Dekada që “lindi” mafian shqiptare
Nga Jana Arsovska*
Filozofi romak, Marcus Tullius Cicero një herë shkruajti: “Në kohë lufte, ligjet heshtin” (Silent leges inter arma). Vetëm forca, fuqia fizike dhe pushteti mund të vendosin “të drejtën morale”. Përdorimi i dhunës fshihet gjithmonë prej gënjeshtrave, dhe gënjeshtrat mbahen prej dhunës. Në Ballkan, vitet 1990 do të kujtohen si “dekada e tmerrshme”: një dekadë me ligje të heshtura, luftëra të përgjakshme, mashtrime dhe krime.
Unë isha vetëm 11 vjeçe, kur Republika Federale Socialiste e Jugosllavisë u zhyt në një konflikt shkatërrimtar. Njerëzit që kishin shumë për të humbur, prej tranzicionit paqësor drejt demokracisë e tregut të lirë, e “vranë” Jugosllavinë; Federata nuk pati një vdekje natyrore, apo të pashmangshme nga pikëpamja historike. Pjesërisht, origjina e luftës mund të gjurmohet pas në kohë, tek ngjitja e nacionalizmit serb, mes intelektualëve të Beogradit, në mesin e viteve 1980, si dhe tek përdorimi i qëllimshëm nga ana e ish presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, si mjet për të arritur pushtetin.
Në vitin 1991, shembja e shtetit federal e pati kulmin në shkëputjen e republikave të tij më të zhvilluara, Sllovenisë dhe Kroacisë. Në vitin 1992, lufta ishte zhvendosur në Bosnje-Hercegovinë, dhe Europa përjetoi luftën më të përgjakshme brenda territorit të saj, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Në më pak se tre vite, më shumë se 2.2 milionë boshnjakë u zhvendosën me dhunë, njëqind mijë, deri dyqind e pesëdhjetë mijë u vranë, dhe njëzetë mijë deri në pesëdhjetë mijë gra u përdhunuan. Myslimanët, të papërgatitur për konflikt, do të ishin viktimat më të mëdha – të dëbuar nga shtëpitë e tyre, me trashëgiminë kulturore të rrënuar.
Në të njëjtën kohë, në Shqipërinë fqinje, tolerimi i qeverisë lejoi ngritjen e skemave piramidale mashtruese. Kolapsi i pashmangshëm i këtyre skemave në vitin 1997, hodhi në erë kursimet e një pjese të madhe të popullsisë shqiptare. Deri në janar 1997, populli i Shqipërisë, i cili kishte humbur afro 1.2 miliardë dollarë gjatë viteve të fundit, doli në rrugë. Mijëra qytetarë organizuan protesta të përditshme, duke kërkuar kthimin e parave të tyre nga qeveria, e cila sipas tyre, kishte përfituar prej skemave. Shtetet e huaj nisën të evakuojnë nënshtetasit e tyre nga Shqipëria. Kriza e skemave piramidale shkaktoi një shpërthim zemërimi dhe shkatërrimi, që rezultoi në vdekjen e pothuajse dy mijë shqiptarëve. Gjatë viteve të trazuara ’90-të, Shqipëria pati një prej shifrave më të larta të emigrantëve. Gjashtë deri shtatëqind mijë shqiptarë, ose pothuajse një e katërta e popullsisë, emigruan kryesisht në Itali dhe Greqi, të nxitur prej problemeve ekonomike dhe socio-politike në vendin e tyre.
Pamjet e refugjatëve të dëshpëruar, që dyndeshin në kamionë dhe skafe, demonstratat e zemëruara në rrugë, dhe shkatërrimi i pronës, e përcjellin më së miri ankthin e asaj kohe. Gazetat nisën të shkruajnë edhe për armë që lëvizeshin nga Shqipëria për në Kosovë, për t’u përdorur në mbështetje të paramilitarëve etnikë shqiptarë dhe lëvizjeve kriminale terroriste. Deri në mars të vitit 1998, situata në Kosovë ishte bërë e paqëndrueshme. Rajoni i Ballkanit pa lindjen e një lëvizjeje militare, e njohur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ose UÇK, që luftonte kundër regjimit abuziv të Sllobodan Millosheviçit, dhe më vonë edhe për pavarësinë e Kosovës.
