Edi Rama:Nis operacioni rrënjësor kundër informalitetit
Fjala e Kryeministrit Rama në lançimin e planit operacional në luftën kundër informalitetit në ekonomi:
Ky është një moment me rëndësi vendimtare, në rrugën e re të shtetbërjes.
Po bëhen dy vjet, që jemi nisur sëbashku me shumicën dërrmuese të shqiptarëve, që duan shtet, në këtë rrugë kaq të vështirë, ku të tjerët përpara nesh dështuan, sepse menduan për zgjedhjet e radhës, ose thjesht për veten dhe u bënë bisht për vite e vite të tëra, reformave jetike, duke u përpjekur në drejtime të gabuara dhe duke lënë pas vetes, pasojat e rënda, që pasojë pas pasoje u trashëguan deri në ditën kur ne morën mandatin e popullit shqiptar për të rilindur këtë vend.
E kështu, u rrënjos tek njerëzit e këtij vendi ideja më e mbrapsht e mundshme, se ky vend nuk bëhet dot, prandaj siç i thonë fjalës, “O burra secili për vete, pastaj Zoti për të gjithë”.
Sot, shumëçka që është arritur ose ende nuk është bërë mund të hajë diskutim, por me një gjë bien dakord pothuajse të gjithë, – ka filluar të vijë era shtet.
Por, për të bërë shtetin që duam ne, e që meritojnë fëmijët tanë duhet ende një punë kolosale. Pjesë shumë e rëndësishme e kësaj pune, është operacioni rrënjësor që nisim sot. Disa i thonë fushatë, disa i thonë aksion. Ky në fakt është operacion. Një operacion në mbrojtje të konsumatorit dhe në krah të sipërmarrësve që paguajnë taksa, dhe kundër zinxhirit të hajdutërisë, që shkencërisht quhet informalitet, por që shqip quhet hajdutëri.
Në këta 11 muaj është bërë shumë për të luftuar informalitetin, mjaft të shohësh rritjen e lartë të numrit të kuponëve tatimorë të regjistruar. Vetëm një aspekt ky. Apo rritjen e pamenduar dhe të pamendueshme deri 21 muaj më parë të numrit të shqiptarëve të nxjerrë nga kthetrat e skllavërisë të punës në të zezë, që sot janë siguruar për pensionet e tyre dhe kontribuojnë me taksat e tyre për këtë vend. Por, dhe këtu ka një “por” shumë të madh, gjithçka është bërë nuk vlen si bazë për të thënë se ia kemi dalë. Por, është vetëm një bazë për të kaluar nga sot në një fazë tërësisht të re të luftës kundër zinxhirit të hajdutërisë ose informalitetit siç i thonë profesorët e ekonomisë, dhe për t’ia dalë në fund që niveli i informalitetit të ulet në parametra të pranueshëm për një vend të këtij rajoni, që synon të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian. Synon të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Europian. Këtë dua ta nënvizoj se ka shumë rëndësi jo se na e kërkon njeri, por sepse është detyra jonë ndaj fëmijëve tanë.
Operacioni kompleks dhe gjithëpërfshirës që nisim sot do të jetë kryeprioriteti i qeverisë sonë në 300 ditët e treta të këtij mandati qeverisës. Siç e meriton një kryeprioritet qeverisës, ashtu siç bëmë në krye të herës me operacionin kundër grabitjes dhe grabitësve të energjisë elektrike, vullneti ynë politik si dhe vëmendja e qeverisë në çdo hap të këtij operacioni do të jenë në maksimum, sepse kjo është luftë. Në territorin e zhvillimit ekonomik dhe tregtar, Shqipëria është në gjendje lufte me këtë fenomen. Që, njësoj sikundër kultivimi i paligjshëm i narkotikëve dëmton në thelb shumë më tepër se sa aq sa duket, edhe ky zinxhir hajdutërie që quhet informalitet dëmton në thelb shumë më tepër aq se sa mund të numërohet duke parë shifrat. Sepse shkon përtej shifrave.
Prek në thelb, cenon në zemrën e vet procesin e rilindjes së organizmit të këtij shteti dhe të kësaj shoqërie për t’i përkitur jo vetëm me rrëfenjat e historisë, por dhe me sjelljen e të sotmes, qytetërimit europian.
