Burgu për bizneset, Jaka: Po instalohet institucioni i “hakmarrjes”

 

Flet Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë:

Qeveria ka propozuar disa ndryshime (që po diskutohen edhe në Kuvend) në Kodin Penal, ku parashikohen ashpërsimi i dënimeve në rastet e kontrabandës, mosdeklarimi i mallrave në doganë, deklarimi i rremë, etj., si i gjykoni?

Propozimet e fundit që bëhen për të ndryshuar Kodin Penal urojmë që të mos kalojnë, do të kërkojnë të miratohen me shumicë të cilësuar (3/5) të deputetëve. Dhoma e Tregtisë i ka analizuar me shumë kujdes këto propozime jo vetëm në një analizë të brendshme, por edhe me anëtarët e saj, sipërmarrës që ushtrojnë aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, si dhe me ekspertë e analistë të ndryshëm. Të gjithë janë të mendimit se këto janë masa të paprecedenta e aq më tepër që merren në një vend ende në zhvillim, ku tërheqja e investitorëve të huaj është kusht i domosdoshëm për buxhetin, për profilin që duhet të krijojë një vend që synon të zhvillohet përmes sipërmarrjes private. Nenet e propozuara ashpërsojnë maksimalisht dënimet administrative. Kodi Penal deri më sot nuk parashikonte dënime penale, pa kaluar dënimet administrative. Ky është një kapërcim që bëhet në shkelje të rëndë edhe të parimeve kushtetuese, pasi nuk mund të kemi dënim penal për vepra që në fillim dënohet nga ana administrative. Kjo mund të ndodhë nëse është marrë më parë ndëshkimi administrativ dhe pastaj është përsëritur. Në këtë mënyrë nuk bëhet asgjë tjetër veçse rëndohet klima e të bërit biznes, por edhe ekonomia shqiptare, e cila do të futet në një rreth vicioz, pasi nuk do të ketë më nisma, sipërmarrësit do të jenë të pezmatuar në zgjerim, por edhe në ushtrim aktiviteti. Gabimet janë njerëzore dhe nuk mundet që për gabimin e punonjësit të ndëshkohet sipërmarrësi. Kjo është e patolerueshme dhe e pafalshme. Ligji është shumë i ftohtë dhe i prerë.

Në këto kushte a mund të rriten shanset për korrupsion në administratën publike?

Po, ky është burimi më i mirë për të pasuruar administratën publike. Në kushtet e një presioni më të madh, korrupsioni do të arrijë në nivele shumë të larta, gjë e cila do të çojë në një kolaps të plotë komunikimin mes qeverisë dhe sipërmarrjes.

A do të cenohet konkurrenca me vendet e rajonit?

Është mëse normale. Sipërmarrësi për vetë profilin që ka orientohet nga lehtësitë e të bërit biznes, por edhe nga paketat atraktive që ofrojnë vendet e tjera. Të mos harrojmë që ne jemi shumë keq me paketën konkurrenciale në krahasim me Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bullgarinë. Kjo e fundit ofron paketën më tërheqëse në rajon dhe në Europë për sipërmarrësit.

A mund të vihemi përballë rrezikut të largimit të kapitalit vendas?

Jo vetëm kjo. Unë e shoh me shumë rrezik këtë tendencë të mazhorancës aktuale për të penalizuar sipërmarrjen private. Është hera e parë që në 25 vite krijohet dhe ngrihet në mënyrë të ristrukturuar institucioni i “hakmarrjes”, mllefit dhe urrejtjes. Askund nuk është parë që të paragjykohet në mënyrë të tillë sipërmarrja e lirë. Është rruga më e gabuar që mund të ndiqet. Në normalitet ne duhet të jemi “shërbëtorë” të sipërmarrësit privat që merr nisma dhe ndihmon në uljen e papunësisë. Ne sugjerojmë dhe propozojmë që jo vetëm këto masa të mos aplikohen, por të ketë liberalizim dhe lehtësim të masave penalizueze, qoftë edhe për gjobat. Nga ana tjetër të përjashtohen të gjitha veprat që kanë tendencë për të rënduar situatën e sipërmarrjes private. Ne do të vazhdojmë të lobojnë që, këto ndryshime të cilat po miratohen me procedura të përshpejtuara, të mos kalojnë në Kuvend.

SHKARKO APP