“Egnatia Fest 2026” çeli sot sezonin turistik në Parkun e Qershive, në Librazhd
Librazhdi çeli sezonin turistik me aktivitetin “Egnatia Fest 2026”, të organizuar në Parkun e Qershive, ku morën pjesë rreth 54 biznese të ndryshme që promovuan natyrën, historinë, traditën dhe potencialin turistik të zonës.
I pranishëm ishte edhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, i cili vlerësoi rëndësinë e promovimit të turizmit lokal dhe rolit të sipërmarrjeve në zhvillimin ekonomik të zonës.
“Ka potencial në rritje. Paketa e Maleve ka numër të konsiderueshëm aplikantësh për të investuar në këtë zonë. Duke qenë se Korridori i 8 kalon ngjitur me Librazhdin, destinacioni i radhës do jetë ky. Bashkia Librazhd po punon shumë mirë duke vënë në dispozicion të gjitha mundësitë dhe mbështetjen për sektorin privat. Po investojmë në këtë fushë me Ministrinë e Turizmit dhe të Bujqësisë. Po përafrojmë legjislacionin për agroturizmin që të shtohen agroturizmet dhe të lehtësojmë procedurat për ta dhe të ndihmojmë në certifikimin e tyre” , tha ministri Salla.
Kryebashkiaku i Librazhdit, Mariglen Disha vuri në dukje se vitin e kaluar Librazhdin dhe zonat me potencial turistik si Fushë Studen apo edhe pjesë të rrugës “Egnatia” e vizituan 192 mijë vizitorë vendas dhe të huaj.
“Bashkia Librazhd do të vazhdojë të investojë në infrastrukturë sepse paralelisht me rikonstruksionin e rrugëve ne zhvillojmë dhe turizmin malor. Kemi bërë një punë shumë të mirë duke promovuar të gjitha resurset turistike. Këtu mendojmë që deri në fund të vitit të kemi mbi 300.000 turistë” tha Disha.
Aktiviteti shërbeu si një panair promovues i produkteve dhe shërbimeve lokale, duke bashkuar biznese të gastronomisë, agroturizmit dhe artizanatit, si dhe duke sjellë në vëmendje potencialin turistik të Librazhdit.
“Egnatia Fest 2026” synon të kthehet në një traditë që mbështet zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale gjatë sezonit veror.
KOHA JONË SONDAZH

