Është momenti që Greqia të kërkojë ndjesë ndaj shqiptarëve të Çamërisë

 

Nga Ardian Tana

Kryetar i shoqatës “Çamëria”

Ardhja e ministrit të Jashtëm Grek, z. Nikos Kotzias në Tiranë është një moment kyç për marrëdhëniet dypalëshe dhe për të çuar përpara çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve tona. Diskutimi i të gjitha çështjeve të hapura mes nesh i shërben përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe. Dosja diplomatike shqiptarogreke është komplekse dhe të gjitha çështjet duhet të trajtohen me seriozitetit që meritojnë.

Për këtë arsye, Shoqata “Çamëria” gjykon se takimet dypalëshe duhet të jenë gjithpërfshirëse. Hapi i parë në shtensionimin e marrëdhënieve do të ishte abrogimi zyrtar i ligjit të luftës, që Greqia e mban ende në fuqi, pavarësisht se vendet tona janë anëtare të NATO-s dhe mes dy vendeve është nënshkruar një traktat miqësie. Prania e këtij ligji absurd e bën të pasinqertë trajtimin e çdo çështjeje mes dy vendeve.

Trajtimi i çështjes çame, si një çështje që kërkon zgjidhje të drejtë dhe dinjitoze është pa dyshim elementi më i rëndësishëm i dosjes diplomatike shqiptaro-greke. Greqia vjen nga një betejë në Eurogrup, të cilën e ka cilësuar si betejë për dinjitet dhe drejtësi. Bazuar pikërisht në të njëjtën frymë, qeveria shqiptare duhet të kërkojë drejtësinë dhe dinjitetin për 300.000 shtetas të saj, ish shtetas grek, për çështjen e pronave, të drejtën e rikthimit, të drejtën e shtetësisë dhe të drejtat e pakicave, që së bashku përbëjnë çështjen çame. E gjitha kjo mund të nisë nga një ndjesë, që çdo komb i madh ka thënë, për padrejtësitë që ka kryer. Ndjesa ndaj shqiptarëve të Çamërisë është e vonuar, por tani është momenti për t’u thënë.

Zgjidhja e çështjes së ujrave, në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është një tjetër pikë e rëndësishme e dosjes diplomatike. Ajo duhet të zgjidhet me marrëveshje dhe në bazë të parimit të ndarjes së drejtë të ujrave, siç ka parashikuar Gjykata Kushtetuese.

Po ashtu, njohja e pavarësisë së Kosovës, ndalimi i financimit të strukturave që tentojnë asimilimin e shqiptarëve në jug të vendit, kryesisht të të afërmve të emigrantëve në Greqi, do të përbënin një hap të rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Shoqata “Çamëria” gjykon se deklaratat e deritanishme të Ministrit të Jashtëm Grek mbi çështjen çame kanë qenë të papranueshme e aspak dinjitoze. Aq, më tepër kur z. Kotzias vjen nga një parti e majtë, paraardhësit e së cilës kanë qenë kundërshtarët më të paepur të gjakatarit Napoleon Zervas.

Mjafton të kujtojmë batalionin IV “Ali Demi” në kuadër të ELAS dhe Batalionin “Çamëria”, pjesë e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, që përbëjnë provat e pakundërshtueshme të luftës së drejtë të shqiptarëve të Çamërisë kundër pushtuesit nazist. Këtë të vërtetë historike, z. Kotzias ka treguar se nuk e di. Ai ka rënë pre e qarqeve nacionaliste greke, që vazhdojnë me karamelen e dalë kohe se kinse shqiptarët e Çamërisë bashkëpunuan me nazistët. Neonazistët që janë në parlamentin grek, Agimi i Artë, janë pasardhësit shpirtëror të Napoleon Zervës dhe janë armiqtë e frymës europianiste që duhet të na përbashkojë.

Prandaj, sot është koha që e drejta e shqiptarëve të Çamërisë të rivendoset në vend, ndaj tyre të kërkohet ndjesë dhe të gjejë rrugën e zgjidhjes kjo çështje e të drejtave themelore të njeriut. Qeveria shqiptare dhe ajo greke duhet të angazhohen në këtë drejtim.

SHKARKO APP