Çela: Krerët e komunave, me borxhe ndaj OSHEE-së

“Të dhënat e deritanishme që vijnë nga të gjitha qarqet e Shqipërisë janë tejet inkurajuese dhe tregojnë se, numri i konsumatorëve të ndërgjegjësuar për të paguar në mënyrë të rregullt energjinë elektrike të harxhuar, është me një rritje të panjohur në njëzet vjet me radhë, gjatë të cilëve fatkeqësisht ka pasur vetëm rënie”.

Kështu u shpreh sot në një deklaratë dhënë për mediat administratori i OSHEE, Adrian Çela.

“Dua të veçoj dhe të përshëndes rastin e rrethit të Tropojës, ku mesatarisht energjia e paguar ishte 3 milionë lekë të reja në muaj. Vetëm në 12 ditët e para të dhjetorit, në Tropojë janë arkëtuar 26 milionë lekë të reja. Çka tregon se edhe në qarkun e Tropojës ku pagesa e energjisë ishte në nivelin më të ulët, sot kemi një situatë të re me qytetarë të cilët po i bashkohen kësaj përpjekjeje të madhe kombëtare në të mirë të vendit, familjeve, fëmijëve tanë”, tha ai.

Duke shtuar se nga ana tjetër, jemi te detyruar të bëjmë publike fakte tronditëse që flasin  për degjenerimin e shtetit, sidomos vitet e fundit.

“Sot dua tu bëj thirrje një numri skandaloz kryetarësh komunash, të cilët jo vetem i kanë zhytur në borxhe ndaj OSHEE institucionet që përfaqësojnë, por janë personalisht debitorë, që nuk paguajnë energjinë elektrike të konsumuar në shtëpitë apo bizneset e tyre.

Zotërinjtë nuk duhet të fshihen pas imunitetit të të zgjedhurit nga populli, po të marrin përsipër përgjegjësinë e të vijnë të paguajnë.

Nëse kjo sdo të ndodhë edhe pas këtij apeli, ne jo vetem do t’i kallëzojmë në prokurori, por do t’i drejtohemi qeverisë për shkarkimin e tyre pa asnjë dallim përkatësie politike, pasi kjo betejë nuk është mes partive, por mes qytetarëve të përgjegjshëm dhe abuzuesve të çdo lloji.

Janë jo pak por 637 mijë dollarë, detyrim i prapambetur personal i Kryetarëve të bashkive e komunave në rang vendi.

Vetëm Kryetari i Komunës Lazarat ka plot 147 mijë dollarë borxhe të papaguara të energjisë elektrike.

Shpresojmë që kjo marrëdhënie e turpshme e këtyre zotërinjve me ligjin të marrë fund javën e ardhshme”, tha gjithashtu ai. 

SHKARKO APP