Doktrina e Putinit në veprim
Nga Lamont Colucci, The Weekly Standard
Ndryshe nga doktrinat e presidentëve amerikanë, doktrinat ruse kanë prirjen të kalojnë pa u vënë re nga mediat perëndimore ose shpesh hidhen poshtë si propagandë. Kjo është për t’u çuditur, sepse rusët dhe para tyre sovjetikët, nuk njihen për hiperbola në gjeopolitikë, siç njihen në arenën ideologjike. Për shembull, doktrina e Brezhnjevit, e cila e vendosi Europën Lindore nën dominimin sovjetik u zbatua brutalisht nga ushtria sovjetike dhe KGB. Tani ka një doktrinë të Putinit, e cila kundërshton doktrinën Obama çdo ditë.
Ndërsa doktrina e Obamës është një rrugë pendimi torturues, e projektuar për të menaxhuar rënien e SHBA-së në arenën ndërkombëtare, doktrina e Putinit është një përpjekje e vendosur dhe e llogaritur për të imperializuar politikën e jashtme ruse me qëllim që ta bëjë Rusinë një fuqi qendrore strategjike dhe ekonomike. E lajmëruar në mediat ruse më 2008-n, doktrina e Putinit është mospranimi i zgjerimit të NATO-s dhe ndikimit amerikan në botë, e kombinuar me një strategji shumëplanëshe për të zvogëluar oreksin perëndimor një sistem antibalistik, të përdorë energjinë si mjet diplomatik shtrëngues, të përçajë partnerët e NATO-s, dhe të përdorë metodën e vjetër sovjetike që të shfrytëzojë marrëveshjet e pakësimit dhe kontrollit të armëve për të realizuar interesat kombëtare ruse. Doktrina e Putinit synon të rivendosë hegjemoninë rajonale ruse, dhe përdor kishën ortodokse nacionaliste e politikat cariste të shekullit të 19-të, si dhe strategjitë e mëdha sovjetike për të justifikuar kthimin në rrugën imperiale, e mbështetur nga një fushatë masive modernizimi ushtarak, përfshi fushën e armëve bërthamore.
Rasti më i mirë për të studiuar doktrinën e Putinit është Siria. Ai ia hodhi me mjeshtëri presidentit të SHBA-së me formulën e tij për të “hequr qafe” armët kimike siriane. Kritikat ndërkombëtare të hapura kundër Bashar al-Asadit e bënë Putinin të dukej diplomatik, njohja e heshtur e vdekjeve masive të njohura të shkaktuara nga armët konvencionale të Asadit, dhe në këtë e sipër as nuk i kërkoi Asadit të hiqte qafe armët kimike që ai kishte vazhduar t’i përdorte. Ky ishte hapi parë. Tani po shikojmë hapin e dytë: hyrjen e fuqishme ruse në Lindjen e Mesme.
Nga 1955 e më pas, politika e jashtme ruse dhe sovjetike u mbështet te Siria për dy arsye: kjo i jepte Moskës mundësinë të projektonte pushtet në Mesdhe me bazën e vet detare në Siri, dhe kjo i jepte Rusisë një trampolinë për qëllime më të zgjeruara në politikën e jashtme. Kjo tani po zgjerohet me bazën ajrore në Latakia. Rusët do të jenë të duruar dhe metodistë, por ata kanë filluar duke dërguar në Siri nëntë tanke luftarake T-90, 15 howitzers, 35 transportues personeli të armatosur dhe 200 marinsa. Imazhet satelitore tregojnë që Rusia ka shtuar praninë e saj ushtarake me ndërtimet në dy mjedise ushtarake siriane afër bregdetit mesdhetar. Avionët luftarakë të përparuar si SU-25, tanku helikopter Hind, dhe sistemi i mbrojtjes ajrore SA-22, janë në proces, në mos janë zbarkuar tashmë. Është e vështirë besohet se mjete ushtarake kaq të rënda do të përdoren për qëllimin e deklaruar të Putinit: luftën kundër terrorizmit islamik.
Gjenerali Lloyd Austin, komandant i Komandës Qendrore të SHBA, tha kohët e fundit në lidhje me rusët: “Nuk e dimë cilat janë qëllimet e tyre.” Por është e qartë për të gjithë, duke parë veprimet e rusëve, se cilat janë qëllimet e tyre.
Rusët kanë zëvendësuar SHBA në pjesën veriore të Lindjes së Mesme dhe e prezantojnë veten si shpëtimtar nga ekstremizmi islamik. Hapi tjetër do të jetë përdorimi aktiv i forcave tokësore dhe ajrore ruse për të hyrë në betejë në mënyrë selektive. Ka raportime që thonë se rusët po përgatiten të hyjnë në kundërsulm me Divizionin e katërt ushtarak sirian. Hapi përfundimtar do të jetë një prani e përhershme dhe e madhe ruse në Siri. Kjo do të jetë trampolina gjeopolitike ruse për projektin e pushtetit në gjithë rajonin. Kjo ishte arsyeja themelore e sovjetikëve për pushtimin e Afganistanit më 1979. Por ndryshe nga Afganistani, sot rusët mund ta arrijnë qëllimin, me shumë pak shpenzime financiare, jetë njerëzish dhe kohë. Prania në Siri i vendos ata në afërsi për marrëdhënie në të ardhmen me iranianët. Kjo është nga ato lloj ngjarjesh që sinjalizon një ndryshim gjeopolitik. Tani pyetja është kjo: Si do t’i lejojmë rusët të vazhdojnë me sukses zbatimin e doktrinës së tyre? Çfarë do ta nxiste Amerikën të veprojë?