
Pedagogia e gjuhës shqipe, Elsa Skënderi, komenton nivelin e përgatitjes së politikanëve në vend dhe përgjegjësinë e politikës në formimin arsimor e qytetar të shoqërisë.
E ftuar në “Top Story”, Skënderi u ndal gjithashtu te gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale ndaj politikanëve, duke shprehur shqetësimin për nivelin e mllefit në shoqëri.
“Politika ka dështuar të forcojë institucionet arsimore në vend, të nxisë një lloj qytetarie dhe të zhvillojë aftësinë e të menduarit.
Edhe më i padituri e ka aftësinë të kuptojë kur dikush vlen vërtet dhe kur ka vështirësi për të artikuluar gjërat bazike në një fjalim.
Sot vëmë re një pakënaqësi të shtuar ndaj politikanëve. Mjafton të shohësh gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale. Shkohet deri në një lloj mllefi që nuk ka kufi, veçanërisht ndaj politikanëve.
Kjo më shqetëson, sepse këta njerëz të mllefosur i ke në rrugë dhe të duhet të punosh me ta”, tha Elsa Skënderi.
