Energjia, shtohen ankesat nga mbifaturimi dhe afrofetë
Mbifaturimi, faturat afrofe dhe energjia e matur jashtë kushteve teknike, kanë zënë pjesën më të madhe të ankesave që iu drejtuan Entit Rregullator të Energjisë gjatë vitit 2016, nga konsumatorët e energjisë. Në një raportim të posaçëm për Kuvendin, Enti Rregullator i Energjisë bëri me dije se gjatë periudhës janar – dhjetor 2016, janë trajtuar nga ERE në total rreth 957 ankesa.
Nga të dhënat e administruara, konstatohet se ankesat me objekt “energjinë e pamatur” zënë vendin kryesor në trajtimin e ankesave, të ndjekura nga ankesat me objekt “mbifaturimin” dhe “faturimin afrofe”. Vetëm nga ankesat e paraqitura në ERE gjatë vitit 2016, mbi 300 të tilla ishin për “energji të pamatur”, 243 ankesa për “mbifaturim” të energjisë elektrike dhe 105 për faturim afrofe” të energjisë elektrike.
Ankesat për “Energji të pamatur”
Nga analiza e treguesve statistikorë konstatohet se spektrin më të madh të ankesave e zënë ankesat për faturimin nën emërtimin “energji e pamatur”, në masën 308 ankesa ose 32% e totalit të ankesave. Vihet re se këto ankesa janë të mbartura dhe përfshijnë faturime të energjisë elektrike, të cilat kanë ardhur si pasojë e kontrolleve të ushtruara nga shoqëria “CEZ Shpërndarje” sh.a., përgjatë periudhës 2011-2013, ku vihet re se në shumicën e rasteve të paraqitura, procesverbalet e mbajtura për konstatimin e ndërhyrjeve të paautorizuara në sistemin e matjes janë kryer jo në prezencën e klientit, në bokse kolektive të matësve të energjisë elektrike si dhe raste ku është lëshuar më shumë se një faturë, brenda 1 viti, që përmban “energji të pamatur”. Pavarësisht trajtimit të një pjese të konsiderueshme të këtyre faturimeve nga shoqëria OSHEE sh.a., vijon të ketë ende ankesa të pazgjidhura lidhur me këtë problematikë.
Ankesat për mbifaturimin e energjisë elektrike
Ankesat e regjistruara në ERE me objekt “mbifaturimin” e energjisë elektrike për vitin 2016 janë 243 ankesa, ose rreth 25% e totalit të ankesave. Këto ankesa janë shkaktuar nga problematika të ndryshme si: mosrakordimi i gjendjes së hedhur në sistemin e faturimit me gjendjen reale të matësit, gabime nga ana e faturuesve, vonesa në hedhjen e të dhënave të matësve të rinj në sistem.
Për të gjitha këto ankesa, ERE ka kërkuar nga shoqëria OSHEE sh.a., verifikimin e praktikave dhe procedurave lidhur me faturimet e kryera së bashku me korrigjimet përkatëse që duhen realizuar në zbatim të afateve të përcaktuara për trajtimin e ankesave. Janë evidentuar gjithashtu raste kur pas mbifaturimit të këtyre klientëve, nga ana e shoqërisë nuk është lëshuar faturë korrektive, por klienti është faturuar me konsum 0 kWh për muajt në vazhdim dhe është emetuar nga kompania OSHEE sh.a. faturë e energjisë elektrike, e cila përmban vetëm tarifën e shërbimit, ndërkohë që klienti konsumon energji elektrike. Kjo bie në kundërshtim me nenin 12.5 të “Kushteve të përgjithshme të kontratës së furnizimit me energji elektrike për klientët familjarë dhe jofamiljarë”.
Ankesat për “faturim afrofe”
Ankesat e paraqitura në ERE me objekt “faturimin afrofe” të energjisë elektrike kanë zënë një vend të rëndësishëm edhe gjatë vitit 2016. Janë paraqitur dhe trajtuar rreth 105 raste ose gati 11% e totalit të ankesave. Problematikë vazhdojnë të mbeten faturimet afrofe të energjisë elektrike për periudhën 2007 – 2015, lidhur me sasinë e energjisë elektrike të faturuar afrofe të përcaktuara në Vendimet e Bordit të ERE-s si dhe me afatin final të aplikimit të këtij faturimi bazuar në Vendimin e Bordit të ERE-s Nr.104, datë 22.12.2009 “Për përcaktimin e kohëzgjatjes për faturimin afrofe për klientët familjarë pa matës të energjisë elektrike”.
