Djali i Mehmet Shehut rrëfen: Si ia kërkoi babai, Skënderit, ndarjen nga Silva në mesnatë
Nga libri “Vjeshta e ankthit” i Bashkim Shehut. “Babai më vuri para faktit të kryer, duke thënë se për prishjen e fejesës ishin të një mendjeje edhe ai, edhe Enver Hoxha, edhe krejt udhëheqja e Partisë. Më tha se edhe Vladimiri ashtu si ai mendonte. As mua s’ma mbajti që t’i kundërshtoja, por duke e sjellë muhabetin lakadredhas, kinse i jepja të drejtë se fejesa nuk duhej bërë, pastaj duke shtuar se përderisa udhëheqja e Partisë mendonte se kjo fejesë duhej prishur, unë s’mund të isha më i mençur, domethënë udhëheqja i dinte më mirë këto punë dhe sigurisht që kishte të drejtë.
E vetmja përpjekje që bëra më në fund për të ndihmuar tim vëlla, Skënderin, ishte njëfarë mendimi, i thënë ashtu me gjysëm zëri se megjithëse fejesa qënkësh bërë krejtësisht e gabuar e politikisht e papranueshme, ndoshta prishja e saj do të ishte një gabim i dytë, sepse ndoshta kjo mund t’ia ulte prestigjin në popull Mehmet Shehur, sepse ndoshta kushedi në popull do përshpëritej paskëtaj se i biri i tij u tall me një vajzë ashtu siç talleshin njëhërë e një kohë me fshatarkat, të bijtë e bejlerëve.
Por as kjo nuk i hyri në vesh babait. Përkundrazi, – më tha ai, – po të prishet fejesa, atëherë prestigji do të vihet në vend. Populli zaten thotë se po ta dinte shoku Mehmet, ç’biografi ka vajza, nuk do ta kishte lejuar djalin të fejohej me të ose, po ta mësonte tani, patjetër ka për ta prishur fejesën.
Ishin fjalët e Enver Hoxhës që përsëriteshin nëpërmjet gojës së tij, sikundër do të ndodhte gjithherë dhe më shpesh gjatë vjeshtës së tij të fundit dhe gjer në ditën e tij të fundit.
Skënderi mbërriti ndaj të ngrysur bashkë me Silvën. Për t’i pritur doli te dera vetëm Fiqretja, që i futi në dhomën më të afërt. Ndenjën pak, aq sa për të thënë se ndenjën, pastaj gjeti mënyrën për ta përcjellë Silvën shpejt e shpejt. Skënderi u ngjit pastaj tek Mehmeti në studion e katit të sipërm. Qëndruan aty me orë të tëra.
Fiqretja herë hynte, herë dilte, ndërsa Mehmeti i fliste e i fliste Skënderit, pothuaj pa ndërprerje. Dhe kështu gjer nga mesnata, kur Mehmeti na thirri ne dy bijtë e tjerë. Edhe ai, edhe Skënderi, dukeshin të lodhur e të vrerosur, por ndërsa Skënderi ishte disi i përhumbur dhe i shembur krejt, lodhja e Mehmetit kishte trajtën e një padurimi.
– Kjo duhet bërë, duhet të vendosësh.
– Të mendohem një herë, – ia ktheu Skënderi, i rrënuar, gjithsesi i pafuqishëm në këtë kundërshtim të tij, që vetëm sa e shtynte atë që pashmangshëm kishte për të ndodhur.
– Vetëm një orë m’u desh mua të vendosja, – tha Mehmeti, – mbasi bisedova me shokun Enver. Vetëm një orë!
Skënderi përtypej hutueshëm
– Hë, t’i telefonoj shokut Enver? – thoshte herë pas here Mehmeti, – a ta njoftoj që e vendose?
-Po në qoftë se shkëputemi, – tha më në fund Skënderi, – në qoftë se i marr unë mbi vete të gjitha pasojat dhe jetoj me Silvën të shkëputur prej jush?
Mehmeti u befasua, u mpi, po veç për një grimë të shkurtër.
– Atëherë…atëherë s’je më djali im!
Ky do të ishte mallkimi i babait, mallkimi i epërm, të cilin e kisha dëgjuar të më kanosej qysh në vogëli, duke e përjetuar dhe në moshë të rritur po njelloj si dikur. Skënderi në atë çast ishte fëmija fajtor dhe i pambrojtur
– Nuk është zgjidhje kjo, – vazhdoi Mehmeti, – nuk i ha populli këto.
Nuk i ha populli këto, ia kishte prerë Enver Hoxha, Mehmet Shehur atë paradite, kur ky, teksa jepte e merrte në përpjekjet e fundit përpëlitëse për të mos e prishur fejesën, i kishte thënë diçka të ngjashme me atë që dëgjonte tani prej Skënderit, veçse jo të humbte vetë djalin, po që vajza të shkëputej përgjithmonë nga prindërit dhe të afërmit e tjerë të saj…
– Hë, si do të bëjmë? Shoku Enver po pret që t’i telefonoj.
Skënderi diçka mërmëriti…
– Po i telefonoj,- tha Mehmeti, – dhe ashtu bëri. Në anën tjetër të linjës ishte Enver Hoxha…