifikuiar do të kemi mundësinë të bëjmë miqësore më cilësore, shitja e ‘merchanidising’ vjen në rritje, (në momentin që flasim është trefishuar dhe presim të rritet)”, thotë Gazmend Malo, drejtor marketing i FSHF-së.
Ai shton se biletat janë tashmë shitur për çdo ndeshje, por “ne do të kemi një sjellje të ekulibruar edhe këtu pasi do të evitojmë në maksimum çdo situatë abuzive në çmime biletash, et. Në parim ne kujdesemi që çdo marrëdhënie midis Kombëtares, tifozëve dhe partnerëve të jetë konstante dhe afatgjatë, pra kemi ndërtuar diçka domethënëse përgjatë këtyre viteve dhe realisht kemi një situatë të kënaqshme”.
Rritjes së entuziazmit të të gjithë shqiptarëve, po i shkojnë nga pas edhe sponsorët. Në këto moment ka jashtëzakonisht shumë kërkesa nga të gjitha bizneset në Shqipëri dhe Kosovë dhe shumë biznese që operojnë në dy vende njekohësisht (Greqi, Kosovë etj).
Malo thotë se raportet me sponsorët duhen menaxhuar me shumë kujdes.
“Normalisht shifrat do të rriten, por ne do të ruajmë raportin dhe besnikërinë me kompanitë që kanë qenë sponsor dhe na kanë mbështetur gjithmonë”.
FSHF pret të paktën një rritje prej 50% nga sponsorët, ndërsa shifra e të drejtës televizive është tashmë e centralizuar dhe fikse, pavarësisht se në përqindje të vogla mund të ketë luhatje.
Pjesa më e madhe e të ardhurave shkojnë për pagat e lojtarëve dhe trajnerit, ndërsa të konsiderueshme janë dhe shpenzimet për gjurmueshmërinë e talenteve.
Federata funksionon si një OJF, me shpenzimet që janë të barabarta me të ardhurat, ndaj sa më shumë të rriten këto të fundit, aq më shumë ka mundësi FSHF të investojë më tej, për ta çuar futbollin shqiptar në një tjetër nivel. Investimet do të rriten edhe për klubet shqiptare.
BILANCI- TE ARDHURAT DHE SHPENZIMET E FSHF
TE ARDHURAT
E drejta televizive:
Sezoni 2008 – 2010 – vlerësim: jo më shumë se 2 – 2.5 mln euro
Sezoni 2010 – 2012 – 5 mln euro
Sezoni 2012 – 2014 – 2 mln euro
Sezoni 2014 – 2016 – 5 mln euro
Biletat:
Sezoni 2008 – 2010 – rreth 800 mijë euro
Sezoni 2010 – 2012 – rreth 500 mijë euro
Sezoni 2012 – 2014 – rreth 500 mijë euro
Sezoni 2014 – 2016 – rreth 1 mln euro
Sezoni 2016 – 2018 – vlerësim 1 – 1.2 mln euro
Sponsorizimet:
Sezoni 2008 – 2010 – rreth 1 mln euro
Sezoni 2010 – 2012 – rreth 1 mln euro
Sezoni 2012 – 2014 – rreth. 1.3 mln euro
Sezoni 2014 – 2016 – rreth 1.5 mln euro
Sezoni 2016 – 2018 – vlerësohet rritje 50 – 100%
SHPENZIMET
-Shpenzimet më të mëdha janë për pagat e lojtarëve dhe trajnerit dhe gjurmimin e talenteve.
-Fluturime Charter: Për çdo sezon janë rreth mbi 300 mijë euro.
-Hotel: Për çdo grumbullim jashtë Shqipërisë mbi 200 mijë euro vetëm për Ekipin A, pra kombëtarja.
-Për çdo grumbullim brenda: grumbullim dhe shpërndarje e lojtarëve – mbi 150 mijë euro në sezon.