Doganat, Tatimet, Inspektorati i Punës, Policia e Shtetit në bashkëpunim institucional intensiv me Prokurorinë e Republikës do të angazhohen bashkërisht me 600 grupe inspektimi të përbashkëta në të gjithë territorin e Republikës, si dhe me disa nivele drejtimi dhe koordinimi që kulmojnë me një forum të lartë koordinues nën drejtimin tim dhe të gjashtë ministrave, që në mënyrë sistematike të përjavshme do të bëjnë bilancin e këtij operacioni dhe do të marrin të gjitha masat për ta çuar më tej këtë operacion, për të mbrojtur konsumatorin dhe për t’iu bërë krah sipërmarrjes së madhe e të vogël, që vepron brenda kornizës ligjore të këtij shteti dhe që shikon veten shpeshherë të marrë peng nga ata që nga jashtë kornizës ligjore të shtetit, hanë atë që s’u takon dhe nuk japin atë që u takon.
Rruga jonë pa ndalim deri në vendosjen e plotë të rendit ligjor në ekonomi, hyn sot në një fazë tejet të vështirë, më e vështira. Po të mos ishte më e vështira, të paktën do ta kishin tentuar të tjerët para nesh. Siç tentuan me farsa dhe me aksione që më shpejt mbaronin se fillonin, të rregullonin çështjen e energjisë. Siç tentuan me farsa dhe me aksione që më shpejt fillonin se mbaronin apo më keq akoma degjeneronin në korrupsion, që të frenonin ndërtimet pa leje. Do ta kishin tentuar dhe këtë.
Fakti që 20 e kusur vite asnjë qeveri nuk e tentoi këtë operacion, ashtu siç po e ndërmarrim ne sot, tregon se sa kompleks, sa i vështirë dhe se me çfarë kostosh duhet të përballemi për ta çuar deri në fund këtë operacion. Por, është rasti për ta përsëritur, që ne nuk jemi votuar për të përdorur pushtetin që të riciklojmë vetveten në pushtet. Ne jemi votuar për ta përdorur pushtetin në interes të atyre që sot kanë të drejtë të thonë; Duam rroga më të larta. Duam pensione më të larta. Duam shumë më tepër investime. E që nga ana tjetër sot duhet të dëgjojnë se nëse i duhen këto, duhet të bëhen pjesë e këtij operacioni.
Nuk ekzagjeroj dhe nuk zbukuroj absolutisht asgjë, nëse ju them me plot gojën se kjo është një luftë patriotike, për një atdhe rrënjët e të cilit do të ushqehen nga të gjithë sëbashku, ku secili duhet të japë pjesën që i takon, për të ushqyer rrënjët e këtij vendi që është amaneti i të parëve tanë dhe detyrimi që ju kemi fëmijëve tanë.
“Më pëlqen të paguaj taksa, sepse me to blej civilizimin”, kjo është një shprehje legjendare e dikujt, emri i të cilit ka pak rëndësi, që me dy fjali ka shpjeguar thelbin e bashkëjetesës demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që është bërë deviza e atij qytetërimi dhe e të gjithë punonjësve të taksave dhe tatimeve në SHBA. Me taksat, ne nuk bëjmë atë që thoshin komunistët që “i japim gjakun tonë kapitalizmit gjakpirës”. Me taksat ne blejmë qytetërimin që duam. Me taksat ne përcaktojmë se çfarë vendi duam, se çfarë jete duam për familjen dhe për fëmijët tanë. Të paguash taksa është akti themelor i të qenit patriot. Ndërsa të këndosh himnin e flamurit ndërkohë që s’paguan taksat është shfaqja më kuptimplotë e hipokrizisë ndaj vendit tënd.
Ndaj unë nuk ekzagjeroj asgjë kur u them sot, qytetarëve të këtij vendi, se kur refuzoni të paguani një mall apo një shërbim pa e marrë kuponin tatimor, ju merrni pjese në një përpjekje patriotike. Sepse, ju refuzoni hajdutërinë që e pengon vendin tonë në rrugën e civilizimit të mëtejshëm. Ju refuzoni mënyrën e trishtueshme të të jetuarit prej vitesh duke ia hedhur njeri-tjetrit: “se ky vend s’bëhet” dhe “kështu t’ja fusim njeri-tjetrit, dhe pastaj shohim”.
Ju refuzoni inercinë e të shkuarit përpara, duke dëmtuar të ardhmen tuaj, të familjes suaj dhe të vendit tuaj, dhe pa asnjë dyshim të fëmijëve tuaj.
