Eurobond në 2018? Qeveria parashikon mundësinë e një dalje tjetër në tregjet ndërkombëtare
Gjatë vitit 2018, qeveria shqiptare parashikon se mund të ketë një shtesë financimi të huaj në formën e huave tregtare ose nëpërmjet daljes në tregjet ndërkombëtare me Eurobond, mbi baza oportuniste, raporton portali ekonomik SCAN.
“Kjo shtesë financimi do të vlerësohet gjatë vitit në varësi të nevojës për të ulur presionin në tregun e brendshëm, me qëllim shmangien e kufizimeve që burojnë nga kapaciteti i limituar i tregut të brendshëm , si edhe nevojës për të shërbyer detyrimet e borxhit në valutë, të cilat gjatë vitit 2018 vlerësohen rreth 20% më të larta se ato të vitit aktual” shkruhet në relacionin e projekt-buxhetit të vitit 2018.
Sa i përket manaxhimit të borxhit, gjatë vitit 2018, ai do të ketë në fokus reduktimin e mëtejshëm të ekspozimit ndaj risqeve të portofolit të borxhit (kryesisht portofolit të borxhit të brendshëm), si edhe ruajtjen e raporteve të pranueshme ndërmjet kostos dhe riskut. Ndërkohë, do të vazhdojnë të ndërmerren aktivitete të cilat do të synojnë zhvillimin e mëtejshëm të tregut primar dhe nxitjen e aktivitetit të tregut sekondar për titujt shtetërorë.
“Për sa më sipër, financimi i brendshëm në terma neto do të orientohet kryesisht në drejtim të titujve afatgjatë, duke shfrytëzuar normat e interesit në nivele ende të ulta, të cilat e bëjnë zbatimin e kësaj strategjie financimi më pak të kushtueshme dhe garantojnë përmirësim të raportit ndërmjet kostos dhe riskut. Prioritet do të ketë emetimi i titujve afatgjatë me norma interesi fikse. Megjithatë, edhe titujt me norma interesi të ndryshueshme do të vijojnë të emetohen në vlera të cilat do të rishikohen dhe bëhen transparente nëpërmjet publikimit periodik të kalendareve të huamarrjes, në varësi të ecurisë së realizimit të objektivave, kushteve të tregut dhe preferencave të kreditorëve. Nëpërmjet titujve afatshkurtër kryesisht do të synohet rifinancimi me sukses i titujve ekzistues që maturohen dhe menaxhimi aktiv i nevojave për likuiditet” vijon relacioni.
Financimi i huaj parashikohet se do të mbështetet në financimin me terma pjesërisht të buta të projekteve ekzistuese, projekteve të reja të konsideruara si prioritare nga Qeveria për zhvillimin e vendit, si edhe në disbursimin e kredive të akorduara nga institucionet ndërkombëtare financiare për të mbështetur politikat zhvillimore të vendit.
Deri më tani, praktika e emetimit të eurobondit është aplikuar dy herë nga qeveria shqiptare. Në vitin 2010, kur bë emetimi i parë, Shqipëria arriti të marrë 300 milionë euro me normë interesi 7.5 %. Në vitin 2015, Shqipëria arriti që të marrë 450 milionë euro me një normë interesi prej 5.75%.
Eurobondi konsiderohet si pjesë e strategjisë që synon lehtësimin e financimit të borxhit publik.
SCAN