Në vlerën 50% të këtyre shpenzimeve janë për të gjitha ekipet më poshtë për secilin:
Kombetarja U21,
Kombetarja U19
Kombetarja U17
Kombetarja Futsal
Kombetarja A Femra
Kombetarja U19 Femra
Burimi: FSHF
Futbolli si biznes
Në vite, futbolli ka evoluar nga të qenët thjesht një sport, drejt një biznesi multi miliona dollarësh. Në fillim, klubet e futbollit drejtoheshin nga presidentë lokalë, të cilët i afroheshin futbollit nëpërmjet lidhjes së tyre të biznesit. Produktet e tyre bliheshin nga “partizanët” e futbollit, ndërsa më vonë, biznesmenët nga e gjithë bota nisën të sjellin paratë e tyre për ndeshjet – jo thjesht si një pasion për futbollin, jo thjesht për fitime, por për një rritje globale në këtë sektor.
Në ditët e sotme, futbolli është shpërndarë në të gjithë botën, nga shtete të zhvilluara europiane deri në cepa të strukur të Afrikës dhe kjo e bën shpërndarjen e kompanisë të fokusuar në futboll, të njohur në të gjithë botën. Pse? Shikueshmëria dhe vazhdimësia e të ekzistuarit të shikuesve të zjarrtë.
E teksa biznesmenët, në mënyrë të pashmangshme, arrijnë të kuptojnë popullaritetin e futbollit, që përfshin miliona e miliarda njerëz nga e gjithë bota, ata interesohen për lojën, duke e komercializuar këtë sport.
Në vitin 1985, Tottenham Hotspurs, të njohur si “spurs”, u bënë klubi i parë në tregun e futbollit botëror. Presidenti i këtij klubi, Alan Sugar, “shpiku” një mënyrë për të anashkaluar rregullat dhe detyrimet e Federatës Angleze. Këtë e realizoi duke krijuar një kompani, të njohur me emrin Tottenham Hotspur, një degë, tek e cila në mënyrë të ligjshme, ishin transferuar asetet e klubit. Në vijim, të tjerë klube realizuan të njëjtën skemë, si një mënyrë perfekte për të bërë para.
Në këtë logjikë, spektatorët nuk ishin më “sportdashës”, por shiheshin si një treg i mirëfilltë.
Kampionati shqiptar i futbollit
Kampionati shqiptar i futbollit ofron stadiume me pak reklama, me sponsor jo të mirëpërcaktuar, me menaxhim që çalon në shumë pika dhe me mungesë objektivash afatgjatë.
Gazmend Malo, drejtor i marketingut pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, tregon se, n.q.s do të flasim për një kampionat futbolli të mirëfilltë, atëherë do t’i referohemi periudhës pas vitit 1990.
“Pas viteve ’90 flasim për një treg të hapur dhe për një ekonomi të mirëfilltë. N.q.s i referohemi futbollit si biznes, mund të flasim vetëm për klubet profesioniste. Sidomos n.q.s flasim për Kategorinë Superiore. Në Shqipëri, dy janë kategoritë që klubet luajnë profesionalisht: Kategoria Superiore (kampionati më me rëndësi dhe vizibilitet) dhe Kombëtarja e Shqipërisë. ”Të ardhurat në klube vijnë nga presidenti – me disa fonde investon mbi klubin, bashkia dhe donatorë të ndryshëm”- tregon z. Malo.
Ai tregon se, që një klub të funksionojë siç duhet edhe si biznes, duhet pasur parasysh se të ardhurat dhe fitimet janë dy elementet kyç.
“Në momentet që flasim, nuk mund të pohojnë se ka fitime në këtë mes”, – tregon z. Malo, duke konfirmuar vështirësitë financiare të këtij sektori, që ende nuk po funksionon siç duhet.
