Europa midis shpërbërjes dhe mbijetesës

Nga Sadedin Çeliku

Vitet e fundit, vendet e Bashkimit Europian të udhëhequra nga Gjermania dhe Franca nuk kanë mundur ti dalin zot problemeve të shumta brenda unionit, por dhe të vendeve aspiruese të Europës bashkuar. Ajo tashmë ballafaqohet me mjaft probleme të cilat kërkojnë zgjidhje të shpejta, ndryshe shpërbërja është e sigurtë.

Kështu refuzimi i firmosjes së marrëveshjes së traktatit të Mastrihktit nga disa shtete, refuzimi i Shengenit, i monedhës së përbashkët euro, kriza financiare në Portugali, Spanjë, Itali dhe sidomos në Greqi, kriza e refugjatëve përgjatë vitit 2016-2017 dhe (Brexit) dalja nga organizata e unionit europian i Britanisë së Madhe, kanë krijuar mjaft vështirësi në funksionimin dhe aq më tepër në zgjidhjen e problemeve. Ato vende janë marrë më shumë me veten sesa me politikat e unionit për ristrukturimin dhe reformimin e organizatës e cila shihet si shpëtim të shpërbërjes.

Bashkimi Europian dhe sidomos Gjermania e cila e udhëheq unionin, duhet tu kthejnë besimin vendeve anëtare por dhe atyre që vërtet kërkojnë prej vitesh të aderojnë në këtë organizatë. Vërehet një javashllëk në të gjitha aspektet, përfshirë dhe politikat e ndihmës e solidaritetit social, politikat që e dinamizojnë unionin dhe krijojnë besim në këtë union. Mungesa e projekt-ideve konkrete dhe e politikave të zhvillimit, ndasitë brenda unionit, politikat selective lidhur me pranimet e reja etj, mungesa e reformave dhe eliminimi i mjaft burokracive, kanë krijuar mungesë besimi dhe mjaft pikëpyetje e udhëkryqe të cilat unioni duhet ti marrë seriozisht.

Samiti i Parisit për uljen e ndotjeve të mjedisit dhe mbrojtjen e klimës u mbyll me kundërshtitë e SHBA-së por hodhi një hap pozitiv sa i takon masave proteksioniste që lidheshin me importet nga Europa. Samiti i Hamburgut i G20 përfundoi thekson e përditshmja franceze Le Monde me rezultate të përziera, megjithatë pati disa dakordësi. Ajo që ra në sy më 8 korrik në G20 ishte se njerëzit besojnë në të gjithë globin se ekonomia botërore nuk ka në focus të mirën e të gjithëve, por vetëm të disave. Gjithsesi u arritën të realizoheshin për disa çështje që lidhen me rregullimin e tregjeve financiare.  E përditshmja Vjeneze “Die Press” thekson se Europa po e humb Ballkanin. Vendet e Ballkanit Perëndimor ndjehen jetim, pa mbështetje për kapjen e trenit europian dhe kësisoj këto vende po largohen ndjeshëm nga projekti europian. Gazeta “Spiegel” gjithashtu nënvizon faktin se në këto vënde po punohet me intensitet për të ushqyer nacionalizmit që do ti largonte përfundimisht nga Europa këto vende por do të krijonte dhe një krizë të thellë në Ballkan që zor se do ta zgjidhte njeri. Mesa duket Gjermania s’mund ti zgjidhë fatet e Europës e vetme. Delegacioni i Parlamentit Europian pas zgjedhjeve ka theksuar se tashmë nuk ka kuptim që ta mbajmë varur Shqipërinë për hapjen e negociatave. Ato duheb hapur sa më parë. Ndërkaq Italia dhe Greqia janë të pakënaqura nga mungesa e ndihmës së BE-së. E para kërkon ndarje të drejtë të përgjegjësive që lidhen me refugjatët dhe ndihmë financiare, ndërsa e dyta kërkon mbështetje për tejkalimin e problemeve të mëdha ekonomike-financiare.

Problemet gjeopolitike kanë rrënjë të thella në Europë por veçanërisht në Ballkan. Problemi i Kosovës me Serbinë, i Kroacisë me Slloveninë për kufirin, i Shqipërisë me Greqinë për çështjen e kufirit detar ku brenda pjesës shqiptare gjenden rezerva të mëdha gazi e nafte, problemet e Maqedonisë por dhe ato të Turqisë me Greqinë, të gjitha këto kërkojnë zgjidhje. Teoria e dy shpejtësive të ndryshme e iniciuar nga Angela Mercel si dhe projekti rajonal i bashkëpunimit që lidhet me zhvillimin dhe projektet e përbashkëta si në transport, infrastrukturë dhe energjetikë, kanë mbetur në kuadrin e ideve sepse deri tani asnjë projekt rajonal nuk është mbështetur financiarisht. Le të shpresojmë se takimi i nivelit lartë i Triestes do hedhë ndonjë hap pozitiv. Ajo qe desha të nënvizoj është se Kina përmes nismës 16+1 ka financuar mjaft projekte që kapin vlera miliardash si në Rumani, Poloni, Serbi, Kroaci, Maqedoni etj.  Është koha që samitet dhe kontaktet e shumta të konkretizohen e të finalizohen se vetëm kështu mund dhe duhet të integrohet Ballkani Perëndimor dhe vetëm kështu mund të përafrohen ato me standardet e Europës së bashkuar. Tashmë ka ikur koha e teorive të mëdha. Nëse duam një Europë të bashkuar duhet të heqim dorë nga politikat selektive e nga burokracitë e mëdha që e dëmtojnë unionin europian.

SHKARKO APP