Ju që paguani taksa, që paguani fatura energjie, që paguani detyrime të tjera, siç e kërkon ligji, nuk mund dhe nuk duhet të lejoni më, që ata që bëjnë biznes, duke iu shitur ju mallra apo shërbime private, të mos paguajnë detyrimet e tyre.
Ju nuk mund t’ja falni privatit, që nuk ju jep kuponin tatimor, atë që i takon shtetit, prej të cilit ju me plot të drejtë kërkoni kopshte, shkolla, spitale, rrugë dhe shërbime.
Ju nuk mund t’i mohoni familjes suaj një jetë më të mirë jashtë mureve të shtëpisë, duke mos e bërë detyrën tuaj qytetare dhe patriotike të luftës kundër informalitetit, në atë pjesën në dukje të padukshme, por shumë të rëndësishme të llogores suaj, sa herë që blini mall dhe sa herë që paguani për një shërbim. Aty jeni në llogore. Nuk ka nevojë të shkrepni armët e nacionalizmit për të qenë shqiptarë të mirë në atë llogore. Ka nevojë vetëm që të merrni kuponin tatimor dhe mos paguani pa e marrë kuponin tatimor. Nëse të gjithë e bëjnë këtë shumë shpejt ne do të gjendemi në një hapësirë krejt tjetër dhe do t’i lejojmë vetes të bëjmë shumë më tepër se sa kemi bërë deri më sot.
Çdo lek që del nga xhepi juaj si individ, duhet te hyjë mbrapsht në xhepin tuaj si qytetar. Por që të ndodhë kështu ju s’mund të jeni vetëm individë që blini për nevojat tuaja, por dhe qytetarë që nuk ikni nga dyqani pa siguruar që ajo pjesë që i takon shtetit të ta kthejë në xhep si qytetar, të shkojë aty ku i takon të shkojë dhe të merrni kuponin tatimor.
Sigurisht që informaliteti nuk godet vetëm financat publike. Informaliteti shtrembëron të gjitha rrugët e konkurrencës dhe pengon rritjen normale dhe të merituar të çdo biznesi të madh apo të vogël që synon të rritet falë gjenialitetit, talentit, ideve, vullnetit të atyre që e kanë ngritur. Sepse, informaliteti krijon një korsi avantazhesh të paligjshme dhe të padrejta për ata që nuk duan t’i nënshtrohen rendit ligjor, aktivitetit ekonomik dhe tregtar të Republikës së Shqipërisë. Minon integritetin e sistemit tatimor, në një mjedis ligjor dhe social në të cilin është e pamundur që ne ta pranojmë më tutje këtë armik mes nesh, këtë armik të betuar të zhvillimit ekonomik, tregtar dhe social që shqiptarët meritojnë, – që është zinxhiri i hajdutërisë, i quajtur akademikisht informalitet.
Duhet të jemi shumë të drejtpërdrejtë dhe shumë të vërtetë. Ju këtu jeni zemra e sistemit doganor dhe tatimor. Ju këtu nuk mund të ndjeheni as të pafajshëm dhe as të qetë sot. Sepse, këtu, ndër ju dhe padiskutim pastaj pas jush, informaliteti ka agjenturën e vet, bashkëpunëtorët e vet, në krimin e grabitjes së taksave dhe të shkeljes së ligjit. Kjo është e vërteta! Njësoj si vëllezërit dhe si motrat tuaja që në kompaninë e shpërndarjes së energjisë, bënin të njëjtën gjë, dhe sot janë prapa hekurave, aty do të shkojnë edhe ata ndër ju që bëjnë atë që bënin ata.
Le të hidhet kushdo përpjetë dhe të thotë, po e ekzagjeroni me këto hekurat. Ndërkohë që, unë jam i bindur se nuk ekzagjeroj asgjë. Përkundrazi, sikur këtu të kishte vërtetë gjykata, sikur këtu vërtetë të zbatohej ligji, atëherë do të kishim një problem serioz në hapësirat në dispozicion për të gjithë atë që meritojnë të jenë atje, duke filluar nga ata që sot bilbilojnë kundër krimit, kundër korrupsionit, madje bilbilojnë edhe kur dy njerëz hyjnë në mënyrë të paligjshme në një minierë të mbyllur dhe gjejnë fatkeqësisht vdekjen.