Ai shtoi se ende nuk ka një sponsor zyrtar të kompeticionit të Kategorisë Superiore. “Po punojmë për këtë gjë, nuk jemi ende dakord për shifrat dhe për formulën e bashkëpunimit”,- tregoi z. Malo.
Kreu i marketingut të FSHF tregoi se më parë, klubet nuk kanë qenë entitet i mirëfilltë juridik.
“Për disa kohë, është zvarritur në këtë mënyrë: vinte një donator, jepte disa para dhe vetëshpallej president klubi dhe vijonte menaxhimin. Mungonte organizimi normal në mënyrën e menaxhimit”,- pohon ai.
Ndërsa, në vijim të historisë së futbollit shqiptar pas viteve ’90, në 10-15 vitet e fundit, tashmë forma ligjore është e detyrueshme.
“Federata Shqiptare e Futbollit i mbikëqyr, duke rregulluar tregun: ose i detyron të kenë formulën e një kompanie me aksione, ose një shoqatë. Si një kompani aksionere, do të duhet të zbatosh të gjitha normat ligjore dhe detyrimet tatimore, si dhe do të duhet të rezultojë me fitim. Ndërsa, si shoqatë ka objektiva të tjera. Shumica e klubeve të Kategorisë Superiore janë shndërruar në shoqëri aksionere, pavarësisht se aksionere mazhoritare është Bashkia. Kjo krijon edhe keqkuptime, aludohet se nuk administrohet në mënyrë profesionale. Formula është OK, por duhen ndryshuar edhe disa gjëra të tjera që klubi të jetë më aktiv në treg, të funksionojë sipas dinamikave të tregut duke shmangur burokracitë që bashkitë kanë”, – tregon z. Malo.
Një reformë në kërkim…
Që një klub të mbijetojë nuk është sipërmarrje e lehtë në Shqipëri, duke qenë se problemet janë të shumta dhe të mbartura ndër vite. Kjo nënkupton faktin se nuk mund të bëhej më fjalë për një menaxhim të mirëfilltë ekonomik, sepse të jesh klub i “bashkisë” nënkupton të mos kesh më fleksibilitet.
Megjithatë, vitet e fundit, situata ka ndryshuar me nisjen e klubeve të para “private”, pra ku aksioneri kryesor nuk është më bashkia. Kjo, sipas z. Malo, po fillon të japë efekte pozitive, duke qenë se klubi bëhet më aktiv në treg, funksionon sipas dinamikave të tregut, duke shmangur burokracitë që bashkitë kanë.
Në këtë mënyrë, në Shqipëri, një klub futbolli mbahet në këmbë nga paratë që sponsorizohen dhe pak nga fondet e bashkive.
Një ekip futbolli mund të ketë një apo më shumë donatorë. Ligjërisht nuk ka asnjë kufizim. Nuk ka as tavan dhe as dysheme për shumat e donacioneve. Po çfarë përfitojnë sponsorët nga investimet që bëjnë – reklamimin e emrit të biznesit, e ndoshta asgjë më tepër.
Pjesë e një reforme në nisje, është edhe risia e FSHF për brand-imin, që përfshin merchandising, të gjithë artikujt zyrtarë të brand-uar të një klubi. “Logoja e FSHF e mirëstrukturuar, tashmë është një risi, e cila pritet të zhvendoset edhe për Kategorinë Superiore dhe Kupën. Po punojmë që një ndër burimet e të ardhurave, (jashtë është tepër i zhvilluar) të nisë lulëzimin edhe në Shqipëri”,- tregon z. Malo, duke rikujtuar që tifozët i blinin aksesorët e klubit të caktuar apo kombëtares në një treg të pastrukturuar, teksa tani FSHF i ofron ato edhe me blerje online.
