Drama e azilkërkuesve zbret në Rinas

Kthimi i azilkërkuesve të parë në aeroportin e Rinasit paralajmëron fatin e mijëra shqiptarëve të tjerë që gjenden në kampet e refugjatëve dhe rrit shpresat e autoriteteve për dekurajimin e fluksit të të ikurve.

Nga Aleksandra Bogdani, BIRN

Han Tola është kthyer qejfprishur në hollin e aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, dy muaj pasi përcolli vajzën e tij të pleqërisë.

“Qëndroi 1 muaj e gjysmë në kamp. Qe e kotë,” thotë burri rreth të 60-ave, pa ia shqitur sytë portës dalëse nga pritet të shfaqen pasagjerët e një avioni charter, të nisur në mesditë nga aeroporti i Frankfurtit në Gjermani.

Hani është baba i tetë fëmijëve, i zbritur në mesin e viteve ’90 nga Kukësi në rrethinat e Tiranës. Në të dy qytetet ka ndërtuar nga një shtëpi; familja e tij nuk klasifikohet tek “njerëzit në kufijtë e mbijetesës”.

Si shumë të tjerë në aeroport, edhe Hani e ka ndarë mendjen se ky vend është i pashpresë. Për të bijën, ai ëndërron Amerikën-Gjermania qe për të një zgjedhje me gjysmë zemre.

Gjithsesi, ajo u dorëzua një muaj e gjysmë pas qëndrimit në një kamp refugjatësh në Frankurt dhe u tërhoq vullnetarisht nga procedurat e azilit. Në këmbim, ka marrë mbrapsht pasaportën “e pastër” dhe një biletë falas për kthimin në atdhe.

Avioni charter me 83 persona në bord- i katërti i kthyer në dy javët e fundit në Rinas është ulur në orën 15.00 të së enjtes në pistë. Dyzet minuta më vonë, të afërmit e azilkërkuesve janë ngjeshur pas shiritit ndarës të hollit kryesor, të paqartë nëse duhet të presin aty apo të shkojnë në komisariat.

Një polic thatim në një radhë me të tjerët informon se të kthyerit vullnetarisht nuk do të merren në pyetje.

“Po pres tim vëlla. Po e kthejnë nga Gjermania,” përgjigjet polici.

Aeroporti i Rinasit po përjeton gjatë ditëve të fundit valën e parë të të kthyerve, pas largimeve masive që kulmuan në muajt e pranverës. Autoritetet gjermane raportojnë se kanë në kampe rreth 30 mijë azilkërkues nga Shqipëria.

Shanset që shqiptarët të fitojnë azil në Gjermani janë afër zeros, por apeli i autoriteve shqiptare dhe gjermane ka rënë deri më sot në vesh të shurdhër.

Azilkërkuesit e kthyer

Në dy javët e fundit, Gjermania dhe Luksemburgu kanë kthyer rreth 300 azilkërkues në Rinas; vetëm 1 për qind e shqiptarëve që pritet të kenë të njëjtin fat në muajt e ardhshëm.

“Presim fluks të madh përpara,” i tha BIRN shefi i komisariatit të Rinasit, Ermal Milori.

Në Rinas ndiqen dy procedura për të kthyerit. Vullnetarët zbresin si pasagjerë të zakonshëm, ndërsa të dëbuarit shoqërohen me eskortë policie dhe i kalojnë ca orë të mira në komisariat.

Të parët në portën dalëse të aeroportit shfaqen 3-4 çunakë. Asnjëri prej tyre nuk ngjan t’i ketë mbushur të njëzetat. Djemtë tërheqin zvarrë valixhet e rënda, takohen me të afërmit dhe zhduken në morinë e njerëzve të shumtë të aeroportit.

Vajza e Hanit del fill pas tyre, e ngarkuar me valixhe dhe çanta dore.

“Kampi? I tmerrshëm…” thotë ajo, pasi përqafohet me të atin.

