Data 21 e opozitës
Nga Ndriçim Kulla
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do ta kishte pasur shumë të lehtë në situatën e sotme politike, sociale, ekonomike, në të cilën gjendet vendi, me të gjithë këtë pakënaqësi që kanë sjellë masat shtrënguese të qeverisë, dhe me skandalet e panumërta të çdo lloji që ka prodhuar qeveria dhe mazhoranca parlamentare e majtë, të thërriste një protestë të madhe, p.sh., më 21 shtator, ashtu siç bëri Kryeministri i sotëm Rama më 21 janar 2011, kur ishte kryetar i opozitës.
Basha do ta kishte pasur shumë të lehtë që ta dërgonte turmën e irrituar te selia e Kryeministrisë, ku ajo do përleshej me policinë. Siç e dimë, në raste të tilla në Shqipëri ka edhe protestues të vrarë. E pastaj kreu i opozitës të organizonte një marshim me arkivolet e protestuese të vrarë, e ta quante Edi Ramën vrasësin e 21 shtatorit. Ndoshta drejt një skenari të tillë do të donin ta shtynin Bashën disa zëra brenda partisë së tij, që kërkojnë një stinë protestash të pakompromista, një tërheqje zvarrë të qeverisë, një revolucion që përmbys kabinetin apo një mosbindje civile që sjell edhe ndryshimin e sistemit demokratik.
Por, ata që e shtyjnë Bashën drejt një aventure të tillë, nuk do të mbanin asnjë përgjegjësi personale në qoftë se gjërat do të shkonin keq për opozitën dhe “revolucioni demokratik” nuk do të përfundonte ashtu siç prisnin ata. Në qoftë se gjërat shkonin keq, përgjegjësia do të ishte komplet e Bashës. Në qoftë se gjërat do të shkonin mirë, këta njerëz do të nxitonin të merrnin meritat për idenë e tyre që pati sukses. Por nuk ka mundësi që një skenar i tillë të ketë sukses në Shqipërinë e vitit 2015, po për ato arsye që nuk pati sukses në janar 2011, pra se ndërkombëtarët do të ndërhyjnë për të ndërprerë shkallëzimin e revolucionit opozitar, si kërcënim për stabilitetin e vendit, në kohën kur stabiliteti në rajon kërcënohet nga vala e paparë deri më sot e refugjatëve të luftës nga Lindja e Mesme.
Përveç kësaj, një nga ligjet e pashkruara të politikës shqiptare të shekullit të ri është se qeveritë nuk rrëzohen më me dhunë. Këtë e vërtetuan dhe ngjarjet e janarit 2011. Në fund të fundit çfarë arriti Rama me 21 janarin, shkak kryesor i të cilit ishte Meta? Pajtimin me Metën, duke i kërkuar aleancë atij! Këtë ligj të ri të pashkruar të politikës shqiptare që është mosrrëzimi i qeverive me dhunë, e njohin shumë mirë ata që i kërkojnë Bashës ta hedhë PD-në në një aventurë politike, të ngjashme me aventurën e 21 janarit të opozitës radikalisht të majtë. Dhe duket se arsyeja përse “sirenat” politike brenda PD-së i kërkojnë Bashës që t’i hyjë një aventure të tillë, është se është e pamundur që kjo aventurë të ketë sukses. Pastaj koston politike do ta paguante kryetari i PD-së, pozita e të cilit do të dobësohej shumë se ai do të shkatërronte imazhin e një lideri të llojit të ri në politikën shqiptare, të ndryshëm nga ata që kanë qenë deri më sot në të dy krahët e politikës. Ky imazh i Bashës, që tanimë është konsoliduar në rrafsh ndërkombëtar është një aset i madh politik i opozitës.
Ndoshta dhe vetë qeveria dhe mazhoranca parlamentare mund të dëshirojnë që Basha të zgjedhë rrugën revolucionare, pasi ajo do t’u jepte rrugëdaljen më të mirë nga situata ku gjenden. Dhuna e opozitës në sheshe do ta zhvendoste menjëherë vëmendjen e ndërkombëtarëve nga problemet e qeverisë, duke u bërë si problemi nr.1 i partnerëve tanë ndërkombëtare stabiliteti i vendit. Një situatë revolucionare në Shqipëri do të shërbente si pretekst që shumë njerëz nga Shqipëria të shkojnë si azilantë në vendet e Bashkimit Europian, me justifikimin se në vend ka trazira, dhe këtë herë faji do të ishte i opozitës.