Kompeticionet ndërkombëtare
Nëse ka para të sigurta që çdo skuadër futbolli i fiton për arkën e saj (me mund), janë ato që UEFA jep për pjesëmarrjen në aktivitetet e organizuara pas përfundimit të një sezoni e në vijim të pasardhësit. Shumë apo pak, ato janë para që kanë amortizuar disi shpenzimet e presidentëve të klubeve, të cilët janë ngushëlluar me to në prag të fillimit të çdo sezoni të ri, duke shtuar madje edhe ndonjë element më shumë për skuadrën.
Fituesja e Kampionatit Kombëtar ka të drejtën të marrë pjesë në Champions League. Kualifikimi në këtë kompeticion vlen 12 mln euro.
Kalimi i çdo turi paraeliminator do ta shpërblente me 0.5 mln euro shtesë (për secilën) dhe nëse arrin të futet në ndeshjet në grup, atëherë çdo ndeshje e fituar vlen 1.5 milionë euro, sipas të dhënave nga UEFA.
Përfitime të mëdha ofron edhe pjesëmarrja në Europa League, që vlen rreth 6 mln euro. Për çdo kalim turi, ka një “bonus” të mëtejshëm. Në çdo rast, këto përfitime i mbeten klubit dhe kushti është që të përdoren për infrastrukturë dhe për akomodimin e skuadrës gjatë sezonit.
Teorikisht, është rreptësisht e ndaluar të përdoren nga presidentët për blerje futbollistësh, ndonëse në Shqipëri, sipas ekspertëve të futbollit, pjesa më e madhe e fondeve që arrihen të sigurohen, përdoren për këtë qëllim.
Është e qartë që këto shuma dyfishohen e trefishohen në varësi të ambicieve dhe investimit të bërë nga sponsorët e klubeve, për pjesëmarrjen në aktivitete të mëdha të futbollit, pohojnë ekspertët e futbollit në vend. Duhet pasur parasysh, tregojnë ata, se kostot e akomodimit për ndeshje të ndryshme jashtë vendit, shpeshherë janë të papërballueshme dhe shembuj të “reduktimit” të kostove të ushqimit me thjesht një sanduiç për futbollistët, të gjithë mund t’i pohojnë shumë lehtë.
“Shkëlqimi” i Skënderbeut
Skënderbeu rezulton, deri më tani, skuadra e parë shqiptare e cila arriti të hyjë në Europa League, për këtë kualifikim u shpërblye me 6.1 mln euro.
Por, pranvera me një lule nuk vjen…
Megjithatë, klubi i qytetit të serenatave, ose si e quajnë tifozët “Ujqërit e Dëborës” përbëhet nga lojtarë të aftë, ku trajneri respektohet e dëgjohet, lojtarët të cilët mundësohen nga menaxheri i skuadrës, ndërsa presidenti ofron jo vetëm garancitë financiare, por edhe mbështetjen morale, pa iu ndarë lojtarëve kudo.
“Ky është shembulli që duhet ndjekur në futbollin shqiptar”- pohojnë analistët e futbollit vendas. Ata tregojnë se çelësi i suksesit të Skënderbeut është trinomi trajner-menaxher president-lojtarë.
Burimi i të ardhurave
Në Europë, klubet e futbollit gjenerojnë vazhdimisht të ardhura. Këtë e arrijnë me disa burime, si të ardhurat javore që grumbullohen nga anëtarësimet, shitjet e biletave apo fatura të tjera; nga të drejtat e transmetimit, si nga kompeticionet lokale, ashtu edhe ato ndërkombëtare; si dhe nga aktivitetet tregtare, duke përfshirë sponsorizimet e marketingun e mirë.
Në Shqipëri, klubet i sigurojnë të ardhurat kryesisht nga donatorët e ndryshëm, që në të shumtën e rasteve (për të mos thënë në 100% të tyre) janë edhe presidentë (por pa asnjë status ligjor – është thjesht titull honorifik).
Ata mund të jenë donatorë për aq kohë sa e vendosin vetë. Nuk ka një kufi e po kështu nuk ka kufij edhe për shumën që mund të sponsorizojnë.