Kushtet e këqija në kampet e përkohshme të refugjatëve në Gjermani përmenden prej të kthyerve si arsyeja kryesore e tërheqjes nga azili. Shanset e pakëta dhe frika nga penalitetet janë gjithashtu faktorë kryesorë.

Realiteti i prekur në Gjermani ishte krejt ndryshe nga sa kishte dëgjuar edhe për një 20 vjeçar nga Shkodra, i cili refuzon të identifikohet.

“Ika me shpresën se do të gjeja punë, por ishte e pamundur,” thotë me trishtim ai.

Përtej dramave personale, të kthyerit janë një procedurë rutinë për policinë e Rinasit. Shefi i komisariatit të Rinasit shpjegon se të deportuarit intervistohen për rrugët e ndjekura dhe më pas lihen të lirë.

Më shumë se tek të kthyerit, vëmendja e policisë së Rinasit është e përqendruar tek ata që tentojnë të ikin. Milori këmbëngul megjithatë se aeroporti nuk rezulton të jetë porta kryesore e azilkërkuesve shqiptarë drejt vendeve të BE-së.

Shefi i komisariatit shpjegon se azilkërkuesit në Rinas bien në sy prej valixheve të rënda dhe lëvizjeve në grup. Paqartësia për arsyet e udhëtimit dhe vendin ku do shkojnë janë elementë të tjerë që ndezin alarmin e kuq tek punonjësit e policisë.

“Kur në valixhet e tyre gjejmë certifikata të noterizuara apo copëza gazetash për konflikte të vjetra, atëherë përpjekja merr fund,” thotë ai.

Biletat e shtrenjta dhe rreziku i lartë në Rinas i ka shtyrë azilkërkuesit shqiptarë drejt rrugëve tokësore apo udhëtimeve me target.

Sipas policisë, pikat kufitare me Kosovën dhe Maqedoninë rezultojnë më të rrahurat në këtë epidemi largimesh nga Shqipëria. Arsyet janë praktike; vigjilenca në pikat kufitare me vendet e rajonit është më e ulët, ndërsa kostoja e udhëtimit me linjat low cost është më e lirë.

Shkaqet e emigrimit

Në një studim të fundit, të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme gjermane, emigrantët nga Ballkani janë katërfishuar gjatë muajve të fundit. Autoritetet gjermane i quajnë ata “azilantë socialë”.

Ky raport tregon se edhe pse Shqipëria, Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi janë politikisht, ekonomikisht dhe etnikisht shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri, ato kanë si emërues të përbashkët prirjen për emigracion.

“Ajo çka e shkaktoi dyndjen e tyre në Gjermani nuk është gjë tjetër veçse standardi i ulët i jetesës dhe margjinalizimi social,” thuhet në studim.

Në Shqipëri, fluksi i lartë i të ikurve është shoqëruar me mesazhe sensibilizuese të tipit “mos u mashtroni”, ndërsa mungon një studim i mirëfilltë për shkaqet që shtynë mijëra shqiptarë të braktisin vendin në pak muaj.

Megjithatë, të dhënat e siguruara nga intervistimet e të kthyerve japin një panoramë të pjesshme mbi identikitin e azilkërkuesit tipik shqiptar.

Shefi i komisariatit të Rinasit i tha BIRN se shumica e azilkërkuesve janë të një moshe relativisht të re, të cilët jetojnë në zonat më të varfra të vendit. Ai tregon se pjesa dërrmuese e të kthyerve janë nga Kukësi, Kalaja e Dodës dhe Dibra.

Pasi kanë dështuar me mesazhet sensibilizuese dhe kontrollin e kufijve porozë, autoritetet shqiptare i kanë kthyer sytë nga azilkërkuesit e zhgënjyer nga Gjermania. Së fundmi, ata po shihen si një aset i çmuar i fushatës së sensibilizimit për dekurajimin e njerëzve që po bëjnë gati valixhet.

“Të kthyerit do të ndërgjegjësojnë të tjerët se në Gjermani nuk ka azil për shqiptarët,” tha Milori për BIRN.

SHKARKO APP