Cërriku në raportet e qeverisë amerikane
Nga Hyqmet Zane
Cërriku mund të konsiderohet qyteti më aksidental që mund të ketë Shqipëria. Ky është një mendim që shtrohet nga njerëz që kanë jetuar atje, por edhe nga ata që nuk kanë jetuar, por që e kanë njohur krijimin e këtij qyteti, tipik i një kohe kur diktatura donte të formëzonte njeriun e ri me ideale komuniste. Por për çudinë e të gjithëve, jeta e këtij qyteti në mesin e Shqipërisë ka një tjetër jetë dhe shoqërizim të veçantë. Por le të themi dy fjalë për atë që mund të konsiderohet si çudia e javës. Në kuadër të 62-vjetorit të krijimit të qytetit dhe 70-vjetorit të Çlirimit të atdheut nga nazifashizmi, bashkia e Cërrikut kishte përgatitur një ceremoni festive të thjeshtë dhe të bukur, kuptimplote dhe të veçantë. Në qendër të kësaj feste ishte edhe inaugurimi i një memoriali kushtuar duarve punëtore nën siglën “Nderim Punëtorëve”, si një shprehje e nderimit të punës së qindra punëtorëve që punuan në Uzinën e Naftës, pa të cilën nuk do të ishte edhe ky qytet.
Deri këtu nuk ka ndonjë gjë të çuditshme, nëse nuk e di se Cërriku mund të jetë qyteti me papunësinë më të madhe në Shqipëri, ku harresa e qeverisjes duket e hapur dhe inatçore, a thua se aksidenti i krijimit të këtij qyteti meriton të dënohet në shekullin XXI. Rreth 15 mijë banorët e Cwrrikut i përkasin krahinave të ndryshme, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, si nga Kosova, ashtu dhe na Çamëria e troje të tjera shqiptare. Harmonia e bashkëjetesës së këtij qyteti është nga më të spikaturat, ashtu sie dhe mospërzjerja e qytetarëve të tij me punët e persekutimit të atyre që partia e diktaturës enveriste i sillte në Cwrrik, si dënime të atyre që ishin deri në Byronë Politike të kohës e deri edhe tek fëmijët e tyre. Gjithsesi, askush nuk tregonte kujdes për të shtuar dozat e persekutimit, por jeta vazhdonte e përbashkët si të mëdhenjtë edhe të vegjlit, si prindërit edhe fëmijët.
Ndarjet politike bëheshin vetëm me porosi nga organizatat bazë të partisë-shtet. Pikërisht nga ky qytet, siç e cilësoi edhe vetë kryebashkiaku Servet Duzha, ideator i këtyre festimeve në inaugurimin e memorialit, kanë dalë pushtetarë dhe politikanë të lartë, kanë gjeneruar akademikë dhe profesorë, janë rritur artistë dhe piktorë, kanë dalë gazetarë të përkushtuar dhe intelektualë të fushave të ndryshme me kapacitet të spikatura në jetën publike, si dhe në sportet e ndryshme. Të gjithë kanë dalë nga familjet punëtore që gjeneronte Uzina e Naftës. Ndoshta ka qenë ky motive që ka ideuar edhe një kujtesë historike të një qyteti që i dihet ditëlindja 20 nëntor 1952, kur edhe u hodh tulla e parë në ndërtimin e tij sipas filmimeve nga Konostudioja “Shqipëria e Re”.
Memoriali me siglimin “Nderim Punëtorëve” që ishte edhe motivimi i një dite festive të 62-vjetorit të krijimit të qytetit, kishte brenda tij mendjen dhe duart e atyre që e ideuan si një vepër arti e thjeshtë dhe kuptimplote, por edhe të skulptorëve që e gdhendën atë në mermer. Dy duar të bashkuara është simbol i bashkimit të vullneteve aksidentale që përbëjnë bërthamën e një qyteti që gjithsesi jetoi dhe banorët e tij do të jetojnë. Prania e shumë e shumë qytetarëve që kishin dalë në sheshin e qytetit para lulishtes për të festuar dhe marrë pjesë në këtë inaugurim memoriali, por edhe e prefektit të Qarkut Elbasan Arben Kamami, si dhe e deputetëve të LSI, Bujar Kllogjri e Luan Duzha si dhe deputetit të PD Luçiano Boçi si dhe shumë e shumë veteranëve të punës dhe të luftës, që jetojnë në këtë qytet, veç shumë të ftuarve dhe miqve të Cërrikut, i dhanë ditës një mesazh të madh se “Cërriku kërkon vëmendjen dhe punë për jetën e qytetarëve të tij”.
Edhe vlerësimet “Qytetar Nderi” të Cërrikut të Pranvera Shuku, që dha jetën në punë në Uzinën e Naftës në moshën 21 vjeçare, për veteranin e luftës Qamil Gjevori, si dhe për Nuri Zane nga Çamëria si ish-internuar në kampet e përqendrimit në Gjermani, por dhe dhënia e certifikatave “Mirënjohja e Cërrikut” për shumë punëtorë dhe njerëz që kanë punuar në këtë uzinë që nga themelet e tij, ishte një moment emocionues për të gjithë. Por në fund të fundit, gjithçka e mirë e asaj dite festive shkon si mesazh për vetë Kryeministrin Edi Rama dhe ministrat e qeverisë së tij që e kanë harruar se në Cërrik jetojnë njerëz dhe ata janë shqiptarë të mirë që duan edhe atdheun, e dhe punën, edhe historinë e qytetit të tyre siç edhe duan të gjithë ata që kanë punuar dhe kanë dhënë edhe jetën për të mirën e vendit të tyre.