Shitjet e biletave
Një burim i anashkaluar në vendin tonë janë të ardhurat nga biletat e eventeve, argument që nënvlerësohet sepse çmimet që aplikohen janë shumë të ulëta. Një tjetër arsye – tregon drejtori i marketingut i FSHF – sepse mekanizmi i sigurimit të biletave është shpesh proces për t’u diskutuar.
Kapaciteti mesatar i stadiumeve të Shqipërisë është 19 mijë spektatorë e sipër. Shitjet e biletave duhet të shndërrohen në një burim të rëndësishëm të ardhurash, por duhet konsideruar fakti se n.q.s i bën llogaritë për një ndeshje, del një shifër e vogël, por që përsëri nuk duhet lënë mënjanë. “Sado e vogël të jetë kjo shifër, n.q.s e shumëzojmë me numrin e ndeshjeve që një ekip bën, me formulën e kampionatit aktual, duhet të jenë 36 ndeshje në vit. Ende nuk është punuar mirë në këtë drejtim”, – tregon z. Malo
Sponsorizimet
Problemi kryesor në këtë kategori të burimit të të ardhurave është se funksionon keq.
Shqipëria vuan nga standardizimi, menaxhimi i mirë dhe për një formalizim të të gjithë tregut, jo vetëm të futbollistëve, por edhe për çmimet e referencës: për sponsorët dhe reklamimet.
“Për pjesën e menaxhimit të klubeve, vuajnë për faktin se: e para, nuk ka një propozim të mirëfilltë të çfarë propozon klubi, çfarë merr sponsori, por në shumicën e rasteve funksionon me marrëdhënie miqësie ose biznesi, mes presidentit të klubit, e një biznesmeni tjetër. Kjo skemë funksionon edhe mes klubeve në qytete të ndryshme për reklamime kryesisht. Ky mekanizëm vlen për 90-95% të rasteve. Pra, mungon një vlerë reference. Nuk ka një vlerë për një tabelë të caktuar në një vend të caktuar se sa kushton”,- tregon z. Malo, duke shtuar se, aktualisht, “asnjë njeri nuk e di se sa kushton të vendosësh një tabelë në një stadium shqiptar”.
E drejta televizive
Burimet nga FSHF konfirmojnë se sa i përket së drejtës së transmetimit të ndeshjeve, blerësit janë “SuperSport” dhe Televizioni Publik Shqiptar.
Paratë që merren nga kjo e drejtë transmetimi, shpërndahen nga Federata Shqiptare te skuadrat në bazë të një koeficienti që caktohet sipas renditjes që ato kanë. Por, në rastin e evenimenteve ndërkombëtare, siç është pjesëmarrja në Champions League ose Europa League, të drejtat televizive menaxhohen nga klubi.
Sipas raportit të vitit 2014 të “Deloitte Football Money League”, 14 skuadrat kryesore europiane arritën të sigurojnë mbi 50% të totalit të tyre të të ardhurave nga të drejtat e transmetimeve televizive. Një shifër kjo që ka të ardhura në rritje, që nga viti 2011, që ishte 40% të të ardhurave të tyre. Skuadra që ka parë të ardhurat më të mëdha nga e drejta e transmetimeve të ndeshjeve është Real Madridi, me rreth 550 mln euro.
Të kontaktuar nga “Monitor”, drejtori i marketingut pranë RTVSH, tregon se këto shifra janë konfidenciale, mirëpo pohoi se shifrat vijnë duke u rritur.
“Sa kushtojnë të drejtat e transmetimit janë konfidenciale dhe nuk mund ta them, por një gjë është e sigurt, çdo vit rriten me 10 – 15% të një viti më parë, dhe aktualisht të drejtat për transmetimin e ndeshjeve të Kombëtares të futbollit janë 5-fish më të larta se dy sezone më parë”,- pohon z. Elton Kadisi.