Evazioni i frikshëm fiskal në Shqipëri, ja “manovrat” që bëhen për t’ju fshehur taksave

Një sondazh rajonal për praktikat e ekonomisë së fshehur në Maqedoni dhe Shqipëri nxjerr në pah evazionin e lartë të ekonomisë shqiptare, ku 84.3% e kompanive të anketuara konfirmuan se tentojnë të fshehin të ardhurat vazhdimisht, në më të shumtën e rasteve, ose ndonjëherë.

Për Maqedoninë,  kjo përqindje është dukshëm më e ulët, ku 54.4% e bizneseve të anketuara konfirmojnë se praktikat e ekonomisë së fshehur përdoren në sektorin e tyre në mënyrë ‘konstante’,  ‘në shumicën e rasteve’, ose ‘ndonjëherë’ (Shih grafikun)

Sondazhi u krye nga Qendra për Kërkime dhe Politikëbërje (CRPM) në Maqedoni dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në Shqipëri, me metodologji identike. Për Maqedoninë, sondazhi u zhvillua në fund të vitit 2016 dhe për Shqipërinë në prill të vitit 2017, me një kampion prej 70 sipërmarrje për secilin vend, përfaqësuese sipas xhiros dhe ndarjes sektoriale në ekonomi dhe demografikisht.  Raporti titullohet:  “Barra e lartë ndaj biznesit çon në fshehjen e aktivitetit-Perspektiva e biznesit dhe Ekonomia e Fshehur në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë”.
Raporti thekson se fshehja e xhiros është më domethënëse në Shqipëri, ku 40% e atyre që pohuan se tentojnë të fshehin të ardhurat thanë se kjo praktikë përdorej në ‘më të shumtën e rasteve.’
Rezultatet e këtyre të dhënave janë në të njëjtën linjë me gjetjen e sondazhit të mëparshëm me popullatën për përdorimin e kuponëve fiskalë, ku përfshihej dhe Kosova. Për shembull 17% në Maqedoni, 52% në Shqipëri dhe 29.6% e të anketuarve nga Kosova konfirmuan se ata nuk kishin marrë kurrë, ose kishin marrë rrallë kuponë tatimorë për veshjet dhe këpucët. Për alkoolin dhe cigaret, 20% në Maqedoni, 52% në Shqipëri dhe 40% e të anketuarve nga Kosova gjithashtu konfirmuan se ata kishin marrë rrallë, ose nuk kishin marrë asnjëherë kupon tatimor. Megjithëse rastet për mos lëshimin e kuponit tatimor janë relativisht të rralla në të tre vendet dhe janë poshtë nivelit 18%, ka përjashtime të dukshme, si p.sh për Shqipërinë për kategoritë alkool /cigare (26.5%), libra (28.3%), dhe për Kosovën gjithashtu për librat (26%). Sondazhi me bizneset konfirmon këto gjetje, teksa 52% në Maqedoni dhe 68% në Shqipëri kanë konfirmuar se mos lëshimi i kuponit tatimor kryhet vazhdimisht në pjesën më të madhe ose ndonjëherë në sektorët e tyre përkatës, ku dominon përgjigja ‘ndonjëherë’, theksohet në raport.
Sondazhet me popullatën dhe bizneset në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë kanë konstatuar një tendencë të dukshme të bizneseve për të fshehur një pjesë të të ardhurave të tyre, që nga ana e saj ndikon negativisht konkurrencën dhe mbikëqyrjen e qeverisë si dhe të ardhurat publike, thuhet në raport.
Disa nga metodat më të zakonshme që bizneset përdorin për të shmangur ose manipuluar me raportimin e taksave janë:
Të punësosh një person pa kontratë ose me kontratë me klauzola të fshehura;
Raportimi i të ardhurave më të ulëta;
Mos-pagimi i detyrimeve, taksave dhe akcizës;
Dhënia dhe marrja e ryshfetit
Mos lëshimi i faturave
Këmbëngulja në pagesat cash
Kryerja e prokurimeve pa tender
Ekzekutimi i marrëveshjeve të caktuara
Flukset dalëse ose hyrëse ilegale të aseteve
Manipulimi me pagesën e TVSH-së
Përdorimi i trukeve të kontabilitetit në mënyrë që të paguhen më pak taksa.

Manipulimi me TVSH
Një tjetër metodë e disa bizneseve në mënyrë që të paguhen taksa më të ulëta është manipulimi me TVSH-në dhe zbatimi i trukeve të kontabilitetit, thekson raporti.
Një e treta e bizneseve në Maqedoni (31.4%) dhe dy të tretat në Shqipëri (60%) kanë konfirmuar se manipulimi me TVSH-në përdoret vazhdimisht, në pjesën më të madhe të rasteve, ose ndonjëherë.
Në mënyrë të ngjashme, rreth 1/4 e kompanive në Maqedoni (24.2%) dhe 1/3 e kompanive në Shqipëri (32.3%) besojnë se midis 11% deri 51% të kompanive në sektorin e tyre paguajnë më pak taksa sesa duket të paguanin, duke përdorur truke të kontabilitetit.
“Humbjet e lidhura me TVSH-në ndodhin ose përmes evazionit të paorganizuar fiskal (mos lëshimi i faturave dhe kuponit tatimor, nën raportimi i shitjeve të produkteve dhe shërbimeve aktuale, ose mbivlerësimi i shpenzimeve të lëndëve të para) ose përmes një abuzimi më të organizuar të sistemit, përmes transaksioneve fiktive me tregtues jo ekzistentë ose të falimentuar (p.sh. mashtrimi karusel). Kjo e fundit përfshin një (p.sh. tregtues me pakicë pa faturë tatimore) ose në maksimum dy palë (biznes me biznes, kur manipulohet shuma e faturave) gjatë transaksioneve. Kjo e fundit përfshin rrjete komplekse, që aktivizojnë biznese reale (p.sh. prodhues real, kompani logjistike, zyra kontabiliteti) dhe kompani me zero asete, që zotërohen nga të varfër, të pashkolluar, madje edhe njerëz të dënuar, mes të cilave kryhen transaksione me letra në shumë nivele.”, thuhet në raport, duke cituar një studim të SELDI.net – Ekonomia e Fshehur dhe Qeverisja e Mirë në Europën Juglindore: Raporti i Vlerësimit Rajonal 2016./Monitor

SHKARKO APP