Cërriku nuk është qytet pa memorie. Ky qytet është sigluar edhe në raportin e Qeverisë Amerikane, sipas një informacioni të marrë nga arshiva e Ministrisë së Punëve të Brendshme shumë kohë më parë, ku ndër të tjera thuhet se “Në gusht 1952 rezulton se është hapur në Cërrik një kamp internimi me persona të dëbuar. Me mbylljen e kampeve tela me gjemba në tetor 1953 (Tepelena dhe Valiasi), kampi i Cërrikut nuk përmendet më. Rezulton ose i mbyllur ose të internuarit janë "urbanizuar" aty”.
Në raportin e Qeverisë Amerikane paraqitur në OKB-së në shkurt 1955, ndër të tjera thuhej: “Kështu, kampi në Valias, gati u boshatis në janar 1952 kur filloi puna në Cërrik, për ndërtimin e një rafinerie të madhe nafte. Këtu u vendos një kamp i ri dhe u furnizua nga banorë nga kampi i Valiasit dhe nga krahina të tjera….
Jeta në kampin e përqendrimit në Cërrik, ku është në përfundim një rafineri nafte, u përshkua nga 4 banorë që ikën nga kampi më 20 gusht 1952 dhe pak javë më vonë kaluan në Jugosllavi. Këto janë Halit Nulla Qamili, 20 vjeç nga Cangonj, Sami Feimi, 32 vjeç nga Kuç i Zi, Azem Berdo Laze, 19 vjeç nga Dukati dhe Harri Benel, një rob lufte gjerman, i cili kishte qenë i internuar qysh më 1944. Të katër këto ishin në kamp derisa shumica e pjesëtarëve u zhvendosën të punonin si punëtorë skllevër në rafinerinë e naftës. Kampi i Cërrikut në këtë kohë kishte 500 banorë duke përfshirë këtu fëmijët dhe pleqtë. Drejtor i saj qe toger Zeman Saliaj nga Gjirokastra. Ndihmës qenë nëntoger Ahmeti nga Tepelena, nëntoger Marko Hoçishti dhe kapter Bule Hyseni. Këta njerëz zbatuan metodat më çnjerëzore për të shfrytëzuar të internuarit në maksimum. Kampi i vendosur në një fushë të gjerë ka vetëm dy baraka ku jetojnë të internuarit. Ato nuk kanë asnjë masë të çdo lloji kundër kohës së ashpër. Shiu dhe bora i përshkon pandalesë, si pasojë shkaktoheshin vdekje në kamp. Shumica më e madhe janë të sëmurë nga pneunomia dhe tuberkulozi. Sipas 4 ish-pjesëtarëve, ushqimi në kamp përbëhej nga një supë dhe 700 gram bukë të keqe për ata që bëjnë punë të rëndë dhe 600 gram për punën tjetër. Zyrtarisht dita e punës është 8 orë, por në të shumtën e rasteve të internuarit duhet të punojnë 14 orë dhe shpesh të dielave me qëllim që të mbarojnë normat e punës. Ata që nuk janë të aftë për të përballuar punë të aftë duhet të gjejnë dru zjarri, detyrë për të cilën duhet të ecin me ngarkesën e druve mbi kurriz nga 3-4 kilometra. Shpesh përdoren shkopinj të gjatë për të detyruar njerëzit të punojnë dhe dënime mizore u jepen atyre që tregojnë shenja mosbindjeve”.
Përballë këtij konsiderimi diktatorial sipas mendësisë së ideve staliniste që sundonte regjimin e Enver Hoxhës, Cërriku mbijetoi dhe banorët e tij ishin të “urtësuar” edhe nga halli se mes qytetarëve kishte edhe nga ata që të bënin gjëmën. Por qytetarët dhe njerëzit e punës jetuan, përballuan dhe sot ose kanë vdekur ose janë pleq që përjetojnë një varfëri të tejskajshme. Aq e pavëmendshme është qeverisja e sotme, sa edhe një tërmet që ra në këtë qytet para disa muajve, nuk pati asnjë ndihmë as edhe një përkujdesje dhe ende sot e kësaj dite banorët vuajnë pasojat.
Por gjithsesi, në këtë qytet ka njerëz, ka edhe intelektualë, ka burra të mençur dhe gra të zonja, ka të rinj që vërdallisen për punën, megjithëse baballarët e tyre kanë qenë punëtorë në Uzinën e Naftës që tashmë ka heshtur së ekzistuari dhe që vëmendja e gjithë pushtetit ka munguar si për ndonjë inat të vjetër. Jo, Cërriku nuk mund të konsiderohet më një vend internimi apo dënimi të jetës së një qyteti. Përballë kësaj gjendje bashkia e qytetit gjen forcën për të dhënë një mesazh “Nderim Punëtorëve” si me thënë “na jepni punë, se ne banorët e Cërrikut duam të jetojmë përmes punës”.