Axhenda që shpalli Basha në mbledhjen e fundit të kryesisë së PD, mbi veprimet e ardhshme të opozitës, tregon se Basha nuk ka ndërmend të zgjedhë rrugën revolucionare, të llojit të 21 janarit, pavarësisht se protesta paqësore mund të bëhen. Unë mendoj se ai ka përpunuar një axhendë me pesë pika për veprimet e ardhshme të opozitës. Kjo axhendë duket si më e mira e mundshme në situatën aktuale. Është një axhendë e kompletuar nga ana strategjike dhe nga ana taktike. Kjo strategji synon të ushtrojë presion të fuqishëm mbi mazhorancën parlamentare, e cila tanimë ka marrë të krisura, edhe për shkak të konfliktit Rama-Meta që nuk mund të fshihet më. Kërkesa e opozitës për dorëheqjen e Metës, e shoqëruar me një luftë politike ndaj kryetarit të Kuvendit, duhet të sjellë ndryshim në radhët e shumicës parlamentare. Pika e dytë e axhendës, kërkesa për dorëheqjen dhe penalizimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, funksionon shumë mirë faktikisht, sepse ministri i Brendshëm, me akuzat për skandalet e njëpasnjëshme që po i bëhen, realisht po bëhet i pambrojtshëm politikisht në sytë e ndërkombëtarëve. Duke mbrojtur Tahirin, Rama po merr përsipër një kosto të madhe politike personale. Kërkesa e tretë, aprovimi me procedurë të përshpejtuar brenda muajit shtator i ligjit për dekriminalizimin e politikës, duket se është më imediat se kurrë pas skandalit të fundit kriminal të deputetit socialist Armando Prenga. Prenga është i fundit në radhën e disa deputetëve socialistë që janë përfshirë në histori të bujshme kriminale muajt e fundit. Kjo ngjarje e bën përfundimisht të papranueshëm Parlamentin me praninë e këtyre njerëzve në të si deputetë. Pas kësaj ngjarjeje, vetë mazhoranca parlamentare duhet të kishte kërkuar miratimin me procedurë të përshpejtuar të këtij ligji dhe hyrjen e tij menjëherë në fuqi, për shkak të situatës aktuale të kriminalizimit të Parlamentit, që tani nuk mund të fshihet e as mund të tolerohet më. Që axhenda e Bashës është mirëfilli shtetndërtuese e tregon fakti se dy pikat e lartpërmendura theksohet se do të realizohen me një “carta-bianca”, që do t’u jepet ekspertëve ndërkombëtarë të BE e SHBA, afërmendsh, më të hasur me përvoja të tilla kaq “të pazakonta”. Kërkesa e katërt, që është dënimi i dhunuesve të standardeve të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, ka të bëjë direkt me krijimin e klimës së besimit te publiku i gjerë, te zgjedhësit, se zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 do të jenë një garë e ndershme, ku standardet nuk do të cenohen dhe vota nuk do të deformohet me mënyra nga më të ndryshmet. Ky është parakushti për fitoren e opozitës në 2017 dhe rikthimin e PD-së në pushtet. Pika e pestë e axhendës së Bashës që është miratimi në Kuvend i një pakete masash emergjente për përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend, dhe për çështjen e eksodit, dëshmon se PD vërtet nuk ka një axhendë për ta përdorur situatën e vështirë në vend për të bërë një përmbysje revolucionare të pushtet, dhe se PD kërkon sinqerisht përmirësimin e gjendjes së vendit, duke ia lënë zgjedhjeve të ardhshme ta ndajnë kontestin që ka ajo me të majtën për çështjen e pushtetit. Pika e pestë e axhendës tregon se PD, duke parë krizën e madhe ekonomike që ka mbërthyer vendin, ka vullnetin për të marrë përgjegjësi që në fakt i takojnë një partie qeverisëse. Këtë PD e bën e detyruar në kushtet kur PS nuk ka vullnet për t’ i mbajtur përgjegjësitë që i takojnë me ligj, si parti në pushtet. Kriza ekonomike e thelluar në vend e bën të domosdoshme miratimin e një pakete të tillë, edhe për arsye se eksodi nga vendi ynë në vendet e Bashkimit Europian, që ka prodhuar kaq shumë azilkërkues, është i lidhur ngushtë me krizën ekonomike në vend, kështu që kjo paketë emergjente ekonomike do të ketë një efekt të menjëhershëm në eliminimin e eksodit dhe të valës së azilkërkuesve nga Shqipëria.
Në kushtet kur qeveria dhe mazhoranca parlamentare nuk kanë asnjë axhendë të qartë për të përballuar situatën, axhenda me pesë pika e PD-së është një alternativë e arsyeshme që ka vendi sot për të dalë nga kriza. Askush nuk ka arsye pse të alarmohet nga programi me pesë pika i PD-së për nxjerrjen e vendit nga kriza e përgjithshme ku gjendet. Kriza është institucionale, për shkak të kriminalizimit të institucionit kryesor, parlamentit, është ekonomike, është etike, sa i përket klasës politike, kriza është e ndërkombëtarizuar, me valën e azilkërkuesve. Axhenda me pesë pika e PD-së, ka një përgjigje për të gjitha këto aspekte të krizës në Shqipëri. Asnjë opozitë e përgjegjshme nuk mund të heshtë ndaj një krize të tillë të përgjithshme në vend, ndryshe do të bëhej bashkëfajtore për shkaktimin e krizës. Axhenda me pesë pika e PD-së është kërkesa më e arsyeshme që mund të bëjë një opozitë e përgjegjshme në gjendjen në të cilën ndodhet vendi.
Me këtë politikë të Lulzim Bashës në krye të opozitës, shqiptarët nuk kanë pse të kenë frikë se çfarë do të ndodhë në 21 shtator, sepse Basha nuk ka ndërmend ta përdorë axhendën e shpallur prej tij për të thelluar krizën në vend me trazira, por synon që t’u tregojë qytetarëve se si PD sot në opozitë kontribuon me përgjegjshmëri për përmirësimin e gjendjes në vend, në mënyrë që të rritë besimin e tyre ndaj saj në zgjedhjet e ardhshme.
MAPO