Domosdoshmëria e auditimit nga KLSH për blerjet e vogla
Nga Lolita Baholli dhe Kristaq Gjurgjaj* Legjislacioni shqiptar për prokurimet publike parashikon veprimet ndërmjet autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik, për të siguruar cilësinë e mallrave, punëve dhe shërbimeve.
Në kontratat për punë civile, autoriteti kontraktor është i detyruar të mbikëqyrë zbatimin e kontratës si dhe të kolaudojë atë, në përputhje me aktet ligjore të fushës së ndërtimit të Republikës së Shqipërisë. Kjo për faktin se kushtet e kontratës, duhet të përmbushen në cilësinë e kërkuar, me qëllim që objekti i kontratës së furnizimit për punë civile të përmbushë qëllimin e tij.Në total sipas statistikave të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), në raportin vjetor të saj për vitin 2016, rezulton se përqindja që zë fondi i kursyer ndaj fondit limit të prokuruar në 5067 procedura prokurimi në nivel vendi, me fond limit 108,2 miliard lekë është 8.5 përqind. Në auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në bashki të ndryshme, ka rezultuar që në përgjithësi procedurat e prokurimit për shërbimin e mbikëqyrjes dhe kolaudimit kryhen me procedurën “blerje me vlerë të vogël”.Procedurat e prokurimit me vlerë të vogël zënë numrin më të madh të procedurave të zhvilluara në sistemin elektronik, duke qenë se janë procedura të thjeshtuara në krahasim me llojet e tjera të procedurave konkurruese si në drejtim të kritereve për kualifikim ashtu edhe në drejtim të afateve të reduktuara brenda të cilave zhvillohen.
Sa më sipër i bën ato lehtësisht të zbatueshme nga Autoriteti Kontraktor dhe lehtësisht të aksesueshme nga Operatorët Ekonomikë, sidomos ata të biznesit të vogël dhe mesëm që janë edhe ofertuesit kryesorë në këto lloj procedurash.
Nisur nga statistikat e prezantuara në analizën vjetore të vitit 2016 të Agjencisë së Prokurimit Publik, rezulton se përqindja që zë fondi i kursyer ndaj fondit limit për këto procedura është 58.6 përqind (në 21914 procedura të kryera), por qëllimi final i çdo procedure prokurimi është kriteri i çmimit më të ulët të ofruar, i cili plotëson kriteret e përcaktuara. Ndërkohë nga auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për efektivitetin e përdorimit të fondeve, konstatohet se përgjithësisht kursimi i fondeve si rezultat i prokurimeve në kontratat e shërbimit për mbikëqyrje dhe kolaudim punimesh janë në vlera minimale që varjon nga 10 – 15 përqind, madje ka dhe raste kur janë nën 1 përqind të vlerës së përllogaritur të kontratës.
Ky fakt konstatohet në të gjitha bashkitë e audituara (Devoll, Fushë Arrëz, Himarë, Berat, Sarandë, Konispol, etj) dhe në pjesën më të madhe të rasteve oferta e operatorit ekonomik të shpallur fitues nuk mbulon kostot qe ata kanë për mbikëqyrjen dhe kolaudimin e punimeve, duke lënë shteg për abuzime në mbikëqyrje dhe kolaudim.
Nga ana e AK procedurat e prokurimit për mbikëqyrje dhe kolaudim punimesh zhvillohen bazuar në ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, neni 29, “Procedurat standarde të prokurimit” dhe VKM nr. 914, datë 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”, neni 40, “Procedura e prokurimit me vlerë të vogël”, pasi në përgjithësi vlera e tyre nuk është më e madhe se 800,000 lekë.
Nga auditimi i zbatimit të procedurave të prokurimit me blerje me vlerë të vogël, për mbikëqyrje dhe kolaudim, konstatohet se nga ana e komisioneve të blerjeve me vlera të vogla nuk gjykohet për vlera anomalisht të ulëta, kërkesë kjo e nenit 56, të LPP, nëse oferta e dorëzuar, rezulton anomalisht e ulët në lidhje me shërbimet e ofruara, për mbikëqyrje dhe kolaudim punimesh, atëherë Autoriteti Kontraktor i kërkon ofertuesit në fjalë të justifikojë çmimin e ofruar. Nëse Ofertuesi nuk arrin të japë një justifikim që të bindë Autoritetin Kontraktor, atëherë ky i fundit ka të drejtë të refuzojë ofertën.
Nga auditimet ka rezultuar se nuk kërkohen të dhëna për anën ekonomike të metodës së shërbimeve të ofruara apo zgjidhjet teknike të ofruara dhe/ose ndonjë kusht favorizues të jashtëzakonshëm, që ka ofertuesi për kryerjen e këtyre shërbimeve, kjo për faktin se bazuar në ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, në nenin 8, është përcaktuar rëndësia dhe detyrat e mbikëqyrësit të punimeve, i cili ka përgjegjësinë e ndërtimit të objektit brenda afateve të përcaktuara në kontratë, në përputhje me projektin, në përputhje me kushtet teknike në fuqi dhe rregullat e sigurimit teknik. Ai duhet të sigurojë cilësinë e materialeve të ndërtimit dhe produkteve të ndërtimit, të cilat duhet të plotësojnë kërkesat e projektit në përputhje me standardet kombëtare ose europiane. Ndërsa për kolaudatorin në nenin 12, të këtij ligji është përcaktuar se të gjitha objektet e përkufizuara në nenin 3, të ligjit nr. 8402, datë 10.09.1998, duhet t’i nënshtrohen kolaudimit tekniko-ekonomik, i cili ka për qëllim të verifikojë nëse objekti është realizuar në kushtet teknike; në përputhje me kontratën dhe anekset e saj; çmimet e aplikuara janë sipas përcaktimeve të kontratës; si kërkesat e zbatuesit të paraqitura gjatë zbatimit të punimeve.
Sa më sipër nisur nga rëndësia e mbikëqyrësit dhe kolaudatorit të punimeve si dhe nga procedurat e zhvilluara sipas LPP, rezulton se nga konkurrimi vlerat e përllogaritura të kontratës të përcaktuara me VKM nr. 354, datë 11.05.2016 “Për miratimin e manualit të tarifave për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim”, janë ekstremisht të ulëta dhe nuk garantojnë objektin e prokurimit.
Natyrshëm në punën audituese të KLSH, si pjesë e programeve të auditimit është audituar edhe zbatimi i kontratave të mbikëqyrjes e kolaudimit, ku kanë rezultuar një sërë shkelje e mangësi në kundërshtim me ligjin nr. 8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të cilat vijnë edhe si pasojë e vlerave minimale të paargumentuara të kontratave të lidhura për këtë qëllim.
Kontrollit të Lartë të Shtetit ka një mandat i qartë dhe ka burime të mjaftueshme për të siguruar një proces të kujdesshëm të prokurimit të fondeve publike, duke mos anashkaluar auditimin e procedurave të blerjeve me vlera të vogla, të cilat pavarësisht se janë të vogla vetëm për vitin 2016, kanë patur një vlerë totale 7,5 miliard lekë.
*Auditues i Lartë