E enjtja mes votimit në Kuvend për Ballukun dhe protestës, Berisha: Udhëheqim kryengritjen paqësore
Në seancën e së enjtes në Kuvend, do të votohet për heqjen e imunitetit të Ballukut pas prezantimit të dy raporteve përkatëse nga PS e PD, ku deri tani janë shprehur qëndrime të ndryshme. PS nuk ka pranuar ta lëshojë Ballukun, ndërsa PD mbështet kërkesën e SPAK për arrestimin e saj. Nga ana tjetër, opozita do të zhvillojë protestën e radhës.
Berisha i qëndroi besnik frazës “kryengritje paqësore”. Në protestën e fundit, nuk u kursye as “Vila 31” që sot shërben si qendër kulturore e artistike dhe brenda saj ndodheshin artistë të huaj e personel.
“Nesër shënon një etapë të re vendimtare, në betejën tonë për përmbysjen e këtij regjimi, armiqësor në të gjithë qenien e tij ndaj Shqipërisë, shqiptarëve, kombit, të sotmes dhe të ardhmes së tyre. Me besim të madh tek qytetarët shqiptarë se do t’i dalin zot ëndrrës së tyre më të bukur, interesit të tyre kombëtar, interesit të tyre personal, familjar, të fëmijëve të tyre, opozita do të udhëheqë kryengritjen paqësore gjer në rrëzimin përfundimtar të këtij regjimi antishqiptar, armiqësor të shqiptarëve”, tha Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