Ka pasur ankesa nga klientë, të cilët edhe pse kanë qenë të pajisur me matës të energjisë elektrike, përsëri janë faturuar afrofe në kundërshtim me Vendimin e Bordit të ERE–s Nr. 146, datë 24.12.2013 “Mbi kërkesën e kompanisë “CEZ-Shpërndarje” sh.a., në administrim të përkohshëm, për vendosjen e faturimit afrofe”. Gjithashtu për klientët familjarë me matës të dëmtuar dhe jashtë kushtit teknik, Vendimi Nr. 146, datë 24.12.2013 i Bordit të ERE-s, pika 2 e tij, përcakton qartë që “për konsumatorët me matës të dëmtuar dhe jashtë kushtit teknik faturimi afrofe, sipas tabelës bashkëlidhur këtij vendimi, aplikohet për një periudhë jo më shumë se 2 (dy) muaj”.
Ankesa për matje jashtë kushteve teknike
Grupi i ankesave të paraqitura në ERE lidhur me “matjet jashtë kushteve teknike”, konsiston në rreth 64 ankesa ose 7% e totalit. Ky faturim është bërë në rastet e evidentimit të matëseve të energjisë elektrike, jashtë klasës së saktësisë në matje ose për shkak të dëmtimit të tyre. Faturimi i tyre është bërë bazuar në procesverbalet e mbajtur nga ana e shoqërive të autorizuara për verifikimin e saktësisë së matësve të energjisë elektrike ashtu siç përcaktohet në pikën iV.9 të Kodit të Matjes.
Megjithatë, duhet vënë në dukje se moszëvendësimi i këtyre martesave në afat ka sjellë ngarkimin e konsumatorëve me energji të faturuar për “matje jashtë kushteve teknike”, në kundërshtim me Kontratën për Furnizimin me Energji Elektrike për Klientët Familjarë dhe Jofamiljarë, neni 8, pika 2, ku përcaktohet se “nëse furnizuesi nuk respekton afatin 30-ditor për vendosjen e matësit të rregullt, atëherë përgjegjësia është e Furnizuesit dhe faturimi për ditët pa matje tej këtij afati, do të jetë zero”. Gjithashtu, problematike mbetet gjendja lidhur me faturimet për matje “jashtë kushtit teknik” të viteve të mëparshme, ku ankimet e klientëve të furnizimit me energji elektrike, ende nuk kanë marrë përgjigje nga ana e shoqërisë OSHEE sh.a.
[Ankesat mbi “kontratat fiktive” dhe “faturimin fiktiv”.
Gjatë vitit 2016 janë konstatuar në total rreth 75 ankesa lidhur me kontratat fiktive dhe faturime fiktive. Nga këto, 43 ankesa janë për faturim fiktiv ose 5% e totalit të ankesave dhe 32 ankesa për kontrata fiktive ose 3% e totalit, të ankesave që klientët e energjisë elektrike kanë bërë ndaj shoqërisë OSHEE sh.a. Këto ankesa lidhen kryesisht me kontrata të furnizimit me energji elektrike të dubluara me kontratat origjinale të klientëve, me kontrata të hapura në mënyrë të njëanshme pa marrëveshje mes palëve, kontrata provizore të hapura gjatë viteve të mëparshme, faturime fiktive për kontrata të cilat janë të shkëputura nga rrjeti i furnizimit me energji elektrike ose për objekte të cilat nuk ekzistojnë më, apo nuk kanë ekzistuar asnjëherë. Duhet përmendur se problemet kryesore lidhur me kontratat dhe faturimin fiktiv vijnë nga zonat me ndërtime informale, objektet e të cilave kanë qenë ose janë në proces legalizimi nga ana e ALUIZNI-t.
