Dhoma Amerikane e Tregtisë në Tiranë feston 25-vjetorin e themelimit, i pranishëm dhe presidenti Begaj
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri feston 25 vjetorin e themelimit në një Mbrëmje Gala, në ambientet e Mak Albania, me prezencën e presidentit Bajram Begaj, Të Ngarkuarës me Punë në Ambasadën Amerikane, Nancy VanHorn dhe përfaqësues të Parlamentit, institucioneve shtetërore dhe trupit diplomatik.
Mbrëmja ka filluar me ceremoninë zyrtare dhe përshëndetjet e përfaqësuesve të lartë të shtetit dhe diplomacisë si edhe drejtuesve të Dhomës Amerikane. Mbrëmja Gala e 25 vjetorit të AmCham është konceptuar me elementë të festës dhe nderimit të anëtarëve të parë dhe do të shënojë një moment kulmor në historinë e organizatës që për çerek shekulli ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e parametrave të klimës së biznesit dhe fuqizimin e marrëdhënieve me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E themeluar në vitin 2000 me 44 kompani vizionare, AmCham Albania është rritur në një komunitet vibrant prej 276 kompanish anëtare dhe përfaqëson bizneset më të rëndësishme që operojnë në vend.

