Deputeti i partisë ”Mundësia”, Kapri: Protestat deri në rrëzimin e Ramës, dorëheqja do të jetë e shpejtë
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, thotë se dorëheqja e kryeministrit Edi Rama është kërkesa kryesore dhe e panegociueshme e protestës qytetare. Për të protesta do të vijojë dhe se refuzimi i dorëheqjes nga Rama do të sillte një reagim edhe më të fortë. “Nëse Rama do të këmbëngulë që të mos japë dorëheqje, do të ketë reagim më të fortë, të ashpër. Do të ketë përshkallëzim të protestës. Nuk ka nevojë për skenarë. Rama duhet t’i bëjë hesapet mirë”, u shpreh Kapri.
Sipas deputetit, kjo protestë ndryshon nga protestat e mëparshme politike, pasi, në vlerësimin e tij, në qendër të saj janë qytetarët dhe kërkesa për ndryshim të qeverisjes. “Kjo është protesta më historike që ka ndodhur në Shqipëri. Ishim mësuar që të shihnim protesta politike, por jo qytetare, që kërkojnë dorëheqjen e panegociueshme të Ramës”, deklaroi ai.
Kapri tha se nuk sheh shenja lodhjeje te protestuesit, por përkundrazi entuziazëm dhe një klimë më të çliruar. Ai u ndal edhe te situata e opozitës, duke pretenduar se deputetët e Partisë Mundësia janë përballur me presione dhe kërcënime, por se nuk janë të gatshëm të tërhiqen nga denoncimet e tyre. “Ne nuk na shantazhojnë dot. S’na e mbyllin dot gojën. Kemi bërë punën e disa deputetëve. Jemi të pakapur dhe të pashantazhueshëm”, deklaroi Kapri.
Në lidhje me zgjedhjet, deputeti i Partisë Mundësia tha se opozita është e gatshme për një proces të parakohshëm dhe se largimi i Ramës duhet të pasohet nga zgjedhjet. “Ne jemi gati për zgjedhje të parakohshme. Nëse Rama vendos të japë dorëheqje, minimalja që duhet të bëhet, janë zgjedhjet e parakohshme”, u shpreh ai. Kapri kritikoi gjithashtu qeverinë për mënyrën e ushtrimit të pushtetit dhe akuzoi mazhorancën për presion ndaj forcave të reja politike. Ai përmendi edhe çështje që, sipas tij, lidhen me korrupsionin dhe kërkoi që institucionet e drejtësisë të hetojnë edhe zyrtarë të lartë.
KOHA JONË SONDAZH