Shtypi ndërkombëtar e etiketonte Maqedoninë, vendlindjen time, si “oazin e paqes” në Ballkan, për shkak se nuk ishte e prekur prej luftërave rajonale, sa republikat e tjera. Megjithatë, pasi konflikti u përhap në Kosovë, u bë e qartë se konflikti rajonal do të kishte pasoja edhe për Maqedoninë. në sfondin e një frike në rritje mes popullsisë në Maqedoni, në korrik të vitit 1998, prindërit më dërguan në Tennessee, për të studiuar. Në atë kohë, isha 16 vjeçe.
“Është gjëja e duhur për të bërë!”, më tha nëna ime zemërthyer. “Do të shohësh botën… do të përmirësosh anglishten. Nuk i dihet kurrë se çfarë mund të ndodhë nesër këtu”.
Shumë shpejt pasi u largova për në SHBA, disa ngjarje të tmerrshme e çuan situatën në Kosovë, në një pikë pa kthim. Sulmet e UÇK-së dhe raprezaljet e serbëve e patën kulmin në masakrën e Reçakut, në 15 janar 1999, gjatë të cilës 45 shqiptarë të Kosovës u vranë në fshatin Reçak, në qendër të Kosovës. Raporte të ndryshëm, duke përfshirë atë të përgatitur nga Human Rights Watch, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për Jugosllavinë, vrasjet ishin një masakër e qëllimshme e civilëve, nga ana e policëve serbë. Qeveria jugosllave deklaroi se të vrarët ishin anëtarë të UÇK-së, të vrarë në një përplasje me forcat e sigurisë. Masakra e Reçakut u bë një prej shkaqeve kryesore për bombardimin e mëpasshëm të Jugosllavisë nga NATO, një fushatë që zgjati nga 24 marsi deri në 11 qershor 1999.
Çdo ditë gjatë atij viti, unë kaloja orë pa fund përpara televizorit, duke parë me ankth lajmet për tragjedinë e Ballkanit që po shpalosej. Kritikët argumentonin se Perëndimi kishte dështuar për të ndërhyrë në mënyrë decizive dhe me forcën e nevojshme. Të tjerë kritikonin ndërhyrjen ushtarake të NATO-s, duke argumentuar se ajo që ndodhi në Jugosllavi, nuk ishte punë e komunitetit ndërkombëtar. Dhe ndërkohë që diplomatët dhe politikanët argumentonin mbi rolin e komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës, lufta po vazhdonte me një racionalitet tmerrues, prej protagonistëve që po luanin lojëra afatgjata pushteti. Deri në prill 1999, OKB raportoi se 850 mijë vetë, shumica dërrmuese shqiptarë etnikë, ishin larguar nga shtëpitë e tyre. Europa Perëndimore, SHBA dhe Kanadaja përjetuan një rritje të madhe të refugjatëve shqiptarë etnikë. Tashmë në këtë pikë, mijëra vetë kishin humbur jetën. Bujtësit e mi në Tennessee ishin një prift baptist dhe familja e tij. Ne udhëtonim qytet më qytet dhe fshat më fshat, për të dëgjuar bujtësin tim që predikonte. “Dërgojini lutjet tuaja për Janan dhe familjen e saj. Vendi i saj është në luftë, dhe njerëzit e saj kanë nevojë për lutjet tuaja”, u thoshte ai turmave besimtare. Duke qenë se vija nga një vend post-komunist, unë nuk e kuptoja shumë mirë fenë. Por, kishte shumë ditë të trishta, gjatë të cilave gjeja ngushëllim tek ajo.
