Ekspertë të Avokatit të Popullit, monitorim protestës së opozitës në rrugët e Tiranës
Një orë para nisjes së protestës së paralajmëruar prej ditësh nga opozita, Avokati i Popullit ka vendosur të monitorojë situatën. Ndryshe nga herët e tjera, Avokati i Popullit, Igli Totozani, ka urdhëruar grupin e ekspertëve të Seksionit të Veçantë në institucion, që të monitorojnë nga afër protestën e opozitës, e paralajmëruar për ditën e sotme.
Ekspertët e Avokatit të Popullit do të qëndrojnë në të gjitha pikat hyrëse në kryeqytet, që nga sheshi “Shqiponja”, “Pallati me shigjeta”, si dhe në “Rrugën e Elbasanit”.
Pjesë e detyrave kushtetuese të Avokatit të Popullit është edhe monitorimi i respektimit të së drejtës së protestës nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë.