Drejtori i Policisë, Proda viziton efektivët: U përballën me barbari ekstreme
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, mbrëmjen e sotme, gjatë vizitës në Repartin e Djegieve, për të parë nga afër, së bashku me Ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, punonjësit e Policisë të dëmtuar gjatë protestës së dhunshme të zhvilluar para Kryeministrisë dhe Kuvendit, iu ka uruar atyre shërim sa më të shpejtë.
Gjatë një prononcimi për median, ai ka falënderuar punonjësit e Policisë për profesionalizmin, sakrificën, durimin dhe maturinë e treguar përballë një barbarie të tejskajshme me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta, ku për pasojë u lënduan 16 punonjës policie.
Ilir Proda: “Falënderim për të gjithë punonjësit e Policisë për profesionalizmin që kanë treguar dhe vetëm Zoti e di sa krenar jam për ta, për atë që ata bëjnë çdo ditë dhe për vetëpërmbajtjen dhe qytetarinë e tejskajshme që treguan sot, në kundërshtim me atë me të cilën u përballën, e cila ishte shenjë e një barbarie ekstreme.”
Drejtori i Përgjithshëm iu përgjigj edhe pyetjeve të bëra nga gazetarja.
Pyetje: Mesa u vu re gjatë protestës, pati dy të mitur të cilët shfaqën veprime të dhunshme, duke hedhur sende të forta në drejtim të efektivëve. A do të shoqërohen ata, siç ndodhi edhe në protestën e shkuar, ku u shoqërua një 14-vjeçar?
Përgjigje: Hetimet sapo kanë filluar, ekipet po kryejnë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Ne, në vazhdimësi, kemi bërë thirrje që të miturit të distancohen. Do të nxjerrim përgjegjësitë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe besoj se edhe në vijim do të kemi qëndrime për këto situata.
Pyetje: Përveç efektivëve të Policisë, a ka protestues të plagosur, me aq informacion sa keni?
Përgjigje: Nuk kemi informacion deri më tani për protestues të plagosur.
KOHA JONË SONDAZH