Ndërkohë që s’kanë faj, sepse për sa kohë drejtësia është e kapur nga një bandë që quhet sistem gjyqësor, por që në fakt është tërësisht e kontrolluar nga një korporatë fitimprurëse që ka dhënë dhe ka marrë favore me ta, për aq kohë nuk kemi se ç’bëjmë, do t’i dëgjojmë dhe ata. Për me tepër se kaq, nuk kemi se ç’bëjmë, do të pranojmë përulësisht edhe shumë shqiptarë që me shumë të drejtë ngrenë gishtin dhe na thonë; po mirë dakord ai që vjedh energjinë, dakord ai që manipulon kasën fiskale, dakord ai që shkel semaforin, dakord ai që mbjell 5 rrënjë hashash, po ata që vranë?! Po ata që grabitën miliarda?! Po ata që hodhën në erë një gjysmë qyteti mu pranë aeroportit, si ka mundësi që sot kanë marrë flamurin e moralit, kanë marrë flamurin e alternativës?! Kanë të drejtë. Emocionalisht kanë të drejtë! Ndërkohë që faktikisht ne nuk jemi zgjedhur për të bërë prokurorin dhe gjykatësin, por jemi zgjedhur për të bërë të mundur që drejtësia të funksionojë dhe po kthehem prapë në temë
I kemi çuar Kuvendit një paketë të re, dhe kemi kërkuar rëndim drastik të masave penale për çdo inspektor tatimesh që fsheh atë që shikon për të marrë para nga biznesi. Se unë mund të kuptoj që mund t’i ketë shpëtuar syve të një inspektori tatimor diku, një kafene e strehuar nën mjegullën e jeshillëkut dhe të tymit në Lazarat, po si ka mundësi që rruga “Myslym Shyri” ka ende sot, njësi tregtare të paregjistruara? Kush përgjigjet për këto? Ashtu sikundër do të gjejnë një bela të madhe me ligjin, të gjithë ata që bëjnë Pal Mëlyshin. -E mbani mend Pal Mëlyshin. Edhe me Pjetër Mustakuqin edhe me partinë.- Edhe me tatimet edhe me bilancet, që më demek duhet të kontrollojnë. Edhe shumë faj nuk është për t’ju vënë. Keni gjetur sheshin tuaj keni bërë përsheshin tuaj në një Shqipëri që u bë shesh për përshesh dhe ku secili kapte lugën e vet, bukën e vet, qumështin e vet dhe nuk donte të dinte çfarë kishte rreth e rrotull. Por të jeni të sigurt, që ne do të vlerësojmë dhe respektojmë dhe do të nxisim prodhimin e gjithkujt që do të jetë patriot në këtë betejë dhe do t’i qepemi këmba-këmbës kujt do të jetë tradhtar i ligjit të këtij vendi në këtë betejë. Bëni si të doni. Bëni si të doni, vetëm një gjë: Drejtoria e Tatimeve ka një Kod Etik që përcakton deri dhe se si duhet të paraqiteni tek biznesi. Ministri i Ekonomisë e vuri theksin aty ku është thelbi i problemit.
Ne nuk kemi filluar sot një luftë me ata që bëjnë biznes në Shqipëri. Ne kemi filluar sot një “luftë” me ata që vjedhin taksat, duke vjedhur konsumatorin dhe duke kërcënuar konkurrencën. Që do të thotë se do të jetë taksirati i të gjithë sipërmarrësve të ndershëm dhe i gjithë bizneseve të vogla, dyqaneve, pikave të shitjes që jetojnë me punë të ndershme që t’ju kenë ju tek dera. Këtë taksirat ju nuk duhet ta rëndoni duke u shfaqur tek dera si shkelës të Kodit Etik që ka Drejtoria e Tatimeve, që nga veshja, tek sjellja, tek komunikimi dhe tek veprimi.
Ne jemi organizuar shumë mirë për ta ndjekur edhe këtë proces. Njëkohësisht do të inkurajojmë biznesin, mediat, qytetarët me video, me foto, me mesazhe që të përcjellin shëmbëlltyrën e asaj që nuk duhet të jetë inspektori i tatimeve. Se na kanë tmerruar dikur, inspektorët e tatimeve që shkonin tek Top Channel, kur i jepnin mediat dhe ishin nga pamja kontrabandistë, nga pamja. Me xhupa lëkure, me syze të errëta, me ata çantat e vogla të kambistëve. Sigurisht pastaj jam i bindur që kur hapnin gojën ishin problem i madh edhe për inspektoriatin e zhurmave të qytetit. Këto shfaqje duhet të marrin fund. Të tilla ka akoma.
