Donald Lu, marinsi me helikopter
Nga Alfred Lela
Enver Hoxha, një prej themeluesve të së majtës shqiptare, ka pasë një libër, me gjasë jo të shkruar prej tij, e megjithatë megaloman si ai, të titulluar Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë.
Nëse i bëjmë një lexim nënteksti, Hoxha, përtej paranojës që ndërtonte nëpërmjet qindra faqeve të librit, donte ta ruante Shqipërinë nga një ‘rrezik tjetër’ anglo-amerikan: Liria. Përmasa dhe koha e së cilës përbënte në fakt rrezik për Hoxhën dhe klikën e tij komuniste në pushtet, dhe jo për shqiptarët.
Nuk mendoj se ka ndryshuar shumë në përjetimin apo përvijimin e amerikanëve si ‘rrezik’ edhe te klasa politike e ngritur aty për aty në rrënojat e komunizmit, pas Dhjetorit ‘90. Përgjatë këtyre 23 viteve postkomunizëm, sa herë njëra parti apo tjetra, është shndërruar në anti-amerikane, e ka bërë këtë e detyruar nga trysnia e lirisë. Ekziston gjithmonë kjo paranojë ndaj lirisë në shoqëritë ende jo të hapura.
Mbajeni mend këtë sa herë dëgjoni ndonjë politikan shqiptar që fillon e flet për sovranitetin, për faktin se ai qeveris shqiptarët dhe nuk është ambasador i OKB apo i BE në Tiranë, se Shqipëria është shkëmb graniti, se lirinë e kemi të shenjtë, se edhe bar do hamë…, e të tjera.
Cilido politikan qoftë, ai është duke shpikur një rrezik të jashtëm për folenë, e ruajtur mirë prej tij, të shqipeve të këtyre anëve.
Një mal me kakërdhi, domethënë.
Të sadopak-vëmendshmit ndaj taktikave politike apo nënteksteve të lëvizjeve apo deklaratave, kanë vënë re besoj një trafik të rënduar në korsinë që e sjell ambasadorin amerikan nga Rruga e Elbasanit në selitë kryesore të institucioneve shqiptare.
Nga Rama te Basha, e sidomos ngulmueshëm te ky i fundit, më pas te ministri i Brendshëm e kështu me radhë, z. Lu duket se ka gjetur e themeluar te dekriminalizimi i politikës shqiptare Misionin Amerikan në Tiranë. (Është cinik fakti se 25 vjet para tij ambasadori Ryerson e niste me anti-komunizmin apo dekomunistëzimin, ndërsa Lu-së i duhet të flasë për një de- tjetër edhe më të rëndë. A mos ka dështuar liria, apo nuk kemi qenë megjithë mend të lirë?)
Ambasadori amerikan e ka marrë seriozisht dhe shenjat e angazhimit të tij janë po aq serioze. Më në fund kanë filluar të hapen shtresat e qepës politike; lakrimogjene dhe djegëse. Pak para zgjedhjeve, ai pat bërë thirrje të hapur për shqiptarët duke u kërkuar që të mos votonin për ata ‘të makinave të zeza me xhama të zinj’. Po kaq hapur, 25 vjet më parë kishte qenë edhe thirrja e Ryerson që të mos votoheshin, me asnjë kusht, komunistët.
Shumë gjëra kanë ndodhur dhe të tjera kanë ndërruar drejtim në këtë vend, por me sa duket jo investimi amerikan për një shoqëri të lirisë dhe të hapur.
Këtë, që nga Enver Hoxha i pari, e kanë quajtur, herë me forcë e herë nën zë, ‘rrezik amerikan’. Për shqiptarët nuk është kështu. Për ta, kjo është një garanci. Si ajo dijenia e një nënshtetasi amerikan, diku në një vend ku gjërat shkojnë mbrapsht, se kur të ofrohet më e keqja është gjithmonë një helikopter me marinsa që vjen e të merr.
MAPO