Bota drejt trenave të shpejtë, Shqipëria e fundit në botë, nuk ka as shina

Shqipëria u rendit e fundit në botë në Indeksin e Konkurrueshmërisë Globale për cilësinë e hekurudhave, sipas Forumit Ekonomik Global.

Ndër vendet që kanë një sistem hekurudhor, Shqipëria u klasifikua, e fundit në botë, në vendin e 101 për cilësinë shumë të dobët të transportit.

Teksa bota po shkon drejt modernizimit të hekurudhës me linjat të shpejta të transportit, Shqipëria nuk ende nuk ka trase funksionale. Rrjeti hekurudhor i vendit dominohet nga investimet e periudhës së komunizmit dhe në pjesën dërrmuese të tij nuk është funksional. Për me tepër ky rrjet i zhvilluar në atë kohë në funksion të strukturës së ekonomisë së brendshme nuk i shërben më nevojave të kohës.

Gjatë dy dekadave të fundit Qeveritë shqiptare janë angazhuar të modernizojnë linjën e transportit hekurudhor Tiranë -Durrës me një degëzim nga Rinasi. Është një investim që kushton në total 81.5 milionë euro. Pjesa më e madhe tashmë është siguruar nga institucionet financiare ndërkombëtare, ndërsa pritet që qeveria shqiptare të përmbushë edhe ajo detyrimin për pjesën e mbetur prej 11 milionë eurosh.

Studimi i fizibilitetit ka treguar se ndërtimi i segmentit Tiranë – Durrës – Rinas do të zgjasë mbi 3 vjet. Parashikohet që të transportohen në vit rreth 1.4 milionë pasagjerë. Kjo nisur edhe nga fakti që në zonën industriale Tiranë – Durrës realizohet edhe pjesa më e madhe e aktivitetit ekonomik.

Sektori hekurudhor ka përjetuar rënie të vazhdueshme në 10 vitet e fundit. Ai mund të përshkruhet si sektori më pak i zhvilluar dhe më pak tërheqës në Ballkanin Perëndimor (së bashku me sektorin hekurudhor të Kosovës).

Rrjeti hekurudhor në Shqipëri është ndërtuar në periudhën 1946 – 1986, kryesisht për t’i shërbyer industrisë. Në total, rrjeti hekurudhor ka një gjatësi prej 420 km.

Shërbimi i udhëtarëve financohet nga shteti. Mallrat kryesore të transportuara në rrjetin shqiptar janë: skrapi, sheqeri, vaji, lëndët e para për ndërtim dhe ato industriale. investimet në këtë rrjet janë të papërfillshme dhe shpjegojnë edhe gjendjen në të cilën ndodhet sot.

Hekurudha shqiptare është duke synuar zbatimin e një programi investimi për një periudhë 8 deri në 10-vjeçare, që do të rivendoste rrjetin në kushte normale pune, të krahasueshme me ato në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kapitali i sektorit privat nuk shihet si një alternativë e mundshme investimi në periudhën afatshkurtër, ndërsa skema koncesionare e tipit PPP do të kërkonte: një shpërndarje të balancuar të rreziqeve ekonomike; kredi dhe garanci nga BE-ja; mungesë të rreziqeve politike; kuadër ligjor dhe zbatim efikas; staf të trajnuar; projekte transitore.

Në fund të vitit 2016, të ardhurat e Hekurudhës Shqiptare ishin në total 564 milionë lekë, (të ardhurat e shfrytëzimit plus të tjera), apo rreth 4.1 milionë euro, me një rënie prej 27% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për shkak të vjetrimit të tejskajshëm të mjeteve, kompania ka një normë mjaft të lartë amortizimi, teksa zhvlerësimi i aktiveve afatgjata ishte 525 milionë lekë, pothuajse sa të ardhurat.

Duke i shtuar amortizimit të lartë edhe shpenzimet e personelit prej rreth 400 milionë lekësh (plus 27 milionë lekë shpenzime financiare), kjo ka bërë që kompania të rezultojë me humbje të mëdha, në 538 milionë lekë në vitin 2016 (rreth 4 milionë euro). Megjithatë, për shkak të reduktimit të shpenzimeve të personelit dhe rënies fortë të shpenzimeve për interesa, humbjet janë ulur me 32 për qind.

Aktualisht Hekurudhat shqiptare konsiderohen një “gropë e zezë” në buxhet pasi subvencionohet pothuajse çdo vit. Prej vitesh ajo rezulton me humbje të mëdha dhe humbjet e akumuluara në kapitalin e kompanisë ishin 4.6 miliardë lekë, apo rreth 33 milionë euro. /Monitor/

SHKARKO APP