Deputeti Fatmir Xhafaj: Jam tejet i shqetësuar, protesta nuk mund të përdoret si alibi për vandalizmin
Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, ka reaguar për situatën e krijuar në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe dëmtimin e institucioneve publike, pronës private dhe bizneseve. Në një reagim publik, Xhafaj shprehet se është i trishtuar dhe i shqetësuar për situatën e krijuar në kryeqytet, duke theksuar se dhuna dhe shkatërrimi nuk mund të konsiderohen forma të ligjshme të protestës. “Dhuna nuk është protestë e as shkatërrimi i shtëpisë sonë të përbashkët, nuk është zgjidhje”, thekson deputeti socialist, i cili dënon çdo sulm ndaj institucioneve publike, pronës së qytetarëve dhe bizneseve në Tiranë.
Postimi i plotë
Si qytetar, si prind, si deputet i qarkut Tiranë jam tejet i trishtuar dhe i shqetësuar nga kjo situatë anarkie që ka mbërthyer qytetin tonë! Dhuna nuk është protestë e as shkatërrimi i shtëpisë sonë të përbashkët, nuk është zgjidhje. Dënoj me forcë çdo sulm ndaj institucioneve publike, pronës së qytetarëve dhe bizneseve në Tiranë.
Flakët dhe kaosi nuk janë shprehje e lirisë, as ushtrim i të drejtës kushtetuese për protestë. Shqipëria i ka paguar shtrenjtë kohët kur dhuna zëvendësonte arsyen, kur flakët mbulonin argumentet dhe kur shkatërrimi paraqitej si ndryshim. Nëse të rinjtë që sot janë nëpër rrugë nuk i kanë parë e as i kanë përjetuar ato kohë të mbrapshta, prindërit e tyre kanë detyrimin t’ua thonë.
Nuk kemi asnjë arsye të kthehemi pas, në ato kohë të errëta nga të cilat kemi luftuar për të dalë me aq shumë sakrifica e po me aq shumë mund jemi tani kaq pranë anëtarësimit në BE. Çdo qytetar ka të drejtën të protestojë, të kundërshtojë dhe të kërkojë llogari. Por askush nuk ka të drejtë ta përdorë protestën si alibi për dhunën, vandalizmin dhe rrezikimin e jetës së të tjerëve, as të punonjësve të Policisë së Shtetit. Shqipëria ka nevojë për zëra që ndërtojnë, jo për duar që shkatërrojnë e as për sojin e politikanëve pa din e iman që hedhin gurin e fshehin dorën duke përdorur si mish për top studentët.
Nuk duhet të lejojmë që shqetësimi qytetar, vokacioni i rinisë për një jetë më të mirë të mund të përdoret nga maskat e kaosit, ambicia për pushtet dhe interesa që dëshirojnë destabilizimin e vendit tonë! Një debat që sjell zgjidhje është i mirëpritur dhe duhet ta bëjmë të gjithë e me pjekuri të lartë dhe reflektim të thellë, por flakët që djegin të ardhmen nuk na duhen. Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët dhe askush nuk fiton kur ajo digjet!

