Disa faktorë të sjelljeve shmangëse….

Nga Entela Binjaku

Ndërkohë që ditët i zënë vendin njëra-tjetrës, opinioni publik vazhdon të mësojë për krime brenda familjes të cilave, pas pasqyrimit, disa përpiqen t’u japin edhe një shpjegim “aty për aty”. Herë humbja e kontrollit, herë përdorimi i alkoolit, mosmarrëveshjet e lëna në hije, herë egërsia që përcjell edhe konflikti më banal, përjetimi i ndjenjave të padrejtësisë, vështirësitë ekonomike, cilido qoftë shkaku apo grupi i shkaqeve, të gjitha në thelb flasin për ndërlikim të jetës shoqërore shqiptare. Ndërlikimi i jetës shoqërore në këtë periudhë e bën tepër të thjeshtë kërkimin empirik dhe analitik të kuptimit të shumë prej dukurive me të cilat përballen qytetarët. Dukuritë e deviacionit, të mungesës së rregullit dhe të referencave, kriza e motivimit, janë tashmë kaq të përhapura në shoqërinë bashkëkohore, sa i bëjnë këto koncepte të kuptueshme nga të gjithë.

Konfliktet i largojnë qytetarët nga përkatësia dhe kohezioni shoqëror, të cilat nga ana e tyre zvogëlojnë kënaqësinë shoqërore, duke i drejtuar ata në mënyrë të pashmangshme drejt copëtimit, tjetërsimit ose drejt konflikteve të përhershme. Të tilla në shoqërinë tonë post-komuniste nuk kanë munguar dhe ende “pasurojnë” jetën individuale dhe komunitare.

“Habia, humbja e toruas, irritimi, sipas Garfinkelit, tregojnë për brishtësinë e rregullit shoqëror të shkaktuar nga mosmarrveshja”. Dhe shkaqet për mosmarrëveshje në shoqërinë bashkëkohore shqiptare gjenden me shumicë!

Megjithatë, shoqëria, në një kuptim të gjerë zotëron një lloj rregullsie, sepse, në përgjithësi, anëtarët e saj i përmbahen mjaftueshëm normave të sjelljes të përcaktuara nga institucionet. Këto të fundit synojnë të formojnë diçka të qëndrueshme dhe të ndërvarur nga njëra-tjetra. Ajo që është vënë re në këto dy dekada e gjysmë zhvillimesh është tronditja që kanë pësuar institucionet që kanë ndërtuar qytetarët shqiptarë duke bërë që nga njëra anë për konformizëm të flitet gjithmonë e më pak dhe nga ana tjetër për sjelljet shmangëse të mos ndjehet asnjë mungesë.

Edhe pse në shoqërinë tonë post-diktatoriale konformizmi ka një kuptim të lidhur ngushtësisht me uniformitetin karakteristik të një shoqërie në izolim, sërish është një sjellje që nënkupton bindje ndaj normave shoqërore; Mund të jetë me natyrë psikologjike, ose mund të ketë dhe shkaqe të tjera, siç janë detyrimi ose pritja për një shpërblim, por në çdo rast, varet nga sjellja. Konformizmi, nga pikëpamja sociologjike, formon më shumë një faktor shoqëror të sjelljes sesa një qëndrim psikologjik.

Pikërisht prej sjelljes dhe me sjelljen nevojitet të merret shoqëria jonë sa herë vjen fjala për të shpjeguar krimet dhe sjelljet shmangëse të qyetarëve të saj.

Në mënyrë që një sjellje kriminale të mos përsëritet, që të mos jetë shkaku i një pasoje të pakthyeshme, shoqëria duhet të thellohet në njohjen e pjestarëve të saj, në prirjet e tyre për sjelljet shmangëse, të dijë se ku qëndron zanafilla e një sjellje të tillë, si është zhvilluar një personalitet i caktuar, sa rrethanat kanë ndihmuar apo penguar zhvillimin e tij si qënie shoqërore, etj. Faktorët që nxisin kriminalitetin zakonisht i gjejmë të lidhura me: privimin social-ekonomik; (mos) ndikimin e procesit të shkollimit tek një individ; ndikimin e disa faktorëve prenatalë që lidhen me moshën e nënës kur ka lindur këtë fëmijë etj. Shpesh nënat e reja në moshë nuk kanë njohuritë dhe mjetet e mjaftueshme për edukimin e fëmijës gjë e cila mund të rrisë prirjen për sjelljen shmangëse tek fëmija;

Dy studiuese për shembull si Merry Morash dhe Lila Rucker duke analizuar rezultatet e marra nga katër punë kërkimore të kryera në Amerikë dhe Angli kanë zbuluar se nënat e reja asociohen me familje që e gjejnë veten shpesh në kundërshtim me ligjet, që kanë nivel të ulët të të mirëqënies dhe përballen me mungesën biologjike të babait.  Prania biologjike e babait ka në përgjithësi efektin e mbrojtjes dhe ul shumë ritmin e veprimeve të fëmijëve, por në mjaft raste kjo prani mungon duke sjellë me vete pasoja.

Të tjerë faktorë janë gjetur tek ndikimi i edukatës dhe disiplinës familjare duke parë se midis disiplinës, kujdesit prindëror, qëndrimit ndaj normave shoqërore dhe ligjore dhe prirjes për sjellje kriminale ka një lidhje të ngushtë për të cilën shoqëria duhet të tregojë vëmendje dhe kujdes.

Në mjaft studime është vënë theksi edhe tek hiperaktiveti dhe impulsiviteti i individit. Në qarqet shkencore është konturuar ideja se sipas së cilës ata faktorë të personalitetit që mund të çojnë në kriminalitet janë: hiperaktiviteti dhe impulsiviteti duke folur madje për sindromën e hiperaktivitet- impulsivitetit dhe vështirësisë në vëmendje. Mungesa e qetësisë, impulsiviteti dhe vështirësitë në përqëndrim si tipare kryesore të sindromës së sipërpërmendur nënkuptojnë që ata që e kanë në të ardhmen mund të kenë sjellje që mund t’i çojnë ata nën ndjekjen ligjore etj. Të njohura si tipare të adoleshencës për shembull për këdo është e vështirë të presupozojë se mund të takojë fëmijë apo adoleshentë që nuk kanë kryer së paku një veprim të padëshiruar, fakt që flet për sjellje antisociale apo që ndodhen pranë kryerjes së një të tille. Kërkuesit suedezë për shembull kanë arritur që me studimet e tyre të zbulojnë se hiperaktiviteti në moshën 13 vjeç parashikon shkelje të dhunshme ligjore në moshën 25 vjeç fakt i cili është konfirmuar edhe nga studime të tjera. Ndërkohë shoqëria jonë duhet të edukohet me ndjenjën se për të njohur vetveten duhet të njohë çdo histori të pjesëtarëve të saj, po ashtu duhet të kuptojë se pëpara se të gjykojë një histori krimi duhet të mendojë për masat që ajo vetë ka marrë që ajo histori të mos lejohet të ndodhë.

SHKARKO APP