Erjon Braçe: Dopping-u dhe sportistët, keqardhje dhe trishtim
Deputeti socialist Erion Braçe ka ngelur i zhgënjyer nga lajmi mbi dy sportistët tanë, të cilët pasi bënë analizat anti-dopping rezultuan pozitivë. Pasi akuzoi kundërshtarët politikë dhe disa institucione të pavarura të vendit, si Shërbimin Informativ Shtetëror të disa viteve më parë, praktikë që e ndjek çdo ditë, kaloi për një moment tek sporti dhe foli për kampionët e peshëngritjes, që rezultuan në testin e parë me dopping. “Nëse lajmi për të tre peshngritësit është përfundimisht i vërtetë; Keqardhja është shumë e madhe deri në trishtim! Ka ndodhur edhe më parë, ndërkohë mendoja se duhet të kishim ndryshuar. Por megjithatë duhet ta kërkojmë tek vetja shkakun, tek vetja; si shoqëri, pastaj si shtet; tek politikat, tek qëllimet, tek ajo që edukojmë, tek ajo që duam realisht, jo tek ajo që duam t’u tregojmë edhe rrejshëm të tjerëve, tek dukja”, theksoi Braçe. Deputeti i Ps-së, pranoi se sistemi i vlerave është rrëzuar dhe se duhet ngritur, por si? “Duhet të ringrejmë një sistem të ri vlerash që bazohen tek puna e ndershmëria, shpërblimi duhet të jetë për to. Në fund; kjo çështje nuk mund të kalojë kështu, me keqardhje e trishtim. Duhet hetuar si është marrë ajo substancë, nga kush dhe pse. Dhe nëse është e qëllimshme, autorët duhet të shkojnë përtej hetimeve të një federate”, tha Braçe. Megjithatë të rinjtë ankohen se ende nuk kanë mundësi të fitojnë një vend pune, ngaqë nuk kanë shoqëruar deputetët në fushatë, ose nuk kanë mbajtur “qëndrimin” e duhur atë muaj, ndonëse po të ketë garë janë të bindur se vlejnë më shumë se ata, që u përfshinë në mitingje, apo në procesin e zgjedhjeve dhe më pas fituan vendin e punës. Pra të tillë e kemi sistemin e vlerave në politikë, arsim, drejtësi, art, kulturë dhe në sport!