Ankesa “të ndryshme”. Në grupin e ankesave të klasifikuara “të ndryshme” janë futur ankesat me objekt: refuzimin e së drejtës për lidhje të re në sistemin e shpërndarjes; ankesat për kreditim të pagesave të energjisë elektrike; ndryshim tarifimi; kolaudim matësi etj. Në grupin e ankesave të ndryshme konstatohen rreth 102 ankesa, të cilat zënë 11% të totalit të ankesave.
Ankesa për “vlera referuese”
Gjatë vitit 2016, pranë ERE-s janë depozituar në ERE një grup ankesash me objekt kontestimin e vlerës referuese. Janë trajtuar rreth 60 ankesa ose 6% e totalit të ankesave. Problematikat e ankesave mbi “vlerat referuese”, u konstatuan në muajin gusht 2016 e në vijim.
Energjia elektrike e hedhur në rrjet ose e furnizuar te klientët fundorë matet nëpërmjet pajisjeve matëse, në përputhje me parashikimet e Kodeve të Rrjetit dhe Kodin e Matjes, si dhe në legjislacionin në fuqi për metrologjinë. Klientët kanë të drejtë të instalojnë njësi matëse shtesë me kërkesën dhe shpenzimet e tyre. Në rast se të dhënat e matjes janë përkohësisht të padisponueshme ose të paarritshme për një periudhë më të gjatë se një muaj, operatorët e rrjetit llogarisin vlera referencë zëvendësuese, bazuar në metodologjinë e miratuar nga ERE.
Periudha e zbatimit të vlerave referuese nuk mund të zgjasë më shumë se 3 muaj. Në kuptim të sa më sipër parashtruar, vërehet se ligji i atribuon ERE-s, përcaktimin e metodologjisë së llogaritjes së vlerave referuese të matjes së energjisë elektrike, në rastet kur konstatohet se të dhënat e matjes janë përkohësisht të padisponueshme ose të paarritshme për një periudhë më të gjatë se 1 muaj, duke përcaktuar gjithashtu se vlerat referuese që do të përdoren nga kompania nuk mund të jenë për një kohë më të gjatë se 3 muaj.
ERE ka vendosur që periudha e faturimit sipas këtyre vlerave referuese nuk mund të zgjasë me shumë se tre muaj.
Lidhur me zbatimin e këtij vendimi nga ana e kompanisë OSHEE sh.a., ERE konstatoi një sërë ankesash të ardhura nga klientë të energjisë elektrike, të cilët ankimonin faturat e vendosura nën zërin “faturim me vlere referuese”. ERE ia ka parashtruar këtë problematikë kompanisë OSHEE sh.a, ku ka evidentuar ankesat e disa klientëve të energjisë elektrike të cilët ishin faturua për muajin gusht 2016 e në vijim, nën zërin “konsum aktiv vlere referuese” dhe ka kërkuar nga OSHEE sh.a.: verifikimin e praktikës dhe procedurës së ndjekur për faturimin e këtyre klientëve të energjisë elektrike dhe anulimin e çdo mbifaturimi të bërë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Në vijimësi të kësaj problematike, shoqëria OSHEE sh.a. ka kërkuar nga ERE interpretim të Vendimit të Bordit të ERE-s, Nr.104, datë 23.06.2016 “Mbi përcaktimin e metodologjisë së vlerave referuese, në rast se të dhënat e matjes janë përkohësisht të padisponueshme dhe të paarritshme si dhe mbi shfuqizimin e Vendimeve të ERE, Nr.49, datë 21.10.2004, dhe Nr. 146, datë 24.12.2013”. Lidhur me kërkesën për interpretim ERE ka sqaruar se: se Vendimi Nr.104 i Bordit të ERE-s, datë 23.06.2016, përcakton mënyrën e faturimit të energjisë elektrike në rast se të dhënat e matjes janë përkohësisht të padisponueshme ose të paarritshme për një periudhë më të gjatë se një muaj. Në këtë vendim, nuk parashikohen rastet kur matësi i energjisë elektrike punon jashtë klasit të lejuar të saktësisë në matje, për shkak se në këtë rast, përllogaritja e sasisë së energjisë që duhet të faturohet ose kompensohet respektivisht në zbatim të rezultateve të testimit, bëhet me përllogaritje të saktë matematikore dhe jo për të zgjidhur problematikën e sipërcituar. ERE ka gjykuar të drejtë zhvillimin e një seance dëgjimore me shoqërinë OSHEE sh.a. Gjatë seancës dëgjimore nga ana e shoqërisë OSHEE sh.a. u paraqitën një sërë problematikash lidhur me zbatueshmërinë nga ana e saj të Vendimit Nr.104 të Bordit të ERE-s, datë 23.06.2016. Sipas OSHEE sh.a., këto problematika kanë lindur me kontratat e furnizimit të energjisë elektrike për ata klientë që nuk kanë një historik faturimi, lidhur me konsumin me matje të energjisë elektrike. Për të shmangur këtë problematikë, u propozua që për kontratat e furnizimit me energji elektrike që nuk kanë faturime të viteve të mëparshme të konsumit me matje të energjisë elektrike (pra për klientët e rinj të energjisë elektrike), faturimi me vlera referuese të bëhet bazuar në mesataren e konsumit me matje të energjisë elektrike, të regjistruar gjatë vitit të fundit në sistemin e faturimit.
