Duam Shqipërinë, por jo shtetin
Nga Sadedin Çeliku
Para tre vjetësh shqiptarët festuan si të marrë 100-vjetorin e pavarësisë dhe të gjithëve ju kujtohet torta e shkelur me këpucë e çizme, por dhe aktivitetet e tjera të organizuara me atë rast. Agjencitë e huaja të cilët pasqyruan festën u çuditën jo vetëm me organizimin e keq, por dhe me shpenzimet marramendëse të bëra në atë festë jubilare. Megjithatë, ne festuam jubileun e pavarësisë, por jo të shtetit sepse ende nuk e kemi atë. Shumë përpjekje janë bërë që edhe ne shqiptarët të kemi shtetin tonë, por kjo nuk është realizuar për shkak se nuk do politika dhe politikanët.
Ndarja konceptuale e shtetit nga shoqëria ka qenë me ndikim të madh për mendimin politik dhe shkencat politike të mëvonshme, Hobsi, Lok, Ruso, Hegel etj argumentojnë se shoqëria shënon një grup njerëzish që secili prej tyre është i prirur të synojë e të realizojë interesin e vet. Për të shpëtuar shoqërinë nga ky konflikt është i nevojshëm një organizëm që nuk shikon interesin e vet, por të shoqërisë. Këtë mision dhe funksion e realizon vetëm shteti. Tek ne koncepti i shoqërisë dhe i shtetit është paksa i koklavitur për shkak të disa politikanëve të cilët për të ruajtur interesat e veta ju është dashur një shtet anarkik, rrëmujë, pse jo dhe rrumpallë ku njerëzit mund të bëjnë çfarë të duan dhe si të duan. Sipas këtij koncepti shteti shqiptar merr përsipër vetëm realizimin e interesave të veta dhe përfaqësuesve të vet në qeveri, ndërsa shoqërinë e lë të vrasi veten siç po ndodh realisht. Qeveria e kryesuar nga Edi Rama nuk është perfekte dhe as më e mira. Por ajo ka marrë përsipër riskun e të bërit shtetit dhe kësisoj ajo duket sikur është kundra të gjithëve.
Migrantët të stimuluar nga Sali Berisha morën tokat e veta dhe pasi u siguruan për pronësinë u larguan nga vendlindja dhe migruan drejt Durrësit, Tiranës, Vlorës, e deri në Sarandë sepse migrandëve ju pëlqen shumë ajri i kryeqytetit dhe ajo bregdetare. Atje ku u vendosën zaptuan tokat e huaja dhe ndërtuan shtëpi, çanë tubat e rrjetit kryesor të ujit dhe e përdorën për vaditje ndërkohë që qytetarët mbeteshin pa ujë, bënë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike por kurrë nuk e paguan atë, ujin dhe gjithçka tjetër. Pronarët legjitim, përveçse ju mohua e drejta e kthimit pronës thuajse ju është mohuar dhe kompensimi sepse të paligjshmit po ju legalizohet prona. Kjo duket se ishte e pamjaftueshme sepse qytetarëve të kryeqytetit ju është dashur të përballojnë dhe tarifat e larta të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm për shkak se migrandët nuk paguanin asgjë. Aksioni numër një ishte ai i Lazaratit, një fshat të cilën e njohu e gjithë kontinenti. Kultivimi i bimëve narkotike në atë fshat ishte kthyer në një veprim të ligjshëm dhe aksioni i Policisë së Shtetit ju duk atyre si padrejtësi pse jo dhe shkelje e ligjit. Por suksesi nuk do të përfundonte këtu. Paligjësia u shtri dhe tek kreditë bankare ku me urdhër të krerëve qeverisë së demokratëve merresh kredi pa kolateral dhe garanci. Kështu të gjitha ato kredi që në vlerë nuk ishin pak, u kthyen në kredi të këqija dhe barrë e rëndë për shtetin. Përmbaruesit po punojnë me intesitet për arkëtimin e këtyre kredive apo konfiskimin e pasurisë për të njëjtën vlerë, por kredimarrësit të thonë se na i dha Sala. Kredi të këqija kanë dhe sipërmarrësit e kompanive të mëdha, kredi këto që kapin shifra të frikshme gati një miliard euro. Aksioni për zbatimin e ligjit të duhanit u duk si shaka dhe i pazbatueshëm. Madje edhe unë isha skeptik sa i takon këtij ligji. Por rezultatet duken mjaft pozitive dhe shpresëdhënëse. Duhanpirësit kanë filluar të ndryshojnë mentalitet dhe dalin jashtë bareve për të pirë duhan. Sigurisht ligji nuk ka gjetur zbatim të plotë sepse duhet edhe pak kohë që ne shqiptarët të ndryshojmë.
Tashmë duken démodé aksionet e qeverisë për arkëtimin e energjisë elektrike nga debitorët e vjetër e të rinj, démodé për çlirimin e hapësirave publike, prishjen e ndërtimeve publike dhe veçanërisht aty ku preken kondicionet urbane, aksioni i pritshëm ku ¾ e popullsisë nuk paguan ujë të pijshëm dhe atje ku firmat me aktivitet biznesi industrial dhe lavazhet e makinave paguajnë më pak se një familje prej katër personash. Por vërejmë një vendosmëri të qeverisë jo thjesht të grumbullojë paratë nga debitorët dhe vjedhësit e pasurisë kombëtare, por vullnet për të bërë shtet. Kuptohet që të bëhet shteti nuk mjafton vetëm vullneti sepse qeveritë e njëpasnjëshme kurrë nuk kanë marrë masa qeverisëse pa bërë llogari votat. Me sa duket qeveria është e vendosur të riskojë dhe është në drejtimin e duhur për ta bërë shtetin të cilët e dëshirojnë të gjithë. Kështu nisi aksioni i radhës i informalitetit dhe evazionit fiskal. Dihet publikisht se skema e sigurimeve ka qenë në vështirësi kryesisht nga informaliteti. Mijëra dyqane dhe biznese pa u regjistruar në QKR, pa siguruar vetë dhe as punonjësit dhe pa paguar asnjë cent shtetit.
I gjithë dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit llogaritet mbi një miliard euro, pa llogaritur këtu defiçitin buxhetor, borxhet e këqija, faturat e papaguara dhe dëmet me pasojë vjedhjet që kapin shpërdorime në vlera të mëdha. Pra të gjithë bëjmë sikur jemi shqiptarë, sikur e duam Shqipërinë, sikur jemi atdhetarë dhe me identitet të fortë kombëtar. Kur , mbushim radhët e stadiumit të tërë vëmë qeleshe dhe flamur kombëtar dhe të gjithëve s’u pëlqen të paguajnë për shtetin. Sigurisht që të mund të bëhet shteti duhet të vëmë në binarë drejtësinë e cila tash e një çerekshekulli na ka munguar, dekriminalizimi dhe korrupsionin e cila është shndërruar në sistem. Është koha e volitshme të mos mendojmë për vete dhe interesin tonë por të mendojmë për shtetin që se bëmë kurrë. Shtetit dhe qeverisë si pjellë e saj ti kërkojmë llogari vetëm atëherë kur i japim dhe i paguajmë asaj pjesën e vet, ndryshe shqiptarët nuk do të mund të bëjë shtet asnjëherë. Që të bëjmë shtet duhet të mbështesim nismat e qeverisë që janë me interes publik dhe në interes të shtetit sepse vetëm kështu do tregohemi qytetarë të devotshëm të këtij vendi.