Edi Rama dhe qejfet e atij parrizi
Nga Luljeta Progni
Ishte në pritje të dekretimit si ministër i kulturës në prill të vitit 1998, kur Edi Rama foli për herë të parë për atë hap të guximshëm që kishte ndërmarrë, hyrjen në politikë. E shpjegon pse kishte vendosur ta pranonte propozimin e Fatos Nanos me një “Po” të thënë me “zemër” dhe se nuk po hynte në politikë për të marrë, por për të dhënë.
Ai flet për të panjohurën që e pret në këtë rrugëtim dhe pasiguritë që e mundojnë, por bën një betim: Kurrë nuk do të bëhej pjesë e një “parrizi qejfesh të patreguara për ata frymorë të shumtë që duan të marrin”. Koha ka treguar e po tregon krejt të kundërtën, sepse Rama po duket të ndjehet kaq rehat në atë “parriz qejfesh të patreguara”.
Edi Rama, prill 1998
“Zgjedhja që bëra për të qenë ministër, pa e pas imagjinuar kurrë më parë një gjë të tillë, qe një zgjedhje spontane, një vendim i marrë në fare pak minuta, një “po” e thënë me zemër. Unë i besoj inteligjencës së zemrës shumë më tepër se asaj të trurit, nëse mund të shprehem kështu. Nuk e di se ç’duhet të shohë njeriu, kur pret të emërohet ministër apo se ç’sheh, kur bëhet i tillë, sa për vete, nuk ndjej tjetër gjë përveç peshës së barrës që kam marrë përsipër. E kuptoj që jam futur në një terren të minuar dhe e panjohura që kam përpara është ende e padeshifrueshme për mua, gjëra që më mbushin me pasiguri.
E vetmja siguri që kam është se nuk u futa në këtë terren për të marrë diçka për veten time, po për të lënë diçka nga vetja. Koha ka treguar se përgjithësisht ky është një parriz qejfesh të patreguara për ata frymorë të shumtë që duan të marrin dhe një ferr nervashkatërrues, për ata Don Kishotë që duan të japin, por, çfarëdo të tregojë koha për mua si ministër, ajo çka mund të them me bindje, qysh sot, është fakti se edhe në qofsha ministri më i dështuar që ka njohur ky vend, dështimi im nuk do të ketë të bëjë me asnjë nga qejfet e atij parrizi.”