Gjithashtu, për të pasur një përllogaritje sa më të saktë të vlerave referuese të faturimit të energjisë elektrike, faturimi i energjisë elektrike me vlerë referuese të bëhet bazuar në mesataren e faturimit me matje të energjisë elektrike, për muajin respektiv, i cili do të faturohet, gjatë 3 viteve të mëparshme. Nga ana e ERE-s u paraqit shqetësimi lidhur me ankesat e paraqitura në ERE, për faturimin me vlera referuese, si pasojë e mungesës së aksesit në të dhënat e matjes në bokse kolektive. Në këto kushte u pa e arsyeshme të bëhen disa ndryshime në Vendimin e Bordit të ERE-s, Nr.104, datë 23.06.2016. Këto ndryshime konsistuan në: së pari, të përcaktohet se përjashtohen nga faturimi i energjisë elektrike me vlerë referuese si pasojë e mungesës së aksesit në të dhënat e matjes, të gjitha kontratat e furnizimit me energji elektrike me matës të energjisë elektrike të instaluar në boks kolektiv. Së dyti, për faturimet me vlerë referuese, si pasojë e mungesës së aksesit në të dhënat e matjes, në momentin e leximit të të dhënave të matjes, Furnizuesi do të axhustojë në faturën pasardhëse të energjisë elektrike, diferencën ndërmjet sasisë së energjisë
Përgjigje të ardhura nga OSHEE sh.a., gjatë vitit 2016. Gjatë vitit 2016 janë trajtuar nga OSHEE sh.a. 906 ankesa të klientëve për të cilat ERE ka kërkuar zgjidhjen e tyre. Në analizë të përgjigjeve të ardhura në ERE vërehet se janë: • 256 përgjigje të ardhura nga OSHEE gjatë 2016, për ankesa të dërguara për verifikim dhe trajtim gjatë vitit 2016; • 394 përgjigje të ardhura nga OSHEE gjatë 2016, për ankesa të dërguara për verifikim dhe trajtim gjatë vitit 2015; • 256 përgjigje të ardhura nga OSHEE gjatë 2016, për ankesa të dërguara për verifikim dhe trajtim gjatë vitit 2014;
Ankesat, si u trajtuan nga OSHEE
Sa i takon problematikës së ankesave të trajtuara nga OSHEE sh.a. vërehet se nga 906 përgjigje të ardhura nga OSHEE gjatë vitit 2016:
-189 prej tyre kanë pasur si subjekt anulimin e faturave të ankimuara;
-322 prej tyre kanë pasur si subjekt kthim përgjigje lidhur me ankesat e paraqitura;
-283 prej tyre kanë pasur si subjekt përgjigje negative lidhur me ankesat e klientëve për “energji të pamatur” ose “dëm ekonomik”;
-57 prej tyre kanë pasur si subjekt përgjigje tejkalimin e afatit të përcaktuar në kontratë për paraqitjen e një ankese;
-64 prej tyre kanë pasur si subjekt përgjigje mungesën e dokumentacionit nga ana e shoqërisë “OSHEE” sh.a., për të gjykuar mbi ankesat e paraqitura./Monitor