E kuqe vezësh
Nga Alfred Lela
Klodi Hoxha u bë dje një emër familjar për shumicën e shqiptarëve. U deshën pak orë që jehona e gjestit të saj të përplasej faqe më faqe në portale që luajnë me lajmin kontroversial, dhe me sajte gazetash, deri dje serioze, që së fundmi ‘kanë zgjatur këmbët e shkurtuar minifundin e informacionit’ (përfshirë edhe këtë ku botohet ky shkrim) për të kapur një click më shumë.
Klodi ka pamjen e një revolucionareje: një foto e saj që qarkulloi gjithandej në media, e jep në majë të Piramidës me Kullat Binjake (simbol i kapitalizmit të ri shqiptar) në sfond. Asgjë për t’u vënë re po të mos ishte për dorën e mbledhur grusht në një anë të kokës, përshëndetja e famshme komuniste.
Ajo nuk ndryshon vetëm këtu nga moshataret e veta. Për kohën dhe për moshën, të dyja të harlisura me ngjyra dhe ekstravaganca, veshja e saj ngjan spartane: t-shirt, këmishë dhe pantallona jeans dhe një palë këpucë atletike të sheshta. Në portretin e saj nuk luan hija e asnjë grimi. Sado të lehtë.
Klodi Hoxha është pra një ‘vajzë e mirë’, dhe sa më sipër, janë pangjashmëritë e saj me të ngjashmit në moshë.
Aksioni i saj dhe shokëve, gjuajtja e kryeministrit Rama me vezë, i ngjan akteve të deputetëve të Vetëvendosjes në Kosovë. Klodi është pjesë e një lëvizjeje të majtë në Tiranë, që quhet Organizata Politike, një motley crew me komunistë, neomarksistë, anarkistë etj. Me gjasë kanë idhuj Che Guevarën, Alexis Tsipras apo Slavoj Zizek, por nuk pranojnë të identifikohen me asnjë dogmë.
Krahu i armatosur (me vezë) i OP, që dje qëlloi kryeministrin Rama është i njëjti që reagoi negativisht ndaj ish-kryeministrit Berisha kur ky,bashkë me kryetarin e opozitës, Basha provuan t’i bashkohen protestës kundër armëve kimike dy vjet më parë. Të paktën ata janë koherentë dhe të paanshëm në idetë e tyre, edhe pse ato mund të jenë të gabuara.
Cilat janë idetë e tyre? Në rastin e armëve kimike, sentimenti i ‘mbrojtjes së atdheut’ bashkohej me anti-amerikanizmin. Në rastin e djeshëm, veza mbi Ramën ishte mospajtim me reformën në Arsimin e Lartë e cila, sipas tyre, diskriminon të varfrit, e me radhë. Këtu sensi revolucionar i të rinjve komunistë pëson një këputje (rupture). Ata pëlqejnë të shfaqen si revolucionarë ndërkohë që bëjnë akte konservatore, të cilat kërkojnë të ruajnë status quo-në. Tri gjëra, për të përdorur një term të konservatores britanike Thatcher, vazhdojnë të jenë ‘ishuj të socializmit’ në Shqipëri: Arsimi i lartë, shëndetësia dhe Televizioni shtetëror. Në të tria, kush ka nuhatje e ndjen mykun e ‘pronësisë mbi mjetet e prodhimit’, gërshetuar me një parakapitalizëm oriental që mund të përshkruhet nga fraza cinike në një sprovë të Krist Malokit ‘haja qenit, pija qenit edhe bjeri karadyzenit’.
Me vezët e hedhura dje drejt kryeministrit, të rinjtë e OP shënuan një akt emancipimi politik, por e bënë për të gjitha arsyet e gabuara. Ata nuk kanë gabuar, megjithatë, në kuptimin e kryerjes së një kundravajtjeje, e aq më pak një të tille që të meritojë ndalimin prej forcave të rendit. Aq më pak merituan ata zellin e një dhune që disa prej policëve e shfaqën krejt panevojshëm.
Veza nuk është një akt dhune, por mospajtimi, si dhe një mjet që kërkon të shkurtojë distancën mes qeveritarëve dhe të qeverisurve.
MAPO