Të gjithë duhet të kuptojnë që në këtë operacion, ne jemi shërbëtorë të kompanive dhe të bizneseve, që kanë nevojë për aleancën tonë dhe mbrojtës të konsumatorit. Sjellja e administratës duhet të jetë shembullore. Edhe përpara atyre që kapen në shkelje është ligji që vepron, nuk është goja.
Nga ana tjetër, në bashkëpunim me FMN-në, me BE-në, kemi hartuar të gjithë kalendarin e shkollës për ju, për të gjithë tatimorët. Do të shkojnë dhe në shkollë përveç që do të shkojnë në punë. Akademinë Fiskale që e ringritëm nga hiri ku e gjetëm dhe që vitin e shkuar ka pasur një volum të konsiderueshëm trajnimesh, që tani e mbrapa do ta bëjmë shkollë nate për të gjithë ju. Ditën në punë, natën në shkollë. Për të mësuar deri në fund se cila është detyra juaj. Për të mos sorollatur njerëz që kanë dhënë jetën dhe gjakun për të bërë biznes dhe që nuk i kanë borxh asnjë inspektori që t’ju shfaqet si fodull dhe si injorant. Kjo është e vërteta. Ju e dini shumë mirë këtë gjë, pavarësisht se asnjëri s’thotë jam unë.
Rëndësi ka që ne në këtë proces të bëjmë një transformim të madh të brendshëm dhe të jashtëm.
Sigurisht që, nuk mund të mos më kujtohej dhe Xhorxh Orwell kur thoshte se “askush nuk është patriot kur bëhet fjalë për të paguar taksat”. Por, pa më të voglin dyshim, ne sot jemi në kushtet kur mund t’i japim shoqërisë dhe ekonomisë një zhvillim të ri befasues me këtë proces. I cili ka nevojë për komunikim intensiv, për shpjegim, për ndjeshmëri, jo penalizim, penalizim, penalizim, por komunikim, shpjegim, ndjeshmëri edhe lënie kohe për korrigjim, kur korrigjimi është i mundshëm dhe ka nevojë për vendosmëri në zbatimin e ligjit, por gjithmonë duke ruajtur etikën më të lartë të një përfaqësuesi të administratës fiskale.
Për ta mbyllur, dua të theksoj se hop-i i madh që është bërë me TVSH-në, falë punë të shkëlqyer që ka bërë në radhë të parë Drejtoresha e Tatimeve edhe sistemi i tatimeve për të cilën meritoni përgëzime nuk është shoqëruar me të njëjtin hop tek tatim-fitimi. Dhe ky operacion duhet të vlejë pikërisht për këtë gjë. Ashtu sikundër ky operacion do të vlejë që skllevërit që ende lëngojnë nën kthetrat e këtyre skllavopronarëve modern, që hiqen si biznesmenë dhe që kërcënojnë me një copë bukë njerëzit që mbajnë në punë në të zezë, të marrin fund. Për këtë edhe masat ndëshkuese do jenë shumë të rënda. Ne nuk mund të pranojmë që në Shqipëri të ketë skllavëri, dhe të ketë skllevër dhe të ketë skllavopronarë. Të gjitha të ardhurat, sigurisht që janë të ardhura për t’u rinvestuar, për të fuqizuar komunitetet, për të fuqizuar vendin.
Kam bindjen e plotë që do të kemi sukses dhe jam shumë i dëshiruar që të gjithë së bashku të jemi pjesë e këtij suksesi.
Jam shumë i dëshiruar që secili nga ju më në fund t’i gëzohet suksesit dhe të mos i bjerë kokës me grushte që u kap duke bërë pazar me Pjetër Mustakuqin. Ata që janë më të vjetër t’i shpjegojnë më të rinjve kush ishte Pjetër Mustakuqi.
Faleminderit!
***
Nisi sot operacioni kundër informalitetit, i cili u lançua në një takim të përbashkët me të gjithë aktorët e përfshirë në këtë operacion.
Beteja frontale, e përcaktuar si kryefjala e 300-ditshit të tretë qeverisës do të harmonizojë ndërveprimin mes 6 institucioneve.