Dervishaj: Të rrisim kapacitetet menaxhuese

Ndërsa parashtroi se në katër vite janë investuar 200 mln euro për Ujësjellësa, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj tha po ashtu se kërkohet rritje e kapaciteteve menaxhuese për të përmirësuar furnzimin me ujë të qytetarëve. Ai veçoi se çështja e ujit është e lidhur ngushtë me turizmin dhe mosfunksionimi qeveritar nuk duhet të përkthehet si kosto për qytetarët.

I pranishëm në Forumin Ekonomik Shqipëri-Hungari, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, veçoi sektorin e ujit.

Duke premtuar se nga bashkëpunimi i këtyre dy shteteve do të vijnë profesionistët më të mirë të biznesit të ujit, Dervishaj tha se në katër vite për sektorin e ujit janë dhënë 200 mln euro investime për Ujësjellësa të rinj.

Dervishaj: “Investimet në sektor në 4 vite , shkojnë deri në 200 milion euro, një pjesë me buxhet  dhe donatorët. Kemi shtruar qindra kilometra me rrjet të ri në gjithë vendin.Është rritur dukshëm mesatarja e furnizimit me ujë në gjithë vendin, ku Qeveria Shqiptare ka investuar rreth 60 milion euro në 4 vite. Duhet të rrisim kapacitetet menaxhuese, paralelisht me investimet në infrastrukturë, për të përmirësuar furnizimin me ujë për qytetarët, dhe ta kthejmë në një biznes fitimprurës. Çështja e ujit, është e lidhur ngushtë me turizmin, dhe me një sërë aktivitetesh të tjera të ekonomisë. Unë e kam thënë disa herë se funksionimi ynë apo mosfunksionimi, nuk duhet të kthehet në kosto për qytetarët. Tarifat e ujit, duhet të jenë të kujdesshme dhe të mos jenë kosto për qytetarët.”

Shkëmbimet tregtare mes Hungarisë dhe Shqipërisë për vitin 2016 janë rritur me 11 përqind krahasuar me një vit më parë bëri me dije në këtë forum zëvendës/ministrja e Zhvillimit Ekonomik Adela  Karapici.

Ndërsa Ministri hungarez për Diplomacinë Ekonomike, Levente Magyar vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe veçoi se Hungaria do të mbështesë integrimin e Shqipërisë në BE.

Gjatë forumit u nënshkruan dhe pesë memorandume bashkëpunimi mes dy vendeve.

SHKARKO APP