U riktheva në Maqedoni në qershor 1999. Ndërhyrja e NATO-s po përmbyllej dhe thuhej se konflikti kish marrë fund. Megjithatë, problemet nuk kishin përfunduar aspak, pasi lufta e kaloi kufirin dhe hyri në Maqedoni. Veprimet e parë të shqiptarëve etnikë në Maqedoni ndodhën në vitin 2000, kryesisht përgjatë kufirit të Maqedonisë me Kosovën. Mes viteve 2001 dhe 2002, vrasjet etnike u intensifikuan dhe u shfaq një grup që quhej Ushtria e Çlirimit Kombëtar. Ajo mori përsipër përgjegjësinë për sulmet ndaj forcave policore maqedonase, dhe ne u bëmë dëshmitarë të përsëritjes së konfliktit të Kosovës, në vendin tonë.
Sipas qeverisë maqedonase dhe lajmeve në media, në periudhën mes vitit 2001 dhe 2003, pikat e karburantit përreth qytetit të Tetovës grabiteshin vazhdimisht, automjetet qëlloheshin me gurë ndërkohë që përpiqeshin të dilnin nga qyteti, pikat e pagimit në autostradën Tetovë-Gostivar u shkatërruan, dhe shqiptarë të armatosur dhe me uniformë ndalonin shoferët etnikë maqedonas në një “postbllok” të ngritur pranë fshatit Poroj. Televizionet raportonin vazhdimisht për incidente pengmarrjeje dhe torture ne disa pjesë të Maqedonisë. Si pasojë, qeveria na këshilloi ne banorët që të mos dilnim nga qytetet dhe të shmangnim udhëtimin në rrugë të caktuara.
Ndërkohë që disa njerëz vuajtën nga konfliktet në Jugosllavi, nuk ka dyshim se disa përfituan nga ky cikël 10-vjeçar që përfshiu periferitë e Ballkanit. Gazetat lokale shkruanin se mungesa e ligjeve në rajon lejoi ngjitjen e një “mafie shqiptare” të dhunshme, dhe se rritja e tregtisë së paligjshme të drogës, armëve dhe qenieve njerëzore e bënë Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë, “vatra të krimit të organizuar”. Duke nisur nga kapërcyelli i shekullit 21, e ashtuquajtura mafia shqiptare u bë globale. Shumëkush ka njohuri për mafian legjendare italiane dhe aktorët e saj të famshëm – si Al Capone, që udhëhiqte botën e krimit të Chicago-s në vitet 1920, apo Lucky Luciano, i cili krijoi sindikatën e parë të krimit një dekadë më vonë. Tani gazetat po shkruanin se një tjetër grup i fuqishëm i krimit të organizuar, i përbërë nga shqiptarë etnikë, po fitonte dominim në botën globale të krimit dhe po rrezikonte Perëndimin. Shtypi ndërkombëtar e portretizonte mafian shqiptare si “mafian e re siciliane” – një organizatë shumë e fshehtë, brutale dhe e bazuar mbi klanet. Njerëzit e zakonshëm nuk dinin shumë në lidhje me natyrën e këtij entiteti, por shumëkush ndihej i rrezikuar prej tij.
Nëpër të gjithë rajonin e Ballkanit, ashtu si dhe në shumë vende europiane, ngjitja e mafias shqiptare u bë një temë me interes të madh. Gjatë këtyre kohërave pa ligje, unë hapa një kafene (ironikisht e quajtur Decorum, që do të thotë “dinjitet, mirësjellje dhe rend”) në Maqedoni. Po çfarë po mendoja vallë? Nuk duhej të ishte surprizë që, katër muaj pasi kisha hapur biznesin, u bëra viktimë e dhunës dhe zhvatjes nga grupet kriminalë lokalë. Megjithatë, mësova shumë nga përvoja ime e papëlqyeshme, dhe e shndërrova në diçka pozitive. Sot, si profesore e Drejtësisë penale ndërkombëtare, jam e specializuar në krimin e organizuar në Ballkan. Kjo është ironia e jetës.
*Parathënia e librit: “Deshifrimi i krimit të organizuar shqiptar: Kultura, politika dhe globalizimi”.
Bota.al