Dadoja franceze që spiunonte Martonët
Kati Marton, ish bashkëshortja e të ndjerit Richard Holbruk, i njohur për kontributin për çështjet shqiptare, përveç romancave të dashurisë ka shkruar dhe një libër me kujtime mbi jetën e familjes së saj gjatë komunizmit në Hungari. Vite më vonë ajo ka kërkuar dosjen e prindërve që ishin dy gazetarë të njohur. “Gjatë gjithë jetës sime, mosbindja e prindërve të mi ndaj komunistëve, guximi i tyre kokëfortë si gazetarët e fundit prapa Perdes së Hekurt, deri tek arrestimi, gjyqi dhe dënimi si spiunë të CIA-s, ka qenë thelbi i identitetit të familjes sonë”, kujton Marton. Më 25 shkurt 1955, në orën dy të mëngjesit, pas një loje brixhi në shtëpinë e atasheut ushtarak të Shteteve të Bashkuar, babai I saj u rrëmbye nga gjashtë agjentë të policisë sekrete. Arrestimi i tij u bë lajm i faqes së parë të Nju Jork Tajmsit.
Katër muaj më vonë, ata erdhën për mamanë. Në janarin tjetër, pothuaj një vit më vonë, Nju Jork Tajmsi, në një shkrim tjetër të faqes së parë, shkruante se “Endre Marton, një korrespondent i Wsoshiejtid Pres në Hungarinë e sunduar prej komunistëve, është dënuar me gjashtë vite burg me akuzën e spiunazhit. E shoqja, Ilona, e cila punonte për Junajtid Pres u dënua me tre vite… Martonët kanë dy vajza të vogla, Katin dhe Julin”. Artikullin e shoqëronte fotografia e një çifti të këndshëm dhe elegant, bashkë me dy vajzat e tyre të vogla që qeshnin, një familje e lumtur, modeste dhe krejt e parrezikshme, fotografia jonë në Krishtlindjen e fundit kur ishim të gjithë së bashku në Hungari, para se gjithçka të ndryshonte. Kështu debutova unë në gazetë, ndonëse nuk e pashë shkrimin veçse dekada më vonë.
”Prindërit e mi ishin njerëz largpamës. Ata e kthenin rrallë kokën prapa, vetëm në raste të caktuar. Kur, aty nga fundi i jetës, tim ati iu dha çmimi më i lartë civil në Hungari prej ministrit të jashtëm të Hungarisë së lirë e demokratike, ai nuk erdhi në Nju Jork që ta merrte personalisht atë, por më la mua që ta pranoja në emër të tij. Atë mbrëmje, ministri i jashtëm më befasoi me një zarf të madh që përmbante material të AVO-s për babanë. Babai nuk e hapi kurrë atë dosje; nuk kishte nevojë, ai e kishte përjetuar gjithçka. Për të, historia, të paktën historia e tij, ishte një gjë e mbyllur. Për mua, ajo ishte veçse fillimi i kërkimit tim”, thotë Kati. Por ndryshe nga I ati si shkrimtare ajo kërkon ta rrëmojë të shkuarën. Teksa tashmë ka në duar dosjen e familjes Marton ajo do të tronditet nga një prej informatoreve më të zellshme, që nuk denjon të përmend shpesh emrin e saj dhe të së motrës.
“Duke shfletuar një seri raportesh me emrin e koduar “Gaspar!, më trondit shpeshtësia e përmendjes së emrit tim dhe të motrës, Julias. Cila është kjo informatore energjike, “Gaspar” dhe pse ajo përmend vazhdimisht dy vajzat e vogla?”, pyet Marton. Pak minuta më vonë teksa shfleton dosjen ajo do të mësojë se kodi zakonisht ka njëfarë lidhje me emrin e vërtetë. Gaspar. Sigurisht, Gabriela. Dadoja e saj franceze! Agjente e zellshme, po ta gjykoje nga kontributi i saj në këtë dosje. ” Bashkë me zemërimin, kam një ndjesi përligjjeje. Asnjëherë nuk më kishte pëlqyer ajo, por kjo ndjenjë ishte e dyanshme. Mund të dëgjoj akoma trak-truket e takave të saj çdo mëngjes, duke ardhur që të hapë grilat veneciane tamam mbi kokën time, duke i ngritur ato me sa më shumë zhurmë që të mundej dhe duke thirrur me të madhe me zërin e saj të çjerrë, “Levez-vous, mes enfants!”. Nuk ishte çudi që ajo nxitonte gjithmonë. Kishte punë më të rëndësishme për të bërë”